100 vite çiklizëm shqiptar, ekspozitë me foto të kampionëve! Ministrja: Jubileu i çiklizmit vjen me “Giro d’Italia” në Shqipëri

I ka kaluar të 70-at dhe është një ndër çiklistët më të moshuar në vend. Edmond Tufina e kujton edhe sot kur për herë të parë, në moshën 17-vjeçare u bë pjesë e ekipit të Tiranës. Biçikleta me të cilën ai garonte ishte një “Favorit” çeke, ndërkohë që personi që e shtyu drejt kësaj rrugë ishte çiklisti i njohur, Xhavit Gazheli.

“Bënim stërvitje Tiranë-Burrel. Tiranë-Durrës e Tiranë-Elbasan ishte e përditshme, ndërsa njëherë në javë shkonim në Korçë. Më kollaj e kisha të shkoja me biçikletë se me makinë. Kur shkova ushtar më mori ekipi i ‘Flamurtarit’. Aty u bëra sprintjer i padiskutueshëm.”,- kujton Tufina për “Report TV”, ndërsa shton se në atë periudhë ishin mbi 100 veta që merreshin me çiklizëm.

Tufina është vetëm një nga ata që kanë shënjuar historinë e çiklizmit në Shqipëri, histori që shënon 100-vjetorin e saj dhe për këtë arsye, mesditën e kësaj të premtje është çelur një ekspozitë me fotografi nga arkiva historike e Federatës Shqiptare të Çiklizmit (FSHÇ). Pjesë e kësaj ekspozite janë edhe fotografi të Marubit të vitit 1897, por edhe çiklistë shqiptarë në vitet 1900 e 1901 për të vijuar më tej në vitin 1925, kur rrethi i parë çiklistik filloi një garë amatore të çiklizmit. 

“Ky jubile përkon edhe me një ngjarje të jashtëzakonshme që ndodh në Shqipëri këtë vit, një evenimet ndërkombëtar që është Giro d’Italia, hapja e madhe, që do të zhvillohet në Shqipëri në datat 9,10 dhe 11 maj. Sigurisht është ngjarje e jashtëzakonshme e vendos Shqipërinë në fokus të rëndësishëm përsa i përket turizmit dhe shërbimit ekonomik.”, - thotë Ogerta Manastirliu, Ministre e Arsimit dhe Sportit.

“Sporti është një aset shumë i çmuar në duart e qytetarëve shqiptarë. Është imazhi më i mirë që ka Shqipëria në botë nëpërmjet këtyre figurave. Sot kanë ardhur tre breza të çiklizmit ndër vite, kampionë të jashtëzakonshëm që janë në sallë.”, - thotë Fidel Ylli, Kryetar i Komitetit Olimpik Shqiptar.

Skënder Anxhaku, president i Federatës Shqiptare të Çiklizmit vërejti se pjesë e ekspozitës janë të gjithë çiklistët kampionë të Shqipërisë ndër vite.

Pjesë e këtyre fotove janë emra të njohur të sportit shqiptar, si: Palok Nika, Bilal Agalliu, Besnik Musaj, Agim Tafili etj.

B.G/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 15 Mars, 07:27

    A mendoni se SPAK po e heton siç duhet masakrën e Gërdecit?



×

Lajmi i fundit

Lista e zezë e Trump, synon masa të rrepta udhëtimi për qytetarët e 41 vendeve

Lista e zezë e Trump, synon masa të rrepta udhëtimi për qytetarët e 41 vendeve