FIER- Me një meshë solemne që zgjati mbi tre orë dhe pjesëmarrjen e qindra besimtarëve, në Fier u mbajt ceremonia e 10-vjetorit te themelimit të Mitropolisë si dhe Fronëzimi i Mitropolitit, Imzot Nikolla.
Liturgjia hyjnore u drejtua nga Kryepiskopi Joan, së bashku me Sinodin e Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale.
“Në këto 10 vjet shikohet një ndryshim jashtëzakonisht i madh. Kështu dua të përgëzoj Mitropolitin e Fierit, Imzot Nikollën për punën e tij. Ka bërë një punë të lavdërueshme dhe kjo është një dhuratë për qytetin e Fierit, për gjithë kishën dhe për gjithë vendin tonë”, tha Kryepiskopi Joan.
Pas dhjetë vitesh funksionimi, Mitropolia e Fierit tashmë ka dhe godinën e saj të re, e cila do të shërbejë si qendër për veprimtarinë administrative dhe kishtare.
Kryepiskopi Joan theksoi rëndësinë e ketij përvjetori, si moment reflektimi mbi historinë e Kishës nga martirët e hershëm deri në ditët e sotme.
“Jubileu është një thirrje jo vetëm thjesht fizike, por një thirrje shpirtërore për të medituar, për të kujtuar të tjerët, sepse ne duhet t'i shmangemi asaj kulture që të gjithë mendojnë sikur fillon viti zero dhe ata që kane qene para e kanë bërë punen keq. Ne ndërtojmë në vazhdën e të gjithëve atyre qe kane kontribuar me pare sepse kisha ka një vazhdimesi”, theksoi ai.
Kryepeshkopi Joan u ndal edhe te zhvillimet e fundit në botë dhe konflikti ne lindjen e mesme.
“Nëse do ketë një paqe reale, duhet te jete një paqe e brendshme, një paqe shpirtërore. Sepse paqet që varen nga kushtet, nga kushtet gjeopolitike, nga interesa të ndryshme, ato mund të prishen shumë shpejt siç e shikojmë cdo dite. Vetëm një paqe e thellë shpirtërore mund të paqëtojë njerëzit njëri me tjetrin”, u shpreh kreu i kishës ortodokse.
Fieri ka nje numër të lartë kishash dhe manastiresh dhe një popullsi të konsiderueshme të besimit ortodoks duke u renditur i treti në shkallë vendi pas Korces dhe Beratit.
Komente











