Në tryezën në restorantin buzë gjolit në Pogradec, të zotët e shtëpisë janë vetëm ata. Saimir Kodra, ndër prezantuesit kryesorë të shoët të përnatshëm televiziv të shqiptarëve në Top Channel, është zgjedhur nga drejtori Filip Çakulli, ti përshëndesë të gjithë.
"Jemi bashkë 10 vjet, dhe gjithë kjo punë nuk do të bëhej dot pa ndihmën e çmuar të gazetarëve, kameramanëve, montazhierëve, shoferëve, velinave, drejtorit Filip Çakulli, pra të gjithëve bashkë" thotë Sajmiri, i cili nuk harron të përmendë edhe ndihmën e përvitshme të dhënë nga bashkia e Pogradecit për organizimin e kësaj feste, në prag të festave të fundvitit, pikërisht ditën e Verës që është një festë e veçantë për qytetin. E në fakt, ndoshta binomi mes festës së Fiksit dhe Verës, i ka dhënë më shumë vlera kësaj të fundit.
Fiks Fare
10 vjet më parë, ideja lindi me Tanin e Topit. Për një emision investigativ, i cili, të mos kishte asfare influencën as të drejtuesit të emisionit. E kjo gjë, është meritë e atij njeriu, me vizionin dhe largpamësinë e transmetimeve të tij në Top Channel. Ndoshta Tani këtë 10 vjetor të Fiksit, do ta kishte shijuar më shumë se çdokush tjetër, jo vetëm se është emisioni që nuk di të bëjë ndonjë "deal" me kërrkënd, porse është emisioni që nxjerr lakuriq të vërtetat e Shqipërisë së varfër që vidhet nga të pasurit. Filip Çakulli, ndonjëherë kujton me dashamirësi, me notat e humorit që nuk i lë asnjëherë, atë ditë kur Tani e kishte thirrur në zyrë për të folur për disa çështje që i pëlqenin, e disa të tjera që nuk i pëlqenin.
E Filipi, pasi e kishte dëgjuar, i thotë se kishte shumë punë për të bërë: Aaaa, i përgjigjet Tani, ti me një emision paske shumë punë, unë që kam gjithë këtë televizion, s'kam punë fare". E pas kësaj e kupton realisht se ai kishte një ide dhe një vizion, për të cilin punoi, dhe i kushtonte shumë kohë nga koha e tij e punës emisionit Fiks Fare. Pas 10 vjetësh, çunat e gocat e Fiksit krenohen me atë që kanë arritur dhe atë që kanë bërë. Pas 10 vitesh, ai është bërë një ndër emisionet më të dashura për shqiptarët. Pas 10 vjetësh, e gjejnë veten në një tjetër terren, aty ku kanë "ngërthyer" pas vënies përpara përgjegjësisë qeveritarët e lartë e zyrtarët e vegjël, njerëz të korruptuar dhe ata që shtyjnë të tjerët në korrupsion, njerëzit e varfër dhe abuzimin e të pasurve... gjithçka, si në një ditë normale të Shqipërisë, kalon në rrjetën e duhur, Fiks siç duhet të kalojë.
Kanë shpërndarë shumë rrota, për VIP-a, por ama kanë marrë edhe shumë urime nga njerëzit e thjeshtë, edhe ata pogradecarët, që i përshëndesnin një pas një, të gjithë me radhë, duke u ndalur së pari te Sajmiri e Doktori, si pjesa e dukshme e këtij emisioni, për t'i uruar dhe përshëndetur për punën e tyre.
Të ftuarit
Ceremonia festive e organizuar në Pogradec, të ngjan më shumë me një darkë familjare, edhe për faktin se ata janë organizuar kështu. Por, veç kryetarit të Bashkisë, i cili është ndër bashkëorganizuesit e aktivitetit, me një orë vonesë, i nisur drejtpërsëdrejti nga një takim për ngritjen e strukturës së FRD në Tiranë, vjen ish Presidenti Bamir Topi, i shoqëruar nga Sali Shehu. E për të gjithë, situata në tavolinën kryesore bëhet më serioze. Por jo për djemtë e vajzat që mbajnë gjallë shpirtin dhe frymën e atij emisioni. Ata me politikanë e VIP-a harxhojnë kohën nga mëngjesi deri në darkë. Dhe nuk e kanë për gjë të shohin të vërtetat në sy. Ndaj ndihen të pashqetësuar për ardhjen e kreut të FRD. Ia marrin një valleje shtruar, si me këngë korçare e myzeqare, aq edhe me këngët e Tiranës a vallet e dibrës e të Kukësit. Dhe orët e para të mëngjesit, i gjejnë të gjithë aty bashkë. Në një ditë "off" për atë që kaluan, por në një ditë pune për atë që do të vij.
Post festa
Nëse mendon se Denisa Haxhiaj, kryeredaktorja e Fiksit, është duke shijuar darkën, cilido mund ta ketë gabim. Organizimi i makinave, ndarja e gazetarëve dhe kameramanëve, filmimet dhe organizimet që duhet të kryejë gjithsecili ditën post-festë, është puna kryesore që në 9 të mëngjesit, kur të gjithë janë të përgjumur, dhe ende nuk u ka dalë dehja nga festa e një dite më parë. E pra, që në mëngjes, fillojnë regjistrimet e fundvitit në Fiks Fare. Disa prej të cilave po bëhen në Pogradec, e disa të tjera do të zhvendosen te Shtëpia e Flamurit në Vlorë ditën e sotme. Thjesht, festa mbaroi, 10 vjetori mbetet, prestigji i emisionit po ashtu, armata e tërë e gazetarëve, operatorëve, montazhierëve, monitoruesve, shoferëve, atyre që rriskojnë duke vendosur kamerat e fshehta, do të vazhdojë, e sipas Sajmirit, duke menduar edhe për 10 vjetorë të tjerë.
Shkrimi u publikua në gazetën Shqiptarja.com(print), 23 dhjetor 2012
(ad.ti/shqiptarja.com)