Kosova shënon sot 11 shtet. Urime për këtë ditë të veçantë pati edhe nga liderët politikë në Shqipëri.
Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta e nisi mëngjesin me publikimin e një fotoja nga zyra e kongresmenit amerikan Eliot Engel, ku mban një kopje e deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.
“Një kujtim i paharrueshëm nga zyra e kongresmenit Eliot Engel”, shkruan Kreu i Shtetit në “Facebook”, duke zgjedhur këtë kujtim si urim për 11-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Kryeministri Edi Rama, po ashtu e ka nisur këtë të dielë me një urim për ditën e shënuar të Kosovës.
"Mirëmëngjes dhe me urimin për ditëlindjen e shtetit të Kosovës, ju dëshiroj një të dielë të bukur të gjithëve" shkruan Rama.
Edhe Ministri për Diasporën Pandeli Majko, një nga politikanët shqiptarë që gëzon dhe shtetësinë kosovare, ka uruar ditëlindjen e 11-të të shtetit të Kosovës me një mesazh të qartë në foton e heroit legjendar Adem Jashari.
“Gëzuar përvjetorin e pavarësisë Kosovë…”, shkruan Majko, ndërsa në foton e Jasharit shkruhet “Të gjithë dhanë diçka, por dikush i dha të gjitha”.
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim ka uruar Kosovën në ditën e saj të Pavarësisë, me një vlerësim për qytetarët e Kosovës që të gjithë së bashku me të zgjedhurit e tyre konsolidojnë çdo ditë shtetin e lindur me aq mund. Ajo shtoi se e ardhmja euroatlantike e Kosovës është një rrugë dhe aspiratë pa kthim.
"Urime Kosovë, teksa hyn në dekadën e dytë të pavarësisë e sovranitetit.
Në këtë ditë të pavarësisë është detyrë e të gjithëve ne, lartësimi i figurave dhe luftëtarëve që kontribuan dhe sakrifikuan edhe jetën për realizimin e këtij misioni epokal për Kosovën.
Vlerësimet më të larta për qytetarët e Kosovës që të gjithë së bashku me të zgjedhurit e tyre konsolidojnë çdo ditë shtetin e lindur me aq mund.
E ardhmja euroatlantike e Kosovës është një rrugë dhe aspiratë pa kthim dhe ne të gjithë do të jemi në krah të saj për përmbushjen e kësaj ëndrre të vëllezërve e motrave tona në Kosovë.
Ta gëzosh përjetë këtë ditë të madhe Kosovë", përfundoi Kryemadhi.
Edhe Lideri i PD, Lulzim Basha ka uruar pavrësinë e Kosovës të cilën e ka quajtur atë ngjarjen e dytë më të madhe kombëtare të historisë së shqiptarëve.
"Sot në përvjetorin e 11 të Pavarësisë së Kosovës, arritjes së dytë më të madhe kombëtare të historisë së shqiptarëve, ju dërgoj një urim të përzemërt vëllezërve dhe motrave tona në Kosovë.
Së bashku me urimin sot është dita për të kujtuar me krenari dhe mirënjohje të thellë kombëtare të gjithë ata që për dekada kanë punuar dhe sakrifikuar për këtë arritje.
Le të shërbejë ky kontribut si amanet i madh për të gjithë ne sot, që me vendosmëri, përkushtim dhe qartësi strategjike, të vazhdojmë rrugëtimin e përbashkët në mbrojtje dhe fuqizim të pavarësisë, sovranitetit dhe vlerave e të ardhmes euroatlantike të Kosovës si interesi më i lartë kombëtar i shqiptarëve në Ballkan", tha Basha.