100 ditë afat për t’i ndryshuar ‘fytyrën’ e Policisë, Rrumbullaku takon drejtorët vendor: Mos komandoni nga zyra, dilni në terren

100 ditë afat për t’i ndryshuar ‘fytyrën’ e Policisë, Rrumbullaku takon drejtorët vendor: Mos komandoni nga zyra, dilni në terren

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku me drejtorët vendorë

TIRANË- Në një kohë që afati i vendosur në dispozicion, po mbaron nga dita në ditë,  Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku ka zhvilluar takime me strukturat e drejtorive vendore të Policisë, ku iu ka bërë edhe një herë të qarta se cilat janë objektivat kryesore.

Rrumbullaku ka theksuar se ndryshimin e vizionit me qëllim vendosjen e një standardi të ri në punën e strukturave të Policisë së Shtetit është objektivi kryesor dhe kjo kërkesë llogarie nga ana e tij do të jetë e njëjtë deri ditën e fundit që do të jetë në këtë detyrë.

“Angazhimi, përkushtimi, profesionalizmi, realizimi i detyrave, prioriteteve dhe objektivave të përcaktuara më parë dhe atyre të vendosura në kuadër të 100 ditëve, do të jenë të vetmit faktorë që do të përcaktojnë vijimesinë tuaj në detyrë.

Ndryshoni menjëherë metodologjinë e punës, duke filluar nga drejtori e deri te shefi i seksionit, mos komandoni nga zyrat por dilni në terren, kontrolloni, mbështesni, ndihmoni dhe orientoni shërbimet që keni në varësi, për të përmbushur sa më mirë detyrën në shërbim te qytetarëve. Kërkoj impenjim maksimal dhe profesional, për hetime të thelluara, duke bashkëpunuar me prokuroritë respektive dhe agjencitë ligjzbatuese.

Intensifikoni masat, me qëllim zbardhjen e ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura më parë. Intensifikoni kontrollet në terren, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve nakotike në terren të hapur dhe në ambiente të mbyllura. Grumbulloni informacion për lokalizimin dhe mundësoni kapjen e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri ose me lëndë narkotike. Krimi ekonomik të zhvillojë hetime proaktive kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave”, tha drejtori i Policisë së Shtetit, ku në takim ishin drejtuesit vendorë të policisë në Vlorë, Gjirokastër, Fier, Berat, Lezhë dhe Shkodër, si dhe me strukturat e drejtorive vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Gjirokastër dhe Shkodër.

Rrumbullaku iu është drejtuar edhe përfaqësuesve të Policisë Rrugore, ndaj të cilëve kërkon një përmirësim të komunikimit të efektivëve, si edhe përqendrimi i punës te pajisjet teknologjike. Që do të thotë të shmangin kontaktet e drejtpërdrejta me qytetarin.

“Të përmirësohet sa më parë komunikimi i shërbimeve të Rendit dhe i shërbimeve të Policisë Rrugore, me qytetarët. Policia Rrugore të vërë në përdorim teknologjinë dhe të shmangë kontaktet me përdoruesit e rrugës. Monitoroni akset rrugore nacionale, rurale dhe qendrat e banuara, me mjetet inteligjente dhe ndëshkoni maksimalisht shkeljet që janë burim potencial për ngjarje rrugore me pasoja për jetën dhe shëndetin”, tha Rrumbullaku.

 Krimet në familje, ankesat e qytetarëve, rendi në shkolla dhe krimet e kufirit, janë të tjera tema për të cilat, Rrumbullaku iu ka kërkuar përgjegjshmëri totale në punën e tyre të përditshme.

“Të ndiqen me rigorozitet dhe të trajtohen me përgjegjshmëri e profesionalizëm rastet e dhunës në familje, në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera përgjegjëse, me qëllim parandalimin e krimit në familje. Të trajtohen me seriozitet ankesat dhe problematikat që adresojnë qytetarët deri në zgjidhjen e tyre, si dhe të informohen qytetarët për zgjidhjen e ankesës apo për mënyrën si duhet adresuar ankesa e qytetarit që të gjejë zgjidhje.

Të merren masa për garantimin e rendit dhe sigurisë në shkolla, duke zbatuar me përpikmëri planin e masave për këtë qëllim. Të bashkëpunohet me stafet drejtuese të shkollave, oficërët e sigurisë në shkolla, psikologët dhe bordet e prindërve, me qëllim parandalimin e depërtimit të fenomeneve kriminale në ambientet e shkollave, si dhe për zgjidhjen në kohë të konflikteve midis nxënësve apo midis tyre dhe personave të jashtëm.

Parandalimi dhe goditja e krimeve mjedisore të jenë ndër prioritetet parësore të punës së strukturave vendore të Policisë.

Të luftohen krimet ndërkufitare, ato që mund të zhvillohen nëpërmjet detit, kufirit të gjelbër apo nëpërmjet pikave të kalimit kufitar. Të rritet efikasiteti i goditjes së veprimtarive kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, trafikimit të mjeteve motorike, kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë dhe të dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta për kalim të paligjshëm të kufirit, të cilët hyjnë ilegalisht në vendin tonë, përmes kufirit të gjelbër me shtetin grek”, ka përfunduar fjalën e tij, Rrumbullaku.

Rumbullaku mori zyrtarisht detyrën në 8 shtator pas shkarkimit të Gledis Nanos, e ndërsa ai ka një afat prej 100 ditësh të vendosura nga kryeministri Edi Rama, me qëllim ndryshimin e metodologjisë së punës së Policisë së Shtetit.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Albfire: 13/09/2022 18:15

    Ndryshim fytyre, kur ne fakt na duhet ndryshim palce! Komplet shtylla kurrizore duhet ndryshuar. Nejse, 100 dite kohe nuk jane shume per kete te shkretin dhe sigurisht vetem “fytyra” mund te ndryshoje… Si pershembull: Nuk lejohet mjekra se ajo ishte pengesa per krimet. Meqe per drejtuesin aktual pamja ka shume rendesi, a i ka thene njeri ketij qe grada qe po pedor eshte ajo ceremoniale dhe jo e perditshmja?! Jo per gje po edhe kjo ka te beje me pamjen dhe krimi po ben kerdine me kete!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Aksident në Korçë/ Makina përplas biçikletën, 1 plagosur

Aksident në Korçë/ Makina përplas biçikletën, 1 plagosur