10 pyetjet që shpjegojnë 'rebelimin'
e Blushit, Rama e ambicia për PS

10 pyetjet që shpjegojnë 'rebelimin'<br />e Blushit, Rama e ambicia për PS
TIRANË - Deputeti socialist Ben Blushi replikoi dje në distancë me kryetarin e grupit të tij parlamentar Gramoz Ruçi. Në përgjigje të ironisë që Ruçi përdori ndaj tij duke e cilësuar si publicist, Blushi i kujtoi kreut të grupit se teksa flet për publicistë duhet t’i referohet kandidatit të PS-së në Tepelenë, Tërmet Peçi sepse ai kërkon fitore publicitare. Blushi theksoi se pavarësisht se nuk e shpreh edhe vetë Ruçi është i pakënaqur që në PS nuk ka zgjedhje të brendshme.

Ja 10 pyetjet që shpjegojnë “rebelimin” e Ben Blushit.
 
Po ku është zanafilla e përplasjeve mes Blushit dhe Ramës?
Ka qenë vjeshta e vitit 2007, kur për herë të parë deputeti Ben Blushi, pasi kishte dhënë dorëheqjen nga kryetar i grupit të PS për shkak se 6 deputetë socialistë dhanë votën për Presidentin e PD Bamir Topi, lëshoi siluret e para në drejtim të kryetarit të PS njëherësh e i bashkisë së Tiranës Edi Rama. Eshtë e njohur tashmë shprehja e Blushit në atë kohë që “PS është si një autobus, ku duhet bërë kujdes që të mos i flitet shoferit në timon”.

Deri në atë kohë Blushi ishte kritik, por kur realisht kërkoi largimin e Ramës nga kreu i PS?
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, socialistët dhe opozita nuk mundi të vinte në pushtet dhe akuzoi Berishën se i vodhi votat. Blushi kërkoi nga Rama që të jepte dorëheqjen si kreu i PS që nuk mundi të sillte partinë në qeverisje, pasi këtë sipas tij e kërkonte statuti. Rama duke iu shmangur debatit, rikonfirmohet sërish në krye të PS, por nuk bëri paqe me Blushin sidomos pas tentativës së këtij të fundit për të marrë drejtimin e partisë.

Cili ishte roli i Blushi në LMN, përse e braktisi këtë lëvizje?
Blushi dhe mbështetës të tij, mes të cilëve Arben Malaj, Kastriot Islami dhe deputetë të tjerë kërkuan nga Rama largimin e tij nga drejtimi i PS, kritikuan bojkotin e Kuvendit, grevën e urisë dhe paralajmëruan hyrjen në Kuvend për mosdjegien e mandateve. Por në mënyrë të papritur Blushi arrin kompromisin me Ramën, duke e lënë në mes këtë lëvizje ndryshe brenda PS.

Kur e shfaqi Blushi pakënaqësinë e parë publike ndaj Ramës, pasi e majta erdhi në pushtet?
Në mbledhjen e grupit të PS-së në datën 2 mars, lajmi për përjashtimin e deputetit Tom Doshi u shoqërua edhe me rebelimin e Ben Blushit për koston që do të mbante e majta për vendimin e Ramës. Deputeti socialist për herë të parë foli hapur për atë që kishte ndodhur brenda mbledhjes së grupit. Sipas tij, ajo që ndodhi ishte historia e dy shokëve të ngushtë që u zunë për arsye që refuzuan t’i tregonin, por fatkeqësisht një histori miqësie disavjeçare të cilat edhe pse nuk ishin politike i vunë një damkë të madhe PS. Blushi i rebeluar hapur e tha se për atë situatë përgjegjës ishte kryeministri Rama, i cili duhet ta kishte administruar më mirë atë situatë dhe të qeveriste më mirë.

Çfarë kontributi dha deputeti i PS për përzgjedhjet e kandidatëve për zgjedhjet vendore?
Kritikat e ashpra që Blushi shfaqi për mënyrën e qeverisjes nga kryeministri Rama, vijojë t’i shfaq edhe gjatë mbledhjeve që kreu i PS zhvilloi me deputetët e tij për përzgjedhjen e kandidatëve për 61 njësitë vendore. Pretendimet e para, Blushi i shfaqi për kandidimin për një mandat të tretë të kryebashkiakut aktual Qazim Sejdini në Elbasan. Blushi kërkoi që për këtë kandidat të zhvillohen sondazhe, duke e argumentar këtë fakt me pakënaqësinë që ka në Elbasan për emrin e tij. Megjithatë konfirmimi që strukturat dhanë për emrin e Sejdinit, bindi Blushin për emrin e tij por duke mos u ndalur në rezervat publike që do të shfaqte për emrat e tjerë. Blushi e konsideroi përzgjedhjen e Veliajt për Bashkinë e Tiranës si vendimin e një njeriu të vetëm dhe jo i gjithë Partisë Socialiste.

Cila ishte forma që Blushi zgjodhi të kritikonte vendimet e Ramës dhe mënyrën e qeverisjes së majtë?
Ben Blushi duke e njohur pikën e tij më të fortë, zgjodhi të kritikonte qeverisjen e majtë të drejtuar nga Rama nëpërmjet disa shkrimeve të njëpasnjëshme publicistike të botuara në median e shkruar. “Funerali i Rilindjes”, ishte goditja e parë dhe e rëndë që Blushi i dha kolegëve të tij socialistë. Në atë shkrim, Blushi e konsideronte “Rilindjen”, frymëzimin me të cilin e majta erdhi në pushtet, si një cikël të mbyllur, madje duke e vendosur në kontekstin e diçkaje që merr frymë e vlerësoi si diçka të vdekur. “Rilindja nuk ka frymë, nuk ka organizim, nuk ka motivim, nuk ka mobilizim, nuk ka ide, nuk mbrohet, nuk mendohet, nuk pendohet, por vetëm rrëzohet dhe bie”, do të shprehej Blushi. Në atë shkrim Blushi vendosi të krijonte edhe një ndasi mes kolegëve të grupit të tij parlamentar duke i ndarë në “krenaristë” dhe “kanabistë” me specifikat përkatëse të secilit grup.

Si reagoi Rama për kritikat e Blushit? Po kolegët e tij socialistë e kritikuan apo e mbështetën?
Në të parin rast që Rama u pyet për kritikat që Blushi kishte nisur ndaj tij zgjodhi të mos e komentonte. Duke mos e quajtur si pjesë të natyrës së tij për të komentuar “komentatorët”, Rama zgjodhi që t’i përgjigjej ndryshe deputetit të tij. Njëri pas tjetrit, nënkryetari i grupit parlamentar Taulant Balla dhe kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe nëpërmjet shkrimeve të tyre në “facebook”, tentuan t’i tregojnë kolegut të tyre se “Rilindja” është një cikël që nuk mund të bëhet brenda dy viteve qeverisje. Madje akoma më shumë, Balla nuk u mat ta krahasonte gjuhën e përdorur nga Blushi me atë të ish-kryeministrit Berisha.

Cili ishte qëndrimi që Blushi ka mbajtur në Parlament?
Prej 3 javësh emri i Ben Blushi nuk mungon në asnjë listë diskutantësh në seancat plenare. Diskutimet e tij në foltoren e Kuvendit janë kthyer në një moment reflektimi për të gjithë kolegët e tij socialistë dhe një vetëpërmbajtje kënaqësie për kundërshtarët e tij demokratë. Në seancën e 30 prillit, Blushi i kërkoi Ramës edhe pse ai nuk ishte në seancë plenare t’i kërkonte falje publike shqiptarëve që futi në parlament kriminelët. Në të njëjtin diskutim, Blushi zgjodhi t’i jepte përgjgjigje edhe kolegut të tij Taulant Balla duke i sqaruar se ai nuk flet me gjuhën e Saliut dhe duke i kërkuar mazhorancës së tij që të mos qeverisë njësoj si Saliu. Sepse siç e qartësoi edhe aiSaliu është një fantazëm, dhe fantazma ka një veti.  Disa i ndjek dhe disa e ndjekin”.

A ndryshoi qëndrimi i Ramës dhe eksponentëve të lartë të PS ndaj Blushit?
Kritikat e forta të artikuluara nga deputeti Blushi në Kuvend lidhur me keqqeverisjen dhe premtimet e pambajtura të Ramës e bën të pashmangshme kundërpërgjigjen e këtij të fundit. Duke mos e lakuar asnjëherë emrin e Blushit, por duke ja atribuar atij çdo përgjigje, Rama i kujtoi deputetit të tij se pavarësisht se nuk ka shkop magjik, rilindja do të përmbyllet si cikël në përfundim të mandatit. Sipas kryeministrit, Blushi si një dritëshkurtër nuk arrin dot të kuptojë se reformat e rëndësishme kërkojnë masa të forta, të cilat edhe pse të dhimbshme duhet të kryhen.

Cili është synimi i Blushit dhe a rrezikoi ai përjashtimin nga PS?
Idea e një bashkëpunimi me ish-kryeministrin Fatos Nano dhe krijimi i një force të re politike u hodh poshtë nga vetë deputeti Blushi. Ndërkohë që në fjalën e tij dy javë më parë në Kuvend, Blushi u shpreh se është i vendosur t’i shkojë deri në fund qëndrimit të tij kritik ndaj qeverisë duke marrë parasysh kostot që mund të kenë ato.
 
 
Përplasja I
Blushi pasi dha dorëheqjen si kryetar i grupit të PS në 2007 për shkak se 6 deputetë dhanë votën për Presidentin e PD Bamir Topi, kritikoi ashpë drejtim e kreut të PS dhe bashkisë Edi Rama.

Përjashtimi
Blushi është shprehur i vendosur t’i shkojë deri në fund qëndrimit të tij kritik ndaj qeverisë duke marrë parasysh kostot që mund të kenë të gjitha deklaratat e tij, përfshirë edhe përjashtimin


Shkrimi u publikua sot (14.05.2015) nw Shqiptarja.com versioni print
 
Redaksia online
(k.b/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/Drogë me postë nga Kalifornia në Tiranë, dy të arrestuar! Sekuestrohet 3.2 kg kanabis

VIDEO/Drogë me postë nga Kalifornia në Tiranë, dy të arrestuar! Sekuestrohet 3.2 kg kanabis