2026-ta shënon një shekull të krijimit të monedhës dhe kartëmonedhës së parë shqiptare, puna për të cilën nisi qysh kur u krijua Banka Kombëtare e Shqipërisë në 1925-ën.

“Në vitin 1926 fillon hedhja në qarkullim për herë të parë e serisë së parë të kartëmonedhës shqiptare me dy prerje, 5 franga dhe 20 Franga Ari. Ndërkohë disa muaj më vonë në muajin maj u hodh në qarkullim edhe kartëmonedha 100 franga ari”, shprehet Erinda Çaushi, përgjegjëse e sektorit të komunikimit në BSH.

Monedhat e serisë së parë në 1926-ën, ishin 12 prerje nga franga, qindar-leku dhe lek’ në forma dhe materiale të ndryshme.

“Paralelisht me kartëmonedhat u hodhën në qarkullim edhe monedhat metalike të konceptuara në disa prerje të ndryshme dhe metale të ndryshme duke filluar nga metali i zakonshëm por edhe metal i çmuar argjend dhe ar",- thotë Çaushi.

Në 100 vite janë hedhur në qarkullim një sërë seri kartëmonedhash e monedhash, që vinin gjithnjë si pasqyrim i zhvillimeve të kohës.

"Monedha kombëtare gjithmonë ka qenë pasqyra më e drejtpërdrejtë e zhvillimeve ekonomike dhe politike të kohës. Ka reflektuar gjithmonë ato ndryshime apo le të themi trajta të ndryshme që ka pasur ekonomia dhe shteti shqiptar",- thotë Çaushi.

Prerja më e vogël në monedhë sa i takon historikut të Shqipërisë është 0.05 lekë, që ka qarkulluar gjatë kohës kur Shqipëria ishte nën pushtimin italian.

“Historia e numizmatikës shqiptare njeh si nominalin më të vogël prerjen 0.05 lekë e emituar në vitin 1940. Ikonografia e kësaj monedhe në një krah paraqet mbretin Viktor Emanuelin e tretë, ndërsa në krahun tjetër një degë lisi dhe monedha shprehet në të dy gjuhët, Shqipni, Albani, pikërisht për të reflektuar edhe këtë realitet historik”,- shton përgjegjëse e sektorit të komunikimit në BSH.

Në një shekull të jetëgjatësisë së Bankës së Shqipërisë, 1965-sa ende nuk po ‘venitet’ në jetën e përditshme, viti kur ‘lindi’ zakoni i të emërtuarit të parasë ‘lekë i vjetër dhe lekë i ri’.

“Në vitin 1965 u ndërmor reforma tjetër ku shteti shqiptar redenominoi monedhën kombëtare dhe kaluam nga 10 lekë të vjetër në një lekë të rinj dhe ky është më tepër një zakon gjuhësor që ka mbetur në përditshmërinë tonë financiare, kryesisht në bisedat e përditshme që ne bëjmë, por dhe në disa kontekste tregu kur bëjmë blerje të vogla”,- thotë Çaishi.  

Është thjeshtë ‘lek’ thotë Banka as i vjetër dhe as i ri.

“Monedhë kombëtare është lek dhe njësia monetare shkruhet vlera njësoj siç është në kartëmonedhë. Kjo është edhe vlera që duhet të përdorim të gjithë ne në jetën tonë të përditshme”,- deklaron përgjegjëse e sektorit të komunikimit në BSH.

Seria e fundit e kartëmonedhave me 6 prerje, ku për herë të parë u fut prerja 10 mijë lekë nisi të hidhej në qarkullim në vitin 2019 dhe u përmbyll në 2022-shin.