100 vjet Banka e Shqipërisë. Institucioni më i rëndësishëm financiar në vend Banka e Shqipërisë kremton këtë tetor 100 vjetorin e krijimit. Banka lindi si ide fillimisht e Sami Frashërit, u vijua me perpjekje nga Ismail Qemali, projekt qe u ndërpre në vitin 1913 nga Lufta e Dytë Botërore dhe u krijua në vitin 1925. 

“Vizioni për krijimin e një banke kombëtare u artikulua për herë të parë, në vitin 1899, nga rilindësi ynë i madh Sami Frashëri, i cili nënvizoi se sovraniteti i vërtetë kërkon institucione të afta për të garantuar pavarësinë ekonomike të vendit. Këtë ide e përqafoi dhe e çoi përpara Ismail Qemali, themeluesi i Shtetit Shqiptar. Përpjekjet fillestare të qeverisë së tij u vijuan nga qeveritë pasuese dhe u kurorëzuan me themelimin e ‘Bankës Kombëtare të Shqipnis’ në vitin 1925. Kjo bankë shërbeu si banka e parë kombëtare e vendit; ajo krijoi sistemin e parë monetar kombëtar, mbi bazën e standardit të arit dhe, në vitin 1926, hodhi në qarkullim monedhën e parë kombëtare, Frangun Ar dhe nënfishin e tij Lek”, tha guvernatori Gent Sejko, në konferencën e 100 vjetorit.

Në një shekull banka ka përjetuar disa faza të ndryshme transformimi. Ndryshimi i dytë ndodhi në vitin 1945 thotë guvernatori Gent Sejko.

“Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, kursi i ri politik i shtetit komunist u shoqërua me masa të shpejta shtetëzimi. Në janar 1945 u anulua koncesioni i Bankës Kombëtare të Shqipnis dhe u krijua Banka e Shtetit Shqiptar. Gjatë thuajse pesë dekadave pasuese, kjo e fundit i shërbeu ekonomisë së centralizuar, si instrument kontrolli dhe administrimi ekonomik. E megjithatë, pavarësisht kontekstit politik, Banka e Shtetit Shqiptar mbeti një bërthamë e çmuar e ekspertizës ekonomike dhe financiare”, tha Sejko.

Banka e Shqipërisë u kthye në bankë qendrore pas tranzicionit të viteve 90’, dhe ka pasur rol të rëndësishëm në kapërcimin e krizës së 97-ës.

“Në prill të vitit 1992, Banka e Shqipërisë u riformatua si një bankë qendrore, e ngarkuar me objektiva të stabilitetit makro-financiar dhe funksione mbikëqyrëse e rregullatore. Gjatë tre dekadave pasuese, ajo ka adoptuar një kuadër modern të politikës monetare, të bazuar në regjimin e inflacionit të shënjestruar dhe të kursit të lirë të këmbimit. Po ashtu, ajo ka arritur një shkallë të lartë konvergjence me normat mbikëqyrëse dhe praktikat rregullatore të Bashkimit Evropian; ka ndihmuar në zhvillimin e tregjeve financiare; ka ndërtuar një sistem efecient pagesash; ka investuar në edukimin financiar; si dhe ka ndërtuar një proces efektiv dialogu me partnerët vendas e të huaj dhe publikun e gjerë. Një dëshmi po aq domethënëse e përmbushjes së misionit të saj, është fakti se me përjashtim të turbulencave politike e sociale të vitit 1997 – ekonomia shqiptare nuk ka njohur kriza të mirëfillta financiare apo kriza të bilancit të pagesave”, tha Guvernatori.


Lajmi kryesor:

Konferenca për 100 vjetorin e Bankës së Shqipërisë, Rama: Institucion që na përfaqëson të gjithëve, të shohë me kurajo edhe ndaj risive