Ministri Veliaj, e vlerësoi projektin e financuar nga Komisioni Evropian dhe që do të zbatohet nga Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, si një hap i rëndësishëm në zbatimin e modelit dual gjerman në shkollat tona profesionale.
“Nëse shikojmë atë që ndodhi në BE, kriza ekonomike erdhi si një zile alarmi dhe na bëri të kuptojmë se vendet e vetme që nuk u prekën prej saj ishin vendet gjermanike, të cilat kishin bërë një zgjedhje inteligjente: u fokusuan tek arsimi profesional dhe sistemi dual, sipas të cilit gjysmën e kohës nxënësit e kalojnë në shkollë dhe gjysmën pranë një kompanie. Pikërisht, këtë po bëjmë ne sot”, tha ministri Veliaj.
Ai u shpreh se 100 të rinj do të kenë mundësinë të kualifikohen në mjediset mësimore në shkolla dhe njëkohësisht në mjediset e punës në biznese në sektorin e hoteleri-turizmit, duke kontribuar me punën produktive, energjitë dhe motivimin tyre.
“Modeli gjerman që po zbatojmë është i panegociueshëm. Çka do të thotë se bordet e shkollave duhet të plotësohen me përfaqësues të biznesit dhe të fillojë zbatimi në terren i praktikës së çirakërisë”, shtoi Veliaj duke vënë në dukje se kjo është ministria e parë, e cila fitoi një projekt të tillë pas riformatimit të programit Erasmus.
Nikolla: Programi, mjet thelbësor për përmirësimin e cilësisë së universiteteve shqiptare
Më herët, nga Ministrja Nikolla, e pranishme në këtë akitivtet e cilësoi këtë program si një ndër mjetet thelbësorë për përmirësimin e cilësisë së universiteteve shqiptare dhe aktualisht po synohet koordinimi i këtyre projekteve me reformën në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.
“Aktualisht synohet koordinimi i projekteve për rritjen e cilësisë në universitetet shqiptarë të programit Erasmus Plus me reformën në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Këtë koordinim e lehtëson edhe vetë programi Erasmus Plus përmes një sërë mundësish në formën e projekteve strukturorë. Duke koordinuar mundësitë e ofruara nga Erasmus Plus me kuadrin e politikave publike që qeverisin arsimin e lartë, këto projekte nuk do të jenë thjesht histori suksesi të disa studentëve apo pedagogëve të veçantë, por do të jenë një bazë e re e shëndetshme për të shënjuar një cilësi të re në universitetet tona”, u shpreh Nikolla.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, tha se së shpejti ligji i ri i arsimit të lartë, do të debatohet nga grupet e interesit e në të njëjtën kohë në fund të muajit janar, do të kalojnë në procesin e akreditimit nga agjencia britanike, të gjitha IAL-të në vend.
“Ne tani jemi në një moment të ri, jo vetëm me ligjin e ri të arsimit të lartë, që ju dhe gjithë grupet e interesit do të keni mundësi ta debatoni, por njëherësh universitetet shqiptare në fund të janarit e në fillim të shkurtit do të kenë një përvojë të re që vjen nga një agjenci e njohur britanike, anëtare e ENQA, e cila do të mundësojë procesin e akreditimit të të gjitha IAL-ve publike dhe private. Në të njëjtën kohë mundësohet edhe një histori e re edhe për agjencinë tonë të akreditimit, në mënyrë që ne të kemi në vitet në vijim mekanizmat e duhur sipas standardeve të BE-së për të siguruar cilësi në arsimin e lartë”, tha Lindita Nikolla.
Gjosha: S'ka integrim në BE pa arsim cilësor
Ndërkohë, Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, bëri prezantimin e udhëzuesit duke theksuar se Shqipëria nuk mund të integrohet në Bashkimin Europian, pa arsim cilësor, pa të rinj të aftë, pasi është pikërisht ky brezi që do të na garantojë vazhdimësinë e këtij procesi.
“Sot më shumë se asnjëherë më parë, investimi në dije, është investim për të ardhmen. Me ndihmën e partnerëve tanë, duhet tu krijojmë të rinjve kushtet më të mira dhe tu japim mundësitë që ata të ecin përpara, pasi vetëm kështu mund të çojnë përpara Shqipërinë”, tha ministrja Gjosha.
Ministrja falenderoi Delegacionin Europian dhe veçanërisht Projektin e mbështetjes së Procesit të Integrimit në BE,(SMEI3), për përgatitjen e këtij udhëzuesi, një ndihmë e çmuar për rininë shqiptare.
“Mundësitë ekzistojnë gjithmonë, por ndonjëherë mungesa e informacionit, apo informacioni jo i duhur, na mbyllin dritare të cilat do të na ndryshonin jetën. Ndaj informimi do të vijojë të jetë prioritar jo vetëm në çdo hap që vendi hedh për procesin e integrimit, por për çdo dritë jeshile që u hap rrugën mbi të gjitha të rinjve shqiptarë”, tha ministrja Gjosha.
Propozimi për projektin Erasmus+ “Skema e praktikës profesionale për punësueshmërinë e të rinjve në Shqipëri” paraqitur nga Komisioni Europian është hartuar me asistencën teknike të Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, GIZ në Shqipëri. Partneriteti midis Agjencisë Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve dhe Institutit për Trajnimin Profesional të Hamburgut (HIBB) ka nisur pas marrëveshjes së bashkëpunimit të firmosur në Qershor të vitit 2014 nga Ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj, përfaqësuesve të HIBB dhe GIZ.
Erasmus + do të sigurojë 14.7 miliardë euro për një periudhë 7-vjeçare për forcimin e arsimit, trajnimit, risinë dhe sporteve në Evropë.
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)