Me dhimbje dhe mall për familjarët e humbur dhe dëshpërim që drejtësia po vepron kaq ngadalë për të zbardhur çështjet e vrasjes së 4 protestuesve në bulevard më 21 janar 2011. 11 vite më pas, familjarët vijojnë t'i përkujtojnë me karafila në duar në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, aty ku jeta e tyre u shua, duke lënë pas familjet e tyre.

Ana, e cila ishte vetëm 11 vjeçe,  e rikujton të gjithë skenën dhe dhimbje me të gjitha detajet, ndërsa sot gjithçka që mund të thotë para kamerave është se ka mall për babanë dhe se nuk i ka humbur ende shpresat te drejtësia.

"Nuk është venë në vend drejtësia. Unë besoj akoma tek drejtësia, shpresa na mban gjallë. Atë ditë e kujtoj po njësoj, me të njëjtën dhimbje, shumë mall kam për babën, kujtoj çdo detaj", tha Ana.

 Mungesën e vënies së drejtësisë e theksoi edhe xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika, i cili shpresat e vetme i mbanë të SPAK dhe kërkon me ngulm që dosja t'i kalojë këtij institucioni.

"Kemi bindjen se çështja do të kalojë në SPAK për t'u rihetuar. Deri tani është dobët hetimi, madje prokuroria e Tiranës e ka fshehur dosjen por kemi bërë të gjitha përpjekjet që t'ia çojmë SPAK. Ne nuk kërkojmë hetime nga Kryeministri, pasi ai nuk është prokuror, por presim nga ai që të nxisë hetimet dhe përshpejtojë çështjen", tha Mark Nika

Katër viktimat, Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrta dhe Hekuran Deda janë shpallur 'Dëshmorë të Atdheut' por drejtësia për këtë ngjarje të rëndë nuk është vënë në vend. Protesta nis pas skandalit me videon Meta-Prifti, ku flitej për koncesion dhe kjo shtyri që të organizohej një protestë nga PS atëherë në opozitës, por gjatë kohës që po protestonin para Kryeministrisë dëgjohen të shtëna armësh që lanë të vdekur 4 protestuesit.

Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite, ndërsa për protestuesin Aleks Nika ende nuk ka një autor.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:48
'Si më le vetëm o shpirt', me lot dhe ulërima, motra e Ziver Veizit qan mbi varrin e tij: Drejtësinë do e kërkojmë sa të kemi frymë

 

Mbi varrin e tij duke qarë me lot në dhe me zë, motra e Ziver Veizit, Trëndafilja nuk po gjend dot qetësi shpirtërore. Dhimbja e ka mbytur ndërsa të vetme fjalë që mund të nxjerrë nga goja janë "si më le vetëm o shpirt, motra të do shumë".

Në 11- vjetorin e ngjarjes së 21 janarit, familjarët e Ziver Veizit të vrarë në protestën para Kryeministrisë, kanë vendosur kurora me lule tek banesa e tij e fundit, ndërsa shprehen se drejtësinë do e kërkojnë deri sa të marrin frymë.

"Ne kërkojmë drejtësi deri sa të rrojmë për vëllanë tonë. Nuk dua të më  zësh në gojë as Berishën e as Bashën, do ta kërkojmë drejtësinë deri sa ta gjejmë", tha Trëndafilja.

Homazhet për Ziver Veizin janë bërë nga familjarë, miq dhe drejtues të pushtetit vendor ne varrezat e fshatit Zenelaj Bashkia Gjirokaster.

Ora 12:53
Familjarët kërkojnë ndihmën e Ramës: Bëj të pamundurën që dosja e 21 janarit t'i kalojë SPAK! Kush është gruaja e fortë që shfaqet krah Kryeministrit

1642766158_1642756240RAMA.jpg

Nëna e Hekuran Dedës krah kryeministrit Rama

11 vjet pas tragjedisë së 21 janarit që u përgjak me 4 protestues të vrarë, kryeministri Edi Rama zhvilloi homazhe për dëshmorët e atdheut. Përkrah tij, shfaqet si një grua e fortë, nëna e Hekuran Dedës të cilës kreu i qeverisë i mbajt çadrën në këto homazhe.

Krah familjarëve ai tha se vrasjet barbare ende kërkojnë drejtësi, ndërsa të afërmit e të ndjerëve, shpresën se drejtësia do të vihet, e shohin vetëm nëse çështjen e merr në dorë SPAK.  Familjarët e të ndjerëve u pritën nga kryeministri Edi Rama, të cilët i kërkojnë të ushtrojë ndikimin e tij që dosja të kalojë nga Prokuroria e Tiranës, që sipas tyre nuk po bënë asgjë në dorën e SPAK, tek i cili shprehin besimin se mund të vendos drejtësi!  

Në homazhet e sotme, familjarët e të ndjerëve u pritën nga kryeministri Edi Rama. U shpërndau simbolin e homazheve të kësaj dite, trëndafilin e kuq, për ta vendosur në pllakatat me emrat e 4 dëshmorëve të Atdheut ngulitur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pikërisht aty ku jeta e tyre u shua.