TIRANË- Një protestë e thirrur nga Foltorja, s’është gjë tjetër veçse një retorikë e vjetër e cila mban vetëm një slogan, “rrëzimin e Edi Ramës”, por gjithnjë dështon. Ky ishte opinioni i Fatbardh Kadilli i Këshillit Kombëtar të PD-së i pyetur nga gazetari i Report Tv Arbër Hitaj. Kadilli shprehet se e vetmja shpresë që opozita t’i bëjë ballë mazhorancës është bashkimi, por vetëm nëse këto dy kampe nuk do të kenë qëllime egoiste. Për Kandillin dalja me dy kandidatë në zgjedhjet vendore të 14 majit do të siguronte një disfatë të demokratëve përballë kampit socialist.
I pyetur se ku është “ngërçi” i demokratëve, Kadilli u shpreh se është mentaliteti dhe mungesa e një fryme të re në politikë.
“Foltores i mungon projekti, se është e shkuar s’ka asgjë te re. Mosha nuk është rinia, rinia është mendimi dhe sjellja e re. Mënyra sesi perceptojmë, nëse unë kujtoj periudhën e bolshevizmit, unë s’jam njeri. Ama mendimet e reja janë gjëra të tjera. Përgjegjësia e Berishës është pikërisht kjo, fakti që është i të njëjtit mentalitet, s’ka projekt të ri.
Qëllimi i tyre është egoist.”- tha Kadilli për Report Tv.
Kadilli thotë se do e konsideronte t’u bashkohej demokratëve për zgjedhjet vetëm në rast se do të kishin një projekt politik, i cili dukshëm mungon.
“Në rastin që ne dalim me dy kandidatë ose me lista, kemi nënshkruar humbjen. Unë s’bëhem pjesë e asnjërës palë, u kërkoj demokratëve nqs duan ta ndaj në partinë le ta ndajnë me marrëveshje, mos të presin gjykatën. Skam dëgjuar asnjë projekt politik prej tyre se do bashkohesha.”- vijoi ai.
Por edhe pse në shpesh është përmendur se një bashkim do e “shpëtonte” partinë demokratike, për Kadillin, as ky version nuk është premtues.
“E keqja është që palët janë bërë të verbër ndaj arsyeve që kanë zgjedhur ndaj një lideri ose ndonjë tjetri. Asnjëri s’thotë asnjë më tepër të asaj që thotë Berisha. Ajo që u intereson është se kujt do i përkasë “fatura” e humbjes. Është turp të bashkohen tani dhe nëse ndodh është që të rrisnin numrin e karrigeve të deputetëve, këto janë lojëra.”- tha Kadilli.
Sa i takon protestës së thirrur nga Berisha, Kanilli e cilëson qëllimin dhe moton e protestës së Berishës pa sens.
“Rama rrëzohet me votë, as me dhunë as me protestë. Kemi 10 vjet që e “rrëzojmë” njëherë në 3-4 muaj kur bëjmë protestë. Se rrëzon forca politike kundërshtarin politik, e rrëzon populli. Gjithë ajo çështje natyrisht që është në dëm të qeverisë dhe opozita duhet të japë maksimumin për këtë. Por duke bërtitur, nuk ja shton dot vlerën. Unë e shoh Ramën, me shenja të forta nga perëndimi, të izoluar dhe provat janë ekspozimet e tij në mediat e huaja. Pra ka nisur rënia e tij.”- përfundoi ai.