11 dhjetori nuk shënon vetëm ditën e lindjes së Partisë Demokratike, por edhe 4 vite nga i ashtë-quajturi rithemelim i saj. Më 11 dhjetor të 2021 Sali Berisha, do të niste një lëvizje për rimarrjen e selisë blu, që u pasua me një seri përplasjesh me atë që aso-kohe drejtonte PD-në Lulzim Bashën, jo vetëm në gjykatë, por edhe në një përplasje civile që njihet si më e ashpra në luftën për pushtet brenda së njëjtës parti.

***

"Demokratët meritojnë të shkojnë në fitore, rroftë partia demokratike e themeluar". Kështu do të deklaronte Sali Berisha mesditën e 11 dhjetorit të 2021, i shpallur non grata vetëm pak muaj më parë dhe i pezulluar më pas nga grupi parlamentar nga Lulzim Basha, nisi një betejë të hapur, ndoshta më e ashpra në histori në një forcë politike për rimarrjen e Partisë, të themeluar në të njëjtën datë të vitit 1990.

Premtimi kryesor i tij ishte ta bënte PD më të fortë, më të hapur dhe më të bashkuar, slogan që do ta shoqëronte atë, në të gjithë sagën që do të niste nga stadiumi ‘Air Albania’ për marrjen e selisë blu. Kuvendi i Rithemelimit u prezantua si rikthim te “vlerat themeluese” të PD-së, në një kohë kur kriza e brendshme kishte arritur pikën e vlimit.

Kuvendi i 11 dhjetorit krijoi dy realitete paralele brenda së njëjtës parti, që do të pasohej me konflikte të vazhdueshme dhe një retorike përçarëse, ndarje të grupimeve parlamentare dhe një betejë për vulën dhe legjitimitetin, që do të zgjaste më shumë se dy vite.

Një situatë e nderë e cila kulmoi me përplasjen e dhunshme të 8 janarit 2022 në selinë e PD-së. Berisha udhëhoqi rrethimin dhe sulmin ndaj Bashës dhe mbështetësve të tij të ngujuar në zyrat e partisë

Atë që nuk arriti ta marrë me forcë, do ta realizojë disa javë më pas. Ndërsa Basha ka dhënë dorëheqjen, një vendim i diskutueshëm i gjykatës së Tiranës, nga Agron Zhukri, që njeh Kuvendin e Rithemelimit dhe statutin e ri, i hapi rrugën për të rimarrë kontrollin dhe të selisë.

Saga ligjore e vulës mori fund më 11 Qershor të 2024, kur Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm vendosi që t’i kthejë ish-kryeministrit Sali Berisha vulën e PD-së.

Me përfundimin e betejës ligjore, dilema mbeti te premtimet për rikthimin e vlerave themeluese të PD-së dhe ngjitjen e saj sërish në pushtet.

Në zgjedhjet e 11 majit, parimi i primareve për përzgjedhjen e kandidatëve, u zbeh. Në lista përfunduan sërish jo më të votuarit, por besnikët e Berishës. Rezultati do të ishte katastrofik.

Katër vjet pas rithemelimit, dilemat e mundshme të demokratëve, nësë partia e tyre nën drejtimin e Sali Berishës është më e fortë, më e hapur dhe më e bashkuar, tanimë qartazi duket se janë shuar.