TIRANË- Presidenti Ilir Meta i ka qëndruar idesë se 3 shtatori, që përkon me ditën kur u larguan pushtuesit italian nga Vlora, duhet shpallur festë kombëtare.

Kreu i shtetit, shprehet se lufta e Vlorës i dha fundin e merituar projekteve për shpërbërjen e Shqipërisë, teksa ka vlerësuar figurat historike për veprën heroike.

"Gëzuar 3 shtatorin, ditën madhështore që jetësoi pavarësinë e Shqipërisë! Sot, 100 vjet më parë, populli shqiptar i bashkuar në Luftën Kombëtare të Vlorës u dha fundin e merituar projekteve për shpërbërjen e Shqipërisë, duke hedhur në det pushtuesit dhe i dalë zot vendit, pas muajsh luftimesh heroike.

“Nuk qe vetëm nderi dhe shpëtimi i Vlorës por qe nderi dhe shpëtimi i tërë Shqipërisë”. Mirënjohje të gjithë luftëtarëve të lirisë, kapedanëve që komanduan, mjekëve që shëruan plagët, atyre që hartuan ultimatumin dhe atyre që e zbatuan atë me gjakun e tyre, në mbrojtje të fitoreve të Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit e që dëshmuan se Zot i kësaj toke janë vetëm shqiptarët.

Nderim veprës heroike, sakrificave sublime dhe kujtimit frymëzues të atdhetarëve, të cilët shkruan epopenë e lavdishme të Luftës së Vlorës!

Ndaj çdo 3 Shtator dhe çdo 28 Nëntor çdo shqiptar kudo ndodhet, ndihet edhe vlonjat, sepse këtu në Vlorë u bë historia, këtu u ngrit Flamuri Kuq e Zi, këtu u nënshkrua liria, këtu u jetësua Pavarësia dhe kjo ndodhi me gjakun e bijve më të mirë të kësaj toke. 3 shtatori duhet shpallur festë kombëtare", shkruan Meta.