Tirana nuk është vetëm kryeqyteti i një vendi, është metropoli i sferës shqiptare në Ballkan. Për këtë Epidamn Zeqo parashtron disa të dhëna mbi “moshën” e kryeqytetit, që këtë vit feston 100-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet.
Sa e vjetër është vërtet Tirana?
Sa vjeç është Tirana? 100, 400, 1000-vjeçare? Tirana këtë vit mbush vetëm njëqind vite si kryeqyteti i Shqipërisë. Sot, Tirana nuk është vetëm kryeqyteti i një vendi; është metropoli i sferës shqiptare në Ballkan, që gjithashtu përfshin Kosovën, shtetin e dytë shqiptar në Europë; është poli magnetik për diasporën e rëndësishme shqiptare.
Edhe para se qyteti të caktohej si kryeqytet në vitin 1920, Tirana ishte një qendër urbane e zhvilluar, prandaj nuk është rastësi që u zgjodh të ishte qendra që përfaqëson kombin shqiptar. Tirana tashmë konsiderohet nga pothuajse të gjithë si një nga qytetet më të bukura e më të veçanta në Europën juglindore dhe më gjerë. Por sa e vjetër është në të vërtetë
Tirana si një qendër urbane?
Në një mënyrë jashtëzakonisht konvencionale, Tirana konsiderohet të jetë vetëm 406-vjeçare si qendër urbane. I ndjeri Dr. Moikom Zeqo, babai im, e ka quajtur këtë tezë një 'absurditet shkencor'. "Gjoja ky themelim qenka bërë nga Sulejman bej Mulleti për shkak të një kumti mbinjerëzor nga një ëndërr që paska parë një fshatar nga Mulleti, bari delesh – teksti i ëndrrës nuk ruhet – dhe Sulejman bej Mulleti ka parandier se do të vinte më pas një dekret sulltanor nga Stambolli për të lejuar ndërtimin e një qyteti të ri...Legjenda e dytë është akoma më bizare dhe e pabesueshme: Sulejman bej Mulleti ka dashur një qytet të bukur si Teherani dhe paska zgjedhur emrin Tiranë.”
A duhet të bazohet e vërteta në mite pa bazë?
Shkencërisht, historia e Tiranës është shumë herë më e lashtë se shekulli i 17-të. Ekzistojnë dy referenca kryesore. E para është një referencë arkeologjike: zbulimi i një ndërtese me një mozaik që daton nga shekulli II-III pas Krishtit. Ky mozaik i mrekullueshëm është pasaporta antike e Tiranës (dhe qendër turistike që duhet të vizitohet nga të gjithë). Mozaiku i Tiranës konfirmon tezën se Tirana ishte një vicus (njësia më e vogël administrative romake) të qytetit antik të Durrësit.
Referenca e dytë vjen nga historiani shqiptar Marlin Barleti, i cili ka përjetësuar "veprat dhe heroizmin e Gjergj Kastriot Skënderbeut". Ai shkruan për emrin e Tiranës dhe klasifikon dy vendbanime me toponime: Tirana e Madhe dhe Tirana e Vogël. Kjo tregon se në shekullin XV Tirana njihej si një pikë lidhëse midis kështjellave të Dorzit, Krujës, Prezës, Dajtit dhe Petrelës.
Për të formuar një ide gjithëpërfshirëse të Tiranës, Moikomi theksonte tezën e albanologut kroat, Milan Shuflaj. Në studimet e tij, Shuflaj flet për zonat gjeografike shqiptare si qendra kryesore që nga antikiteti i hershëm. Zhvillimi i Tiranës përcaktohet nga pozicioni i saj gjeografik; e ndërtuar në rrëzë të Malit të Dajtit, Tirana ndodhet në ndërlidhjen e rrugëve kryesore nga Durrësi në Shkodër dhe Elbasan në Gjirokastër dhe Korçë. Ky pozicion strategjik e bën Tiranën kryeqytetin e përhershëm të Shqipërisë. Nga të gjitha qytetet shqiptare, Tirana përfaqëson strukturën më të madhe dhe më të pazëvendësueshme urbane.
Ka shumë shpjegime në lidhje me emrin Tirana. Por shpjegimi i dhënë nga studiuesja shqiptaro-amerikan Safete Juka duket më shkencori. Sipas arsyetimit të saj, emri i Tiranës ka të bëjë me një rrënjë shumë të lashtë "Tir" ose "Tur", që do të thotë pika rreth së cilës përqendrohet një hapësirë e gjerë. Sipas Jukës, emri Tirana lidhet edhe me emrin e kryeqytetit fenikas, Tir.
Roli i Tiranës si kryeqytet është stimulues dhe një rol që ka të ngjarë të zgjasë përgjithmonë. Prandaj, është i nevojshëm një libër shkencor për origjinën e Tiranës, kështu që gjeneratat e ardhshme të formojnë një kuptim gjithëpërfshirës dhe kritik të kryeqytetit të tyre. Edhe turistët (dhe guidat) do të përfitonin nga një libër i tillë. Fëmijët dhe të rinjtë janë të hapur për të ndryshuar; ata kanë dëshirë të mësojnë të vërtetën, e cila është e lashtë dhe e bukur.
Tani që Tirana ka fituar titullin Kryeqytetit i Rinës Europian për vitin 2022, është mundësi e përsosur për të sfiduar mitet me fakte. Unë kam shkruar më parë se çfarë do të thotë ky titull për rininë e Tiranës, veçanërisht për sa i përket integrimit kulturor me bashkëmoshatarët e tyre në Bashkimin Europian. Tirana nuk është vetëm kryeqyteti i Shqipërisë dhe metropoli i kombit shqiptar, por është padyshim një qendër e vërtetë dhe e pazëvendësueshme Europiane.
(Epidamn Zeqo është Drejtori Ekzekutiv i Institutit Moikom Zeqo për udhëheqjen e talenteve të reja të guximshëm në Shqipëri dhe në rajon).
Teherona, ashtë 101 vjece.
Përgjigju