11 janar 2011- 16 janar 2012, Saga e videopërgjimit

11 JANAR 2011

PUBLIKOHET VIDEO SKANDALI

Emisioni investigative “Fiks Fare” publikon videon ku Ilir Meta, zv kryeministri, i atëhershëm ndodhet në zyrën e ministrit(të atëhershëm) të Ekonomisë dhe i kërkon favore për një tender hidrocentrali dhe disa afera të tjera korruptive. Ndër të tjera bisedë përmenden përqindje apo shifra për 700 mijë euro që sipas zotit Prifti i ishin ofruar në këmbim të nje licence hidrocentrali. Videoja ishte regjistruar nga vetë Dritan Prifti më 1 mars 2010.

REAGON LSI: ISHTE MONTAZH

Pak pas publikimit të videos reagon LSI dhe e quan “Montazh i Edi Ramës. Montazhi është pjellë e korrupsionit dhe krimit.”

12 JANAR 2011

META: VIDEO E MONTUAR NGA RAMA, NUK JAP DORËHEQJEN
Meta del në konferencë për shtyp. E quan videon “të montuar, të pështirë,të neveritshëm.. dhe shantazh për tu ulur në pazare politike me Edi Ramën”. Meta tha se kishte ndërhyrë te Prifti si kryetar I LSI, te një përfaqësues i LSI për ti transmetuar shqetësimin e pronarit Agim Cupi për zvarritje, dhe se shifrat e përmendur në bisedë ishin dëmi që i ishte krijuar kompanisë nga mohimi i licencës. Meta deklaroi se nuk shihte arsye për të dhënë dorëheqjen: “Una do ta jap dorëheqjen, e kam premtuar, por më 28 qershor 2013”

BERISHA HESHT

Berisha bën mbledhje qeverie ku kryefjala ishin projekti i ullirit, mbjellja e drurëve frutore si shega, arra apo lajthia si dhe cmimet e shërbimit celular në vend. Asnjë fjalë për skandalin e videopërgjimit.

PRIFTI KAM VIDEON ORIGJINALE

Prifti në deklaratë për shtyp konfirmon se ai ka versionin original të videos dhe se do tia vinte në dispozicion prokurorisë si dhe të gjithë ambasadave të huaja në vend dhe institucioneve ndërkombëtare “Origjinalitetin dhe vërtetësinë e asaj bisede do kenë mundësi ta vërtetojnë të gjithë” –deklaroi Prifti.

PROKURORIA E TIRANES NIS HETIMET
Prokuroria e Tiranës sekuestron kasetën dhe informon se ka nisur regjistrimin e procedimit penal “për veprën penale të korrupsionit pasiv të funksionarëve të shtetërorë, të korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë si dhe për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.”

RAMA: U PA LLUMI I KORRUPSIONIT, META TË IKË, PD: ISHTE TRUKIM
Rama në një pronocim për shtyp nga selia rozë deklaron: “U pa dhe dëgjua botërisht më zë dhe me figure lidhur me lumin dhe llumin e korrupsionit të Saliut, Ilirit dhe Rulave të këtij pushteti. Në çdo vend, ky episode duhet të kishte sjellë dorëheqjen apo largimin e çdo anëtari të qeverisë”. Reagon dhe PD: Ishte trukim i Edi Ramës

13 JANAR 2011

META: RAMA E PRIFTI BASHKËREGJISORË, PRIFTI DORËZON KASETËN NË PROKURORI
Meta deklaron se Edi Rama dhe Dritan Prifti janë bashkëregjisorë të video-përgjimit që ka për qëllim dëmtimin e figures së tij në prag të zgjedhjeve lokale, të 8 majit. “Eshtë sulm i një klani të qartë mafioz e kriminal që e kontrollon Rama.” Prifti dorëzon në prokurori kasetën origjinale dhe merret në pyetje për gati 4 orë.

14 JANAR 2011

META JEP DORËHEQJEN
Ilir Meta jep dorëheqjen nga posti i zv kryeministrit dhe ministrit të Energjetikës, post të cilin e kishte marrë në shtator 2010, pasi kryesia e LSI në një mbledhje urgjente kishte propozuar ndryshime në qeveri duke lënë jashtë Dritan Priftin. Deri atëherë Meta mbante dhe postin e ministrit të Jashtëm .
“Jap dorëheqjen nga detyrat qeveritare”, deklaroi Meta nga selia e partisë së tij.

BERISHA: DY VENDET BOSH NË QEVERI I MBETEN LSI, RAMA PËRGJEGJËS
Një orë më vonë kryeministri në një konferencë për shtyp deklaron se pranonte dorëheqjen e Metës se koalicioni PD-LSI do të vazhdojë, dhe se postet që ai la do vazhdojnë të jenë të LSI.
“Dua të vë në dukje se Meta nuk iku nga kryeministria me kërkesën e kryeministrit, por paraqiti dorëheqjen e parevokueshme….Meta nuk u përfshi në këtë Pazar, dhe i rezistoi një aleancë punisto-mafioze të kryesur nga Rama të përbërë nga Doshët dhe bosët e krimit, drogës dhe parave të pista”, tha Berisha.

REAGON BECAJ: DISTACOHEM, PS: TË IKË DHE BERISHA
Kryetarja e Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj nëpërmjet një deklarate për shtyp deklaron se s'ka lidhje me aferat që përmenden në video përgjim dhe se emërimi i vajzës së saj në Ambasadë është bërë në bazë të meritave.“Distancohem prerazi dhe në mënyre kategorike nga perfshirja ime si Kryetare e Gjykates se Larte ne kete çeshtje.” Kryetarja e cila e cilëson përmendjen e emrit të saj në videopërgjim nga zv Kryeministri Ilir Meta si “qëndrim jo profesional dhe të njëanëshëm“
PS mbledh Asamblenë Kombëtare dhe kërkon largimin e Berishës.

15 JANAR 2011

PROKURORIA E PËRGJITHSHME KËRKON EKSPERTË TË HUAJ
Prokuroria e Përgjithshme i kërkon Ambasadës Amerikane të sjellë një ekspert, i cili do të ndihmojë njësinë e specializuar Task-Forcë për të vërtetuar autenticitetin e videos. Eksperti duhej ti përgjigjej pyetjeve, nëse ka pasur ndërhyrje në regjistrim, nëse zëri i dy bashkëbiseduesve është ose jo i tyre etj.

17 JANAR 2011

PARLAMENTI MIRATON LARGIMET DHE NDRYSHIMET NË QEVERI, AKUZA TË NDËRSJELLTA
Deklaratat dhe akuzat e ndërsjella kulmojnë në sallën e parlamentit më 17 Janar. Pak orë para fillimit të seancës parlamentare Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekretoi shkarkimin e Ilir Metës nga detyrat si zëvendëskryeministër dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe ngarkon Edmond Haxhinaston me postin e zv kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm dhe Nasip Naçon me postin e Ministrit të Ekonomisë dhe Energjitikës. Parlamenti i miratoi me 73 votat e maxhorancës ndryshimet në qeveri. Opozita nuk mori pjesë në procesin e votimit. Deputetët socialistë qëndronin të gjithë të çuar në këmbë para tribunës ku ulen anëtarët e kabinetit qeveritar, Për mbi tre orë u përfshinë në replika të ashpra me kryeministrin Berisha, Ilir Metën.

18 JANAR 2011

META: VIDEOJA E MONTUAR, PROKURORIA DOTA VËRTETOJË , PRIFTI: ASNJË SEKONDË NUK ËSHTË FSHIRË
Ilir Meta sërish në një konferencë për shtyp deklaron se gjithcka ishte e montuar. Dhe dokumentet që e vërtetonin do i paraqiste në prokurorisë .
“Përgjimi është vetëm një provokim ndaj meje dhe kjo do të vërtetohet nga drejtësia që ishte në të vërtetë një përgjim kriminal i shëmtuar”,
Dritan Prifti del në një konferencë për shtyp. “Asnjë sekondë nuk është hequr nga videoja. Nuk ka nevojë as për prokurorë nga Amerika, as nga Europa. Vetë shqiptarët i shikojnë sekondat në ekran. Aty nuk mungon asnjë second.. ..Me 7 % e 700 mijë euro sido që të përpiqet ai ta justifikojë nuk ka asnjë lloj justifikimi. “Sado të falsifikojë dokumentet qe ka ne Ministri unë kam dosjen time. …Kam bindjen që Meta është i përfshirë në arrestimin e bujshëm të Eduard Belegut pa asnjë arsye ligjore.

19 JANAR 2011

PRIFTI THIRRET NE PROKURORI
Prifti merret në pyetje sërish në prokurorinë e Tiranës. Kryetari socialist do të shprehej se me situatën e krijuar ishin kushtet “për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe zgjidhjen e re politike që do t’i hapë rrugë zgjedhjeve të reja”.

21 JANAR 2011

PS: ZGJEDHJE TE REJA POLITIKE

Kryetari socialist do të shprehej se me situatën e krijuar ishin kushtet “për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe zgjidhjen e re politike që do t’i hapë rrugë zgjedhjeve të reja”. PS organizon demonstratë para kryeministrisë, e cila përfundoi me katër manifestues të opozitës të vrarë pas përplasjeve me policinë, dhe dhjetra të plagosur. PS deklaronte se 21 janari ishte shpërthimi i zemërimit të shqiptarëve për videon Meta-Prifti.

8 SHKURT

PRIFTI NË PROKURORI: PROKURORËT S’KANË DYSHIM PËR VËRTETËSINË E VIDEOS

Prifti thirret sërish në prokurori: “U dhashë prokurorëve gjithë detajet e mia lidhur me këtë hetim. Kuptova që nuk kishte asnjë dyshim nga prokurorët për vërtetësinë e videos, nuk mora konfirmim zyrtar për vërtetësinë, por kuptova se nga ekspertiza që kanë bërë prokurorët, se vidoja nuk është e manipuluar..Kuptova që Meta ka qënë në prokurori ka bërë dëshmi vullnetare dhe ka dhënë sqarime për videon.” deklaroi Prifti

META: EKSPERTIZA VËRTETOI MANIPULIMIN
Meta del në konferencë për shtyp dhe deklaron se videoja i është nënshtruar ekspertizës dhe është vërtetuar montimi. “E kanë hetuar studiot ligjore profesionale. Nga konkluzioni i ekspertve del se në sekuencat filmike ka pasur montim në zë dhe titrat nuk korespondojnë me të. Prokuroria të hetojë më shpejt se janë të gjitha mundësitë.

FILLIMI I SHKURTIT 2011

EKSPERTI AMERIKAN: VIDEOJA NUK ISHTE TJETËRSUAR

Në muajin shkurt të këtij viti eksperti amerikan Glen Bard deklaroi se video që paraqiste Metën duke biseduar me Priftin nuk ishte e tjetërsuar. Ai deklaroi se procesi i tjetërsimit të një video do të ishte shumë i vështirë dhe se në lap topin e Dritan Priftit ai nuk kishte gjetur asnjë program kompjuterik që do të mund ta realizonte këtë tjetërsim.

11 SHKURT 2011


PROKURORIA LETËR KUVENDIT: TI HIQET IMUNITETI METES E PRIFTIT
Prokuroria e Përgjithshme i kërkon kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit për dy deputetë: Ilir Metën dhe Dritan Priftin. Prokuroria e Përgjithshme ka arritur në konkluzionin se ish- zv/kryeministri, Ilir Meta ka kryer veprën penale të korrupsionit aktiv. Ndërsa ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, atë të korrupsionit pasiv. Në kompjuterin personal të Priftit është gjendur edhe një video tjetër ku ai shihet të ndajë me ish zëvendësministrin Leonard Beqiraj një shumë prej 70 mijë eurosh.

12 SHKURT 2011

META: TOPALLI TË AUTORIZOJË HEQJEN E IMUNITETIT
Meta i kërkon kryetares së parlamentit, Jozefina Topalli të autorizojë menjëherë heqjen e imunitetit pa procedurë parlamentare, që prokuroria të mos ketë asnjë pengim për hetimin.

13 SHKURT 2011

META SULMON INA RAMËN, LOJTARE E POLITIKËS
Nga Korca ku ishte për një takim elektoral Meta sulmon Ina Ramën. “Kryeprokurorja nuk mund të jetë lojtare politike pasi ajo përfaqëson organin e akuzës dhe ka për detyrë që çdo akuzë ta bëj mbi prova dhe fakte dhe jo mbi intigra të thurura dhe të bëra në ambjente që nuk kanë lidhje me shtetin. Edhe pse kam rezervat e mia për kryeprokuroren, është detyra e çdo politikani që të bashkëpunojë me prokurorinë”.

16 SHKURT 2011

KUVENDI AUTORIZON PROKURORINE TË HETOJË ILIR METEN
Kuvendi i hap rrugë autorizimit të prokurorisë për hetimin e kreut të LSI-së Ilir Meta. Me 128 vota pro dhe 2 kundër, deputetët kanë votuar pro heqjes së imunitetit. I Hiqet imuniteti dhe Dritan Priftit..

23 MARS 2011

META SULMON SËRISH INA RAMËN

Meta sulmon sërish Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama “Dihet që githçka ka qenë manipulim dhe kjo është vërtetuar nga laborëtarët më të mirë. Prokuroria ka gënjyer parlamentin në informacionet që ka dërguar për këtë cështje. Të gjithë e dinë se për shkak të Ina Ramës prokuroria është përfshirë në një fushatë elektorale”- deklaroi në një konferencë shtypi kreu i LSI-së.

10 MAJ 2011

DOSJA NE GJYKATEN E LARTE
Dosja shkon në gjykatën e lartë. Ish zëvendëskryeministri Meta akuzohet për “korrupsion aktiv dhe abuzim me detyrën”.Kolegji Penal do të ketë si relator gjyqtarin Ardian Dvorani. Ndërsa anëtarë të Kolegjit do të jenë gjyqtarët Besnik Imeraj, Arjana Fullani, Gani Dizdari dhe Guxim Zenelaj.

20 QERSHOR 2011

NIS GJYKIMI , MBROJTJA: HETIMET TE PAVLEFSHME
Përfaqesues ligjor i Metës, kërkuan që të shpallen të pavlefshme hetimet e prokurorise. "Hetimet ndaj Metës janë realizuar pa u marrë më parë autorizimi i Kuvendit", tha avokati. . Ndërkohë që, të papërdorëshme u konsideruan nga mbrojtesi ligjor edhe deklarimet e ish- ministrit te Ekonomisë, Dritan Prifti. Përfaqësuesi i Prokurorisë se Pergjithshme, Bujar Sheshi, kërkoi kohë që të njihet hollësisht me to, për të shfaqur me pas qëndrimin e prokurorise.

27 QERSHOR 2011

PROKURORI: EKSPERTIZA LIGJORE, NUK KA PASUR NDËRHYRJE, PRIFTI TË MERRET NË PYETJE
Përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme, Bujar Sheshi deklaroi se kërkesat e palës mbrojtëse janë të pabazuara në ligj. Sipas tij kërkesat e prokurorisë janë bërë brenda afateve ligjore dhe se ekpertizat e videove janë brenda kohës dhe se në to nuk ka patur ndërhyrje, ashtu sic pretendojnë avokatët e Metës. Prokurori i cështjes argumenton se pretendimi i palës mbrojtëse, se deklarimet e Dritan Priftit nuk mund të merren parasysh nuk kanë bazë ligjore pasi Dritan Prifti nuk është i pandehur për të njëjtën cështje.

11 KORRIK 2011

KOLEGJI PENAL: PRIFTI DO THIRRET SI DËSHMITAR, EKSPERTIZA E TË HUAJVE E JASHTËLIGJSHME
Kolegji Penal i kryesuar nga Adrian Dvorani rrëzon kërkesën e mbrojtjes për pushimin e cështjes penale. Rrëzon edhe atë të mosthirrjes si dëshmitar të Dritan Priftit për shkak se ky i fundit është i pandehur në një cështje që ka lidhje me të, dhe i jep të drejtën prokurorisë për ta patur deputetin si dëshmitar.
Në favor te zotit Meta u dha vendimi për mospranim të aktit të ekspertimit të videoregjistrimit të bërë nga amerikanët dhe britanikët, duke e vlerësuar se ajo ishte kryer jashtë procedurave ligjore.

16 SHTATOR 2011

CAKTOHEN EKSPERTËT SHQIPTARË
Gjykata e Lartë cakton tre ekspertët shqiptarë të cilët do të verifikojnë video-përgjimin Meta-Prifti. Tri pedagogët e informatikës dhe elektronikës Ardian Pollo, Ermal Beqiri dhe Artur Rrahmani caktohen nga gjykata të bëjnë riekspertimin e video-përgjimit ndaj ish-zëvendëskryeministrit Meta. Në shtypin shqiptar përflitet se e kaluara profesionale linte shumë për të dëshiruar.

1 NËNTOR 2011

EKSPERTËT SHQIPTARË: VIDEO META-PRIFTI S’ËSHTË ORIGJINALE

Ekspertët deklarojnë se mund të vërtetonin nëse video ishte e vërtetë. Ka mundësi të mëdha ndërhyrjeje ne materialin video. Ata deklaruan se kishin parë aty shumë video të tjera, por jo këtë ku flitej për një shumë korruptive prej 700 mijë eurosh. Ndërsa sa i takon file-t me videon që ata panë në lap topin e ish Ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti ata nxorrën disa probleme që çuan në përfundimin se sipas tyre video që u bë publike nga Tv Top Channel nuk ishte origjinale.

NËNTOR- DHJETOR 2011
Merren në pyetje dëshmitarët e prokurorisë, dhe të avokatëve mbrojtës si dhe diskutohen provat shkresore. Përvec zotit Prifti, dëshmitarët e tjerë, biznesmenët e lidhur me cështjet për të cilat bisedohet në materialin video, do të mohojnë cdo variant ryshfeti apo ndarje përqindjesh.

16 DHJETOR 2011

PËRFUNDON SHQYRTIMI GJYQËSOR

Kolegji penal i Gjykatës së Lartë pranoi të administrojë të gjitha provat shkresore të dy avokatëve Petrit Serjani dhe Gëzim Veleshnja, mes të cilave edhe kërkesa e Dritan Priftit bërë në vitin 2002, ku ai kërkonte të linte mandatin e deputetit për shkaqe shëndetësore.
U pranuan si prova shkresore edhe dokumentat e paraqitura nga avokatët për ankandin e naftës “Albpetrol”, si dhe një shkresë e ministrit të Brendshëm Bujar Nishani, për mungesën e ekspertizës.
Refuzohet të konsiderojë provë shkresore kërkesën për dëgjimin në sallën e gjykatës dhe transkriptimin e videos “avi 008”, në të cilën shfaqet biseda mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit. Gjykata nuk pranoi si prova të prokurorisë edhe procesverbalet ku flitet se si nisën hetimet duke marrë shkas nga shtypi i përditshëm, mes të cilave kërkoi të depozitoheshin faqe të internetit të disa mediave, si dhe intervista e dhënë nga deputeti Dritan Prifti në emisionin “Top Story” të Sokol Ballës.
Prokurorisë iu pranua procesverbali si marrje prove i laptopit, usb-orës dhe një flashi, si dhe raportet e tabulateve telefonikë, procesverbali nga sistemi TIMS që vërteton se Ilir Meta ka udhëtuar jashtë vendit menjëherë pas bisedës së regjistruar me Priftin, , si dhe procesverbalet për marrjen e dokumentave në QKR, që tregojnë situatën e subjekteve “Vëllezërit Tola SHPK, “Merkaj” dhe “Habilaj Holding SHPK”.
Si edhe dokumenti i dërguar nga Agjencia e Prokurorimit Publik që tregon garën koncesionare për HEC-et në Shushicë, si dhe dokumente të ankandit nga “Albpetrol SH.A”, për shitjen e naftës bruto përgjatë muajve mars-qershor 2010.

5 JANAR 2012

META: CËSHTJA I TAKON SË KALUARËS, PRIFTI: KAM VIDEO TË TJERA
Një ditë para pretencës Meta deklaron se cështja i takon së shkuarës. ”Nuk jam i gatshëm të merrem me çështje tashmë ordinere që i takojnë vitit të kaluar. Jemi këtu për t’u marrë me çështje të mëdha dhe tepër serioze”, komentoi Meta.
Prifti deklaron se do të publikojë video të tjera ku do t’i tregojë me zë dhe figurë vjedhje të reja dhe të vjetra të çiftit Meta-Kryemadhi. “Pasi t'ia mbyllë gjykata me lekë këtë çështje, atij do t'i hapet tjetra menjëherë. Nuk ka burrë që më bën mua shantazh. ".

6 JANAR 2012

 PROKURORI: 2 VJET BURG ILIR METES, AVOKATI: TE MBYLLET CESHTJA
Prokurori i çështjes, Bujar Sheshi kerkoi te deklarohet fajtor Ilir Meta, për akuzen e korrupsionit aktiv të funskionareve te larte shteterore dhe të denohet, me dy vjet burgim dhe nje milion leke gjobë si dhe pagimin e shpenzimeve proceduriale.
Avokatët e Ilir Metës kundërshtuan pretencën e Prokurorisë dhe kërkuan pushimin e çështjes ndaj klientit të tyre. Në konkluzionet e tyre, avokatët pretendojnë se akuza e Prokurorisë nuk vërtetohet.

7 JANAR 2012

META: PROKURORIA MË ZHGËNJEU, UNË LUAN PRIFTI MI MOCALESH

Nga Shkodra Meta e quan pretencën politike dhe të pabazuar në prova. “Kjo cështje është ajo e standarteve të dyfishta për qëllime politike të prokurorisë. Ka qenë një pretencë e mbështetur në asnjë fakt, në asnjë provë, në asnjë dëshmmitar. Një pretencë vetëm politike. Zbythja e prokurorisë ka qenë e konsiderueshme, nga Janari vjen dënim me vdekje, tani dënim me disa miliona lekë se ata nuk rrinë dot pa venë gjoba”
Kreu i LSI-ë u pyet edhe për ish aleatin e tij, Driftan Prifti “Nuk mund të ndeshet një luan me një mi mocalishtesh se ai mund të ketë pirë një gotë raki dhe për një moment i duket vetja i gjithëfuqishëm”

8 JANAR 2012

PRIFTI: ILIRI TARTABIQ I FRYRË ME GJAK, JO LUAN
Në kundërpërgjigje të deklaratës së Ilir Metës, Prift deklaron se Ilir Meta nuk është një luan, siç pretendon, por një tartabiqe e fryrë me gjak që rrezikon ta shtypë po ajo mollaqe që i dha gjakun.”
Prifti hedh dyshime për dhënien e një vendimi të drejtë e të pavarur nga gjyqtarët e Gjykatës së Lartë më 16 janar. “Xha Braho ka blerë një Benz të ri që kur ka filluar gjyqi i Ilir Metës. Mund që Benza të blejën dhe disa gjyqtarë nga kjo histori, por është e sigurtë që Metën sot e shohin me përbuzje e neveri të gjithë. Dikush mendon ti marrë disa euro më shumë tani që është në hall kurse të tjerët, shumica e shqiptarëve, presin drejtësi. Dhe drejtësi do të ketë.”

11 JANAR 2012

BERISHA: META SËRISH NË QEVERI NËSE LSI PROPOZON

Berisha, për herë të parë shprehet publikisht mbështetjen për aleatin në qeverisje, duke premtuar se do të ishte gati ta rikthente në qeveri, nëse këtë e propozonte LSI-ja. Për shumëkënd deklarata e Berishës në një intervistë në ABC, duke mbrojtur publikisht Metën u konceptua si presion i hapur ndaj Gjykatë së Lartë, katër ditë para dhënies së vendimit për ish-zv.kryeministrin."Ka pasur probleme të drejta me Prokurorinë, e cila ka mashtruar Parlamentin me dokument, por ky është kapitull tjetër. Pavarësisht nga kjo, nuk ka asnjë keqardhje nga heqja e imunitetit të Metës, sepse të dhënat e mëvonshme kanë faktuar katërcipërisht se Parlamenti është mashtruar, nuk iu tha e vërteta për ato çështje.  Meta gjersa të jepet vendimi është i pafajshëm, ky është prezumimi i pafajësisë.A do të jetë Meta pas vendimit të Gjykatës në qeveri apo jo, kjo është çështje e LSI-së dhe jo çështje imja. Është çështje e asaj partie aleate që unë bashkëqeverisë"

12 JANAR 2012

BERISHA NË SHTËPINË E METËS

Rreth orës 19.00 të mbrëmjes, eskorta e makinave qeveritare ndaloi në fund të rrugicës që devijon përballë shumëkatëshit "Sky Toëer" në zonën e ish-bllokut. Vizita e kryeministrit Berisha ishte e para që bëhet në shtëpinë e Ilir Metës.

13 JANAR 2012

RAMA: BERISHA PARALAJMEROI MBYLLJEN 
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama akuzon kryeministrin se po bën presion mbi gjyqtarët për të arkivuar dosjen. Rama deklaroi se takimi i kryeministrit Berisha me ish-zv.kryeministrin Ilir Meta, zhvilluar mbrëmë në shtëpinë e këtij të fundit, është një “kërcënim” për sistemin e drejtësisë.
“Në daljen e parë të këtij viti kryeministri dëshmoi hapur presionin. Ai ka goditur me një gjuhë mafioze prokurorinë dhe ka paralajmëruar arkivimin e cështjes Meta duke dhënë provën e radhës së korrupsionit në qeveri”- nënvizoi Rama.

BERISHA: VERA E METËS ËSHTË E MIRË
Në pritjen e zhvilluar për mediat Berisha i pyetur nga gazetarët për takimin theksoi se ushqimi dhe vera kishin qenë mbresëlënëse. “Meta më kishte ftuar në një darkë që unë nuk mund ta refuzoja. Unë me Ilir Metën takohem në fakt çdo 3-4 ditë. Ushqimi ishte i shkëlqyer, por vera ishte edhe më e mirë, ishte e shkëlqyer”

14 JANAR 2012

TAKIMI I DYTË BERISHA META
Takimi u zhvillua në ambientet e hotel “Rogner” në Tiranë. Në takim mori pjesë edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Asnjë deklaratë publike.

16 JANAR

JEPET SOT VENDIMI
Gjykata e Larte shpall te pafajshem Ilir Meten: Nuk ka prova për të vërtetuar veprën penale. Vendimi për pafajësinë u mor unanimisht nga 5 gjyqtarët e Kolegjit Penal.    

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, ndërron jetë 65- vjeçari