Milan luan nesër në 21:00 në transfertë me Tottenham për ndeshjen e kthimit në 1/8 e Champions League. Kuqezinjtë fituan në ndeshjen e parë 1-0 dhe janë më të avantazhuar në Londër. Para ndeshjes, për mediet foli trajneri i "Djallit", Stefano Pioli. Tekniku vuri theksin te analiza që i kanë bërë kundërshtarëve dhe ka besim se nuk do surprizohen nga Spurs.
"Do të më pëlqente të mendoja me të vërtetë se janë ndeshje që përgatiten vetë, por nuk është kështu. Pastaj besoj se nuk do të ketë nevojë për motivim të skuadrës pasi e dimë të gjithë rëndësinë e kësaj ndeshjeje, do të nënkuptonte kalimin e një turni, do të nënkuptonte të përmirësonim shumë rrugëtimin tonë europian në krahasim me sezonin e kaluar. Nuk kam as dyshimin më të vogël se skuadra do të jetë e motivuar, e vëmendshme dhe e përqendruar. Pastaj është e qartë që kemi përgatitur ndeshjen… kemi luajtur ndaj tyre dy javë më parë, i njohim kundërshtarët tanë. Më me intensitet, më me energji, por nuk mund të na zënë në befasi në këtë aspekt pasi i njohim", tha Pioli fillimisht.
Më pas trajneri i kuqezinjve foli edhe për rrugëtimin e ekipit në Champions, me Milanin që ka 11 vite që nuk merr pjesë në fazën çerekfinale dhe është shumë pranë.
"Po flasim për Milanin, një skuadër që është mësuar të luajë në disa skena në nivele të rëndësishme e sidomos në Champions ku është munduar të spikatë. Është e qarë që rrugëtimi ynë parashikon që të kthehemi të jemi të rëndësishëm në Europë dhe nesër kemi një mundësi. Është e vështirë, por e dimë që është një mundësi dhe është e qartë që nesër do të mundohemi të shkruajmë diçka të rëndësishme”, tha trajneri i Milanit.