“Jeni mërzitur së fundi se thashë të ikë nga skena politike Sali Berisha. Pse e thashë unë që të ikë nga skena politike? Zoti Sali, të kujtoj se sa herë në këtë sallë ju dhe përfaqësuesit tuaj keni deklaruar që të ikë nga skena politike Partia Socialiste dhe ne përsëri kemi heshtur. Dje unë thashë të ikë një përfaqësues i një partie nga skena politike dhe juve ju mërziti. Rregullat e lojës këto janë. Unë thashë se do t’i shërbeja Partisë Demokratike me këtë mendim, do t’i shërbeja demokracisë shqiptare, do t’i shërbeja jo partisë sime, pasi po ta them që ikja juaj do të ishte dëmtim për Partinë Socialiste.

Sali Berisha dhe Gramoz Ruçi janë dy politikanë që kanë ndikim të rëndësishëm në politikën shqiptare të 35 viteve të fundit. Ka qenë vendimtar ndikimi i tyre në momente të rëndësishme të historisë së tranzicionit. Si kundërshtarë politikë kanë zhvilluar beteja të rëndësishme. Janë të shumta debatet në Kuvendin e Shqipërisë në ato fillime, mjaft të ashpra disa prej tyre. Gramoz Ruçi dhe Sali Berisha janë përballur shpesh. E tillë ishte edhe seanca e debatit në tetor 1991, kur Gramoz Ruçi kishte kritikuar Berishën për lidhjet e tij me regjimin dhe kërkonte largimin nga skena politike. Vetë Ruçi kishte qenë i zgjedhuri i udhëheqësit komunist Ramiz Alia për të drejtuar punët e partisë, PPSH-së, por edhe si ministër i Brendshëm, kohë në të cilën u vranë katër demokratë më 2 prill 1991, në një protestë në Shkodër. Nuk ishte vetëm ngjarja e 2 prillit në Shkodër, por edhe ajo e Shkollës së Bashkuar, ku gjithashtu pati viktima. Këto ngjarje e mbajtën të ndezur debatin në Kuvend gjatë viteve 1991-1992, ku në shënjestër ishte pikërisht ministri i Brendshëm Gramoz Ruçi. Në krah të Ruçit në sallën e kuvendit të Shqipërisë, qëndronin ish-anëtar të Byrosë Politike, të cilet edhe mbanin mbi shpatulla krime të diktaturës komuniste, ishin deputetë të PPSH-së pas zgjedhjeve të para pluraliste më 31 mars 1991. Kështu nisi beteja politike ndërmjet elitave të majta dhe të djathta, që në fakt bashkoheshin në origjinën e tyre, PPSH, partia-shtet që e mbajti popullin shqiptar 45 vjet në diktaturë. Ishin mjaft të pakët të tjerët që nuk kishin asnjë lidhje me regjimin apo ata që kishin qenë në burgjet e diktaturës.

Gazeta TemA sjell pjesë nga debati i së mërkurës së 23 tetorit të vitit 1991, kur diskutohej për një raport të një komisioni parlamentar që kishte hetuar shpenzimet e anëtarëve të Byrosë Politike në udhëtime jashtë Shqipërisë dhe kurimin e tyre e familjarëve nëpër klinikat e Parisit, Vjenës e gjetkë, si dhe për qeverinë e stabilitetit dhe përpjekjet për stabilitet politik në një Shqipëri të sapodalë nga diktatura. Nis me deklaratën e deputetit Arben Imami, në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, si përgjigje për një deklaratë të Gramoz Ruçit, i cili kërkonte nxjerrjen jashtë politike të kreut të PD-së, Sali Berisha. Kishte vetëm një muaj që Sali Berisha ishte zgjedhur kryetar i Partisë Demokratike në kuvendin e shtatorit 1991, një prej drejtuesve më të rëndësishëm të opozitës së parë në pluralizëm, edhe pse shumë momente e vinin në dyshim rrugëtimin e tij drejt podiumeve politike të atij dhjetori ’90 e në vazhdim. Pikërisht këtë paqartësi shfrytëzonte Gramoz Ruçi kur sulmonte liderin demokrat.

“Jeni mërzitur së fundi se thashë të ikë nga skena politike Sali Berisha. Pse e thashë unë që të ikë nga skena politike? Zoti Sali, të kujtoj se sa herë në këtë sallë ju dhe përfaqësuesit tuaj keni deklaruar që të ikë nga skena politike Partia Socialiste dhe ne përsëri kemi heshtur. Dje unë thashë të ikë një përfaqësues i një partie nga skena politike dhe juve ju mërziti. Rregullat e lojës këto janë. Unë thashë se do t’i shërbeja Partisë Demokratike me këtë mendim, do t’i shërbeja demokracisë shqiptare, do t’i shërbeja jo partisë sime, pasi po ta them që ikja juaj do të ishte dëmtim për Partinë Socialiste.

Së fundi, po ju them se keni delirin e madhështisë, që shkodrani e shpreh me dy llafe: “Mos të hyftë vetja në qejf!” Mos kaloftë kjo te Partia Demokratike!”, do të deklaronte ndër të tjera Ruçi.

Ky paralajmërim i 35 viteve më parë nga Gramoz Ruçi mund të ketë ngacmuar shpesh kujtesën e atyre deputetëve demokratë që ishin atë ditë në sallë, por që patën një rrugëtim tjetër nga Berisha në PD. Prej shumë vitesh ata nuk janë më në PD, as në politikë. Nuk është as Gramoz Ruçi prej më shumë se 5 vitesh, ndërsa Berisha vazhdon të qëndrojë në krye të Partisë Demokratike, edhe pse kjo parti vazhdon të shënojë rekorde në humbje elektorale të njëpasnjëshme. Edi Rama dhe PS janë në pushtet prej gati 13 vitesh, duke kaluar përmes dhjetëra skandalesh korrupsioni, të cilat në një vend me standardet minimale të demokracisë do të duhej të ishte rrëzuar dhjetëra herë. Përgjatë kësaj kohe skandalesh korrupsioni të qeverisë Rama, opozita veçse zvogëlohet gjithnjë e më shumë.

Kemi dëgjuar shpesh këto kohë kritika të Berishës dhe elitës aktuale të opozitës se Rama vazhdon të qëndrojë në pushtet falë situatës në PD dhe lidershipit të saj. Për shumë prej tyre, argumenti i humbjeve të njëpasnjëshme të opozitës lidhet pikërisht me praninë e Berishës në krye të opozitës… shumë pak e dinë apo e mbajnë mend se këtë e ka menduar dhe paralajmëruar Gramoz Ruçi në vitin 1991, në atë kohë një prej drejtuesve kryesorë të PPSH, që kishte pak muaj që ishte riemërtuar Partia Socialiste e Shqipërisë. Koha vërtetoi në shumë momente “profecinë” e Gramoz Ruçit, ndoshta për rastësi apo edhe për informacione të bazuara që ish-ministri i Brendshëm kishte për kundërshtarin. Berisha u zgjodh president pak muaj më pas dhe ata demokratë themelues të PD-së që u angazhuan fort në atë seancë kundër Gramoz Ruçit, shumë shpejt do ta gjenin veten jashtë partisë, të përjashtuar. Ndërsa PD do të ecte në një rrugëtim dobësimi gjithnjë e më shumë deri sot, kur në seli drejton ende Sali Berisha dhe atje nuk ka më themelues, madje nuk janë më as përfaqësues të rëndësishëm të gjeneratave të PD-së në 35 vjet.

Arben Imami - Faleminderit zoti Kryetar i seancës!

“Deklaratë e grupit të deputetëve të Partisë Demokratike.

Në seancën e djeshme zotërinjtë deputetë patën rastin të dëgjojnë fjalën e anëtarit të udhëheqjes së lartë të Partisë Socialiste, zotit Ruçi, i cili sulmoi një grup deputetësh të Partisë Demokratike. Duke shkelur normat më elementare të etikës dhe praktikës parlamentare, ai kërkoi largimin nga skena politike të zotit Berisha dhe fyu rëndë zotërinjtë Ceka dhe Hajdari. Kur deklaron me kompetencë se zoti Berisha nuk do të bëhet President, ai zbulon veten si një ndër pjesëtarët e asaj mafieje politike që ka marrë përsipër të përcaktojë presidentët e Shqipërisë. Nëse deri tani ai dhe grupi i tij e kanë pasur këtë mundësi, duhet që të mos mendojë se do të vazhdojë ta ketë edhe në të ardhmen. Insinuata e tij tregon shqetësimin e tyre dhe nuk mbështetet në asnjë fakt. I kujtoj ish-Ministrit të Brendshëm që të drejtën e zgjedhjes nuk mund t’ia mohojë asnjë qytetari shqiptar dhe se zoti Ruçi qëllimisht mashtron, sepse Partia Demokratike nuk ka paraqitur asnjë kandidaturë për President, çka e detyroi Partinë e Punës të Shqipërisë të organizonte spektaklin për zgjedhjen e Presidentit me një kandidaturë të dytë.

Për sa i përket kërcënimit të tij për largim të zotit Berisha nga skena politike nëse vazhdon manifestimet, ne deklarojmë se manifestimet paqësore të popullit janë shprehje dhe fitore të demokracisë dhe se i takon Partisë Demokratike të vendosë për mjetet e rrugët ligjore për realizimin e aspiratave demokratike, si dhe të zgjedhë drejtuesit e saj.

Kur sulmon deputetët e PD-së, zoti Ruçi dhe të tjerë duhet të dinë se nuk varet prej tyre, prej prapaskenave e diktateve të tyre, se kë nxjerr në krye lëvizja demokratike popullore apo skena politike shqiptare dhe kë largon ajo. Grupi i deputetëve të Partisë Demokratike dënon frymën antidemokratike që zoti Ruçi dëshiron të fusë në Parlament, metodat e punës së organizatorit të antimitingjeve, ish-Ministrit të Punëve të Brendshme, të implikuar në masakrën e Shkodrës, të njeriut që njeh botën e krimit dhe hesht, që janë të papranueshme për Parlamentin Shqiptar. Po të niseshim nga identiteti i tij nuk do të ndaleshim, por do të donim të dinim nëse ai shpreh njëkohësisht edhe mendimin e udhëheqjes së lartë të Partisë Socialiste dhe të grupit parlamentar të saj. Falemnderit!”

***

Gramoz Ruçi - Më thatë që jam i parinovuar dhe i implikuar me të kaluarën. Gaboheni! Unë dy-tri gjëra do të thosha. Në qoftë se do të krahasohem unë me doktor Saliun, afërsisht sa vjeç jam unë, ju zoti Sali keni si anëtar i Partisë së Punës. Prandaj si ka mundësi që ndërsa babai paska të drejtë të rinovohet, të birit i mohohet ajo?! Si ka mundësi që ju paskeni të drejtën morale të rinovoheni, kur për një kohë shumë të gjatë keni luftuar (ti dhe unë) kundër shfaqjeve liberale, kundër pantallonave të gjera dhe fustaneve të shkurtra e flokëve të gjata, kurse unë që mbaja kauboj e favorite dhe ti m’i ke shkurtuar, s’paskam të drejtë të rinovohem?! Unë i kompromentuar me bllokmenët? Deklaroj se në asnjë shtëpi të tyre nuk kam qenë. Kurse ju keni qenë i pranishmi i tyre, i keni shërbyer detyrës, i keni shërbyer partisë në pushtet, keni kryer një detyrë, keni bredhur kryeqyteteve të Europës, keni pjesën tuaj në ato shpenzime të bëra dhe unë s’jua kam thënë asnjëherë. Unë i kompromentuar e ju jo? Habitem! Unë i kompromentuar, kur fëmijët e mi nuk kanë parë më shumë se dy-tri qytete të Shqipërisë dhe banoj në qytetin modest të Tepelenës, kurse fëmijët tuaj mund të kenë bredhur kryeqytetet e Europës, si dhe klinikat e Vjenës apo të Parisit? Si ka mundësi? Kjo s’vete. Ju i rinovuar e unë jo? Unë i kompromentuar e ju jo? Unë bllokmenët i kam parë vetëm në ekranin e televizorit, vetëm kaq kam pasur të drejtë, kurse ndonjë tjetër që bërtet e flet këtu, ka pasur shumë të drejta dhe ka përfituar nga privilegjet e tyre. Kurrsesi nuk e pranoj atë.

Më quajtët mafie politike. Nuk ia vlen të merrem me këtë punë. Do të shprehesha me llafin e mençur që është vënë në gojë të aktorit të mirënjohur Kadri Roshi: “Gërmo, o Tare, gërmo!”. Megjithatë përgjigjen do ta gjeni te shprehja e popullit: “O Balo, të ngrëntë tenja, e ke shejtanin brenda”. Gërmoni se do ta gjeni, po as tek unë dhe as te radhët e deputetëve të Partisë Socialiste. U mërzitët pse unë thashë që nuk mund të zgjidheni president. Shumë qenkeni shqetësuar ju, kurse unë deri sot isha pishman për atë llaf, kurse sot bindem se e paskam pasur mirë që e paskam thënë. Po mos u mërzit, se ju, zoti Sali, Presidentin aktual ligjitim të Shqipërisë e keni shpallur agjent të serbëve dhe ne si përfaqësues të Partisë Socialiste nuk kemi bërë asnjë deklaratë. Kurse unë deklarova këtu se ju s’mund të jeni Presidenti i ardhshëm i Shqipërisë dhe ju shqetësoheni. Unë nuk kam ndonjë gjë. Përsëri do të të respektoj në qoftë se ti do të fitosh imunitetin e popullit. Fitofsh, zoti Sali, deklarata ime mos u realizoftë, mua nuk më ngelet qejfi.

Jeni mërzitur së fundi se thashë të ikë nga skena politike. Pse e thashë unë që të ikë nga skena politike? Zoti Sali, të kujtoj se sa herë në këtë sallë ju dhe përfaqësuesit tuaj keni deklaruar që të ikë nga skena politike Partia Socialiste e ne përsëri kemi heshtur. Dje unë thashë të ikë një përfaqësues i një partie nga skena politike e juve ju mërziti. Rregullat e lojës këto janë. Unë thashë se do t’i shërbeja Partisë Demokratike me këtë mendim, do t’i shërbeja demokracisë shqiptare, do t’i shërbeja jo partisë sime, pasi po ta them që ikja juaj do të ishte dëmtim për Partinë Socialiste.

Së fundi, po ju them se keni delirin e madhështisë, që shkodrani e shpreh me dy llafe: “Mos të hyftë vetja në qejf!” Mos kaloftë kjo te Partia Demokratike!

***

Sali Berisha - Zoti Kryetar,

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Fushatën e egër të shantazhit, terrorit, kurtheve, intrigave, shpifjeve e thashethemeve kundër Partisë Demokratike dhe meje të përgatitura nga mafia e kuqe shqiptare, Partia e Punës e Shqipërisë, e rinovuar socialiste, urdhëroi dje ish-Ministrin e saj të Brendshëm, zotin Gramoz Ruçi, të më kërcënojë dhe do që të më largojë nga skena politike shqiptare. Kjo deklaratë e zotit Ruçi, nuk më çudit aspak. Ajo provon se pas dështimeve, kurtheve, prapaskenave të ulëta, kupola e kuqe duket se ka marrë një vendim të ri, të cilin deputeti Ruçi, si ish-Ministër i Brendshëm në kohën e puçit të Shkollës së Bashkuar dhe i implikuar në masakrën e Shkodrës, ia bëri të ditur Parlamentit Shqiptar. Me këtë rast i deklaroj zotit Ruçi dhe atyre që e kanë shtyrë atë se vendimi i shpallur dje nuk më shqetëson dhe nuk më dekurajon aspak. Unë në të vërtetë nuk e njoh veten për trim, por në luftën dhe përpjekjet e mia për demokraci as nuk jam tutur, as nuk do të tutem. Kush të dojë le të mprehë hanxharët e krimit. As kërcënimet tuaja të djeshme, zoti deputet, as shpifjet dhe insinuatat e tipit bolshevik të zotit Ramiz Alia nëpërmjet zëdhënësit të tij të shtypit sot nuk më trembin, përkundrazi këto të gjitha së bashku më shumëfishojnë forcat dhe energjitë në luftën dhe përpjekjet e mia kundër pushtetit, platformave, politikave dhe intrigave komuniste, në luftë për pajtimin kombëtar, luftë në të cilën e kam konsideruar dhe e konsideroj si të shenjtë të drejtën e secilit për t’u ndryshuar dhe s’ia kam mohuar e s’do t’ia mohoj kurrë këtë të drejtë asnjë njeriu. Natyrisht s’do të pranoj kurrë hipokrizinë për dëshpërim.

Përveç këtyre, dua të theksoj këtu se Partia Demokratike që në themelimin e saj, me të gjithë forcën e saj, ka luftuar për lirinë e lëvizjes. Madje e ka bërë këtë edhe kur ti zoti Ruçi urdhëroje komandantët e postave me cilësinë e sekretarit të parë të vrisnin të rinjtë shqiptarë në kufi, edhe kur Ramiz Alia urdhëronte të vriteshin ata që kalonin kufirin në emër të lirisë së lëvizjes. Këtë të drejtë Partia Demokratike e njeh si një të drejtë universale, e njeh si një të drejtë për fshesaxhiun e për Presidentin, për të gjithë. Në këtë aspekt tingëllojnë boshe dhe bolshevike deklaratat e zëdhënësit të Presidentit sot se Partia Demokratike ka shprehur xhelozi ndaj udhëtimeve të tij. I rikujtojmë atij dhe juve, zotërinj deputetë, se gjatë 20 vjetëve Presidenti ynë i nderuar doli vetëm dy herë jashtë shtetit në udhëtime pune, ndërsa në këtë periudhë brenda një jave ai udhëtoi dy herë dhe ne s’kemi xhelozi për kërrkënd. Por ne kemi shprehur shqetësimin tonë dhe përsëri insistojmë në atë se vizita e tij në Turqi dy ditë para zgjedhjeve të përgjithshme ishte një vizitë që nuk ka se si të mos shqetësojë forcat e vërteta demokratike në Shqipëri dhe në Turqi. Personalisht kam respektin më të madh për politikanët e shquar turq dhe i uroj sukses edhe një herë në fitoren e tij zotit Demirel. Vizita e zotit Alia ishte jashtëzakonisht e pavend. Ajo duhej të bëhej dhe mund të bëhej pas zgjedhjeve në këtë vend ose në një periudhë tjetër. Për atë që njeh dhe respekton etikën demokratike, në asnjë mënyrë kjo nuk mund të pranohet.

Së fundi dua të ndalem në një pikë të veçantë, në atë të ndryshimit. Zoti Gramoz në asnjë rast, në asnjë rrethanë nuk mund të flasë kurrë për një qëndrim timin se unë pengoj njeri për të ndryshuar. Në asnjë mënyrë. E drejta e ndryshimit është një e drejtë e shenjtë. Që në fillim kemi deklaruar se këtë të drejtë ia uronim ta gëzonte edhe Partia e Punës. Por për fat të keq ajo humbi emrin, ndërroi kostumin, kurse zakonet po i vazhdojnë prapë disa nga ju kriptokomunistët në këtë sallë që fituan nën terror, nën frikën që ushtruan, njëri prej të cilëve jeni dhe ju zoti Ruçi dhe ju rikujtoj se gjatë qenies suaj si Ministër i Brendshëm shumë shqiptarë humbën jetën, të tjerë u torturuan burgjeve. Më çudit gjakftohtësia me të cilën folët në këtë tribunë. Falemnderit shumë!/ Tema