Sot Shqipëria feston 112-vjetorin e Pavarësisë, ditës kur u ngrit flamuri në Vlorë, më 28 nëntor 1912. Festime të shumta priten në Tiranë e Vlorë, por pa harruar dhe për festën në Kosovë apo Maqedoni.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me anë të një postimi në rrjetet sociale shprehet se ky 28 nëntor e gjen Kosovën me ndërtimin e Memorialit për Adem Jasharin në Prekaz.
'Ky 28 Nëntor na gjen me projektin e Kompleksit Memorial "Adem Jashari" në Prekaz. Në këtë vend të shenjtë që ruan gjurmët e veprës heroike të Familjes Jashari, ne kthehemi e rikthehemi që të kujtojmë çmimin e lirisë të cilën e gëzojmë sot.
Nuk do të kursejmë asgjë për të ndërtuar një kompleks memorial të rëndësishëm ndërkombëtarisht, i cili do të pasqyrojë dinjitetshëm dhe me një nivel të lartë artistik, qëndresën dhe luftën e popullit për liri, pavarësi dhe bashkim, ashtu siç e meriton figura e Adem Jasharit dhe e Familjes Jashari.
Gëzuar 28 Nëntori!', uron Kurti në Facebook.
Lajmi ne perditesim...
Foto: Vjosa Osmani
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar të gjithë shqiptarët pë 112-vjetorin e Pavarësisë.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani shprehet se më 28 nëntor, nderojmë historinë, flamurin dhe identitetin kombëtar, duke riafirmuar përkushtimin tonë për fuqizimin e shteteve tona.
“28 Nëntori nuk është vetëm simbol i betejave dhe triumfeve tona, por edhe kujtim i sakrificave tona për të qenë të lirë, në paqe dhe krenarë.
28 Nëntori është simbiozë e tri momenteve historike që e lartësojnë kombin tonë: ngritja e flamurit në Vlorë dhe shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, dalja publike e UÇK-së dhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari.
Të bashkuar në zemër e shpirt, le ta festojmë këtë ditë me krenari!”, shkroi Vjosa Osmani në Facebook.