TIRANË - Kryeministri Edi Rama, i cili po merr pjesë në Konferencën shkencore me rastin e 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë, tha se ky institucion mund të quhet me plot gojën si i tillë. Kreu i qeverisë tha se nuk është e lehtë që një gjë e tillë të thuhet për institucionet e tjera të vendit që janë në ndërtim e sipër.
"Duke ardhur në këtë moment celebrimi mendoja se Banka e Shqipërisë është në mos i vetmi ndër shumë të paktit institucione të republikës tonë që mund të quhet i tillë me plot gojën, institucion. Në atë kuptim dhe me ato standarte që kemi parasysh kur flasim për institucionet që i duhen një vendi, dhe që bëjnë që ky vend përmbush kriteret e të qenit një vend në botën e zhvilluar dhe në tryezën e familjes evropiane.
Nuk është e lehtë të thuhet e njëjta gjë për plot institucionet e tjera që janë në formim e sipër. Do të ishte vërtet e dobishme që historia e zhvillimit dhe e përpjekjeve të Bankës së Shqipërisë për t’u fokusuar dhe konsoliduar si institucion të merrje përsipër dhe të shkruhej për t’u dhënë të tjerëve një pasqyrë të gjithë rrugës se si u ngrit një institucion i tillë, i cili është plotësisht i integruar në botën ku jetojmë.", tha Rama.
Sipas kryeministrit, Banka e Shqipërisë sot, teksa ka hyrë në shekullin e dytë të "jetës", përballet me një hartë të re nga ajo që u vendos në fillim kur u krijua. Sfida e Bankës, tha kryeministri, është e dyfishtë, duke marrë parasysh faaktin se duhet të shohë përtej të sotmes dhe shumë më larg në të ardhmen, por gjithashtu duhet të vazhdojë të tregojë se është në lartësinë e duhur për funksionin e saj historik.
Duke u ndalur te zhvillimet teknologjike, kryeministri tha se banka, krahas politikës monetare, duhet që të ndërtojë mekanizma të rinj kontrolli por shtoi se duhet të "përqafojë" edhe faktet e reja që vijnë nga këto zhvillime, që siç shtoi ai, "nuk i kontrollojmë dot por duhet të bëjmë çmos që të mos na kontrollojnë".
"Nga ana tjetër, dua shumë të shpresoj dhe besoj që Banka qendrore, ashtu sikundër ka kapacitetet që të qetësojë dhe garantojë duke pas krijuar një besim që nuk është tipik në opinionin publik shqiptar lidhur me institucionet do të mundet që edhe të rinovojë dhe shohë me kurajo ato risi që sjell e përditshmja në zhvillimet e teknologjisë dhe do të mundet të ruajë ekuilibrat duke u shtyrë përpara zhvillimin dhe moslejuar që gjithë këto potenciale të jashtëzakonshme që sjell zhvillimi i teknologjisë dhe hyrja në jetët tona të AI të mbeten jashtë rrezes të veprimtarisë së saj të përditshëm.", shtoi kryeministri.
Banka e Shqipërisë ka emetuar monedhën përkujtimore pa kurs ligjor “100 vjet Banka e Shqipërisë, 1925-2025”. Monedha simbolizon rëndësinë e institucionit të Bankës së Shqipërisë dhe përkujton ngjarjet kryesore që kanë shënuar zhvillimin e saj ndër vite.
Në shpinë, në të majtë qëndron portreti i një djali me veshje popullore të Shqipërisë së mesme, i konfiguruar në kartëmonedhën e parë të emetuar në vitin 1926 dhe në të djathtë, portreti i poetit dhe atdhetarit Asdreni i konfiguruar në kartëmonedhën 10000 Lekë, emetimi më i fundit i Bankës së Shqipërisë.
Ndërsa, në faqe, monedha paraqet logon e 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë dhe përreth ravijëzohen data historike për bankingun qendror shqiptar.
100 vjet Banka e Shqipërisë. Institucioni më i rëndësishëm financiar në vend Banka e Shqipërisë kremton këtë tetor 100 vjetorin e krijimit. Banka lindi si ide fillimisht e Sami Frashërit, u vijua me perpjekje nga Ismail Qemali, projekt qe u ndërpre në vitin 1913 nga Lufta e Dytë Botërore dhe u krijua në vitin 1925.
“Vizioni për krijimin e një banke kombëtare u artikulua për herë të parë, në vitin 1899, nga rilindësi ynë i madh Sami Frashëri, i cili nënvizoi se sovraniteti i vërtetë kërkon institucione të afta për të garantuar pavarësinë ekonomike të vendit. Këtë ide e përqafoi dhe e çoi përpara Ismail Qemali, themeluesi i Shtetit Shqiptar. Përpjekjet fillestare të qeverisë së tij u vijuan nga qeveritë pasuese dhe u kurorëzuan me themelimin e ‘Bankës Kombëtare të Shqipnis’ në vitin 1925. Kjo bankë shërbeu si banka e parë kombëtare e vendit; ajo krijoi sistemin e parë monetar kombëtar, mbi bazën e standardit të arit dhe, në vitin 1926, hodhi në qarkullim monedhën e parë kombëtare, Frangun Ar dhe nënfishin e tij Lek”, tha guvernatori Gent Sejko, në konferencën e 100 vjetorit.
Në një shekull banka ka përjetuar disa faza të ndryshme transformimi. Ndryshimi i dytë ndodhi në vitin 1945 thotë guvernatori Gent Sejko.
“Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, kursi i ri politik i shtetit komunist u shoqërua me masa të shpejta shtetëzimi. Në janar 1945 u anulua koncesioni i Bankës Kombëtare të Shqipnis dhe u krijua Banka e Shtetit Shqiptar. Gjatë thuajse pesë dekadave pasuese, kjo e fundit i shërbeu ekonomisë së centralizuar, si instrument kontrolli dhe administrimi ekonomik. E megjithatë, pavarësisht kontekstit politik, Banka e Shtetit Shqiptar mbeti një bërthamë e çmuar e ekspertizës ekonomike dhe financiare”, tha Sejko.
Banka e Shqipërisë u kthye në bankë qendrore pas tranzicionit të viteve 90’, dhe ka pasur rol të rëndësishëm në kapërcimin e krizës së 97-ës.
“Në prill të vitit 1992, Banka e Shqipërisë u riformatua si një bankë qendrore, e ngarkuar me objektiva të stabilitetit makro-financiar dhe funksione mbikëqyrëse e rregullatore. Gjatë tre dekadave pasuese, ajo ka adoptuar një kuadër modern të politikës monetare, të bazuar në regjimin e inflacionit të shënjestruar dhe të kursit të lirë të këmbimit. Po ashtu, ajo ka arritur një shkallë të lartë konvergjence me normat mbikëqyrëse dhe praktikat rregullatore të Bashkimit Evropian; ka ndihmuar në zhvillimin e tregjeve financiare; ka ndërtuar një sistem efecient pagesash; ka investuar në edukimin financiar; si dhe ka ndërtuar një proces efektiv dialogu me partnerët vendas e të huaj dhe publikun e gjerë. Një dëshmi po aq domethënëse e përmbushjes së misionit të saj, është fakti se me përjashtim të turbulencave politike e sociale të vitit 1997 – ekonomia shqiptare nuk ka njohur kriza të mirëfillta financiare apo kriza të bilancit të pagesave”, tha Guvernatori.
Në fjalën që mbajti në Konferencën shkencore për 100-vjetorin e Bankës së Shqipërisë, guvernatorei Gent Sejko renditi disa sfida me të cilat përballet banka. Sipas tij, sfida e parë ka të bëjë me rritjen e tensioneve politike në botë, gjë që ka ndikuar edhe në ekonomitë e vendeve jo të prekura.
Po ashtu, sipas tij, një tjetër sfidë është edhe inovacioni financiar që po ecën me ritme të shpejta. Ai tha se inovacioni ka përfitime por sjell edhe një sërë rreziqesh. Një sfidë e tretë, tha Sejko, është edhe stadi i zhvillimit të Shqipërisë dhe implikimet që ka për modelin e rritjes në të ardhmen. Sejko thotë se Shqipëria, si një vend me të ardhura të mesme, është e ekspozuar ndaj një konkurrence më të fortë.
"Sfida e parë është rritja e tensioneve gjeopolitike në ambientin e huaj. Rikonfigurimi i zinxhirëve të prodhimit botëror, si dhe rritja e barrierave tregtare, janë tashmë një realitet i ri ekonomik. Ky realitet dëmton ekonomitë në zhvillim në dy mënyra. Së pari, ai frenon alokimin efektiv të resurseve në nivel global e rajonal, duke reduktuar aftësinë e vendeve në zhvillim për të tërhequr investime dhe kapital të huaj. Së dyti, ai rrit volatilitetin dhe pasigurinë, duke frenuar investimet afatgjata dhe duke detyruar vendet në zhvillim të forcojnë rrjetet e tyre të sigurisë, fenomen i cili – natyrisht – ka kostot e veta.
Sfida e dytë është inovacioni i shpejtë financiar. Gjatë dekadës së fundit jemi bërë dëshmitarë të një revolucioni të shpejtë financiar, i cili ka potencialin të transformojë rrënjësisht vetë këtë industri. Digjitalizimi i vazhdueshëm i sistemeve të pagesave, evoluimi i shpejtë dhe rritja e përdorimit të teknologjisë blockchain, të aseteve digjitale dhe të financës të decentralizuar, ka përfitimet dhe rreziqet e veta. Përfitimet e inovacionit vijnë nga reduktimi i kostove dhe zgjerimi i aksesit në financë, çka rrit eficiencën e industrisë financiare dhe kontributin e saj në zhvillimin e vendit. Nga ana tjetër, rreziqet potenciale burojnë si nga ndikimi negativ që ky inovacion ka në modelin e biznesit dhe bilancet e ndërmjetësve tradicionalë financiarë, ashtu edhe nga eksperienca e pakët e rregullatorëve, publikut të gjerë, por edhe e operatorëve të kësaj industrie.
Sfida e tretë ka të bëjë me vetë stadin e zhvillimit të Shqipërisë dhe implikimet që ky stad ka për modelin e rritjes në të ardhmen. Si një vend me të ardhura të mesme, Shqipëria është tashmë e ekspozuar ndaj një konkurrence më të fortë për kapital e fuqi punëtore në tregun evropian. Po ashtu, Shqipërisë i duhet të bazojë gjithnjë e më shumë modelin e saj të zhvillimit te rritja e produktivitetit, inovacioni, si dhe identifikimi dhe zhvillimi i avantazheve të saj krahasuese. Kjo sfidë e fundit bëhet edhe më e komplekse në prani të trendeve të pafavorshme demografike - në Shqipëri, rajon e më gjerë -, të cilat vendosin një premium të lartë për fuqi punëtore të kualifikuar.", tha Sejko.
Sejko u ndal edhe te roli që ka Banka qendrore në procesin e integrimit.
"Banka e Shqipërisë dhe sektori bankar shqiptar kanë pasur e do vijojnë të kenë një rol të madh në këtë proces. Si kryesuese e dy Grupeve Ndërinstitucionale të Punës për Integrimin Evropian për 2 kapituj të Acquis dhe si kontribuuese e qenësishme në 6 kapituj të tjerë, Banka e Shqipërisë është pjesë integrale e procesit të negociimit. Në të njëjtën kohë, puna që kemi bërë për konvergjencën rregullatore dhe integrimin e sistemit financiar shqiptar me atë evropian, proces i cili shënoi së fundi një arritje të madhe me anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA, ka shërbyer si promotor i integrimit të gjithë ekonomisë shqiptare.", shtoi ai.
Komente










