Policia e Shtetit feston sot 113 vite nga themelimi i strukturës. Në kundër të kësaj date, u organizua një ceremoni me qëllim nderimin e disa prej figurave të policisë sot për kontributin e tyre përgjatë viteve. Prezent në ceremoni ishte gjithashtu dhe kreu i SPAK Klodian Braho dhe drejtori i BKH-së Joni Keta.

“Policia ka qenë dhe mbetet gur themeli i rendit, ligjit dhe stabilitetit shoqëror, por edhe simbol i bashkimit kombëtar”, tha Proda duke vënë theksin tek rëndësia e policisë dhe tek progresi i strukturës. Policia e Shtetit është formuar për herë të parë më 1913 nga kryeministri i kohës Ismail Qemali dhe drejtimi iu besua Halim Bej Gostivarit.

“Sot nuk festojmë thjesht një përvjetor, por nderojmë një histori, një mision, një institucion që prej 113 vitesh qëndron në këmbë përballë sfidave. 13 janari është një datë historike dhe jetike për vendin tonë, sepse pa rend nuk ka liri dhe pa siguri nuk ka të ardhme.

Kjo e vërtetë e thjeshtë ka udhëhequr për 113 vite misionin e Policisë së Shtetit shqiptar, që nga dita kur plaku i mençur Ismail Qemali, Kryeministri i kohës, vendosi për krijimin e Policisë, e cila përgjatë gjithë rrugëtimit të saj ka qenë dhe mbetet gur themeli i rendit, ligjit dhe stabilitetit shoqëror, por edhe simbol i bashkimit kombëtar. Mjafton të përmendim faktin se drejtuesi i parë i Policisë shqiptare ka qenë Halim Bej Gostivari, nga Gjakova”, tha Proda.

Proda nderoi 231 efektivët e policisë, të cilët humbën jetën në krye të detyrës. Kujtimi i tyre do të shërbejnë gjithmonë si pikë referimi për përmbushjen e misionit, një krenari për të gjithë policinë.

“Gjatë këtyre 113 viteve, 231 punonjës policie, 231 Dëshmorë, më të mirët prej nesh, dhanë gjithçka, duke vendosur jetën e tyre mbi çdo rrezik, për të mbrojtur qytetarët dhe ligjin. Akti i tyre sublim krijoi bazamentin mbi të cilin ndërtohet besimi, forca morale dhe identiteti ynë institucional. Sot e përjetë, ata janë motivi i misionit tonë, krenaria e Policisë dhe e gjithë shoqërisë. Emri i tyre është i skalitur në historinë e kombit”, tha Proda.

Falënderime dhe mirënjohje u thanë dhe për veteranët e Policisë së Shtetit, të cilët Proda i cilësoi si thesare të përvojës dhe burim frymëzimi për gjeneratat e reja.

“Në këtë rrugëtim 113-vjeçar kanë kontribuar gjenerata të tëra dhe sot shprehim mirënjohjen tonë për veteranët e Policisë, për kontributin dhe trashëgiminë që kanë lënë ndër breza. Ata janë thesari i përvojës, burim frymëzimi dhe shembull i profesionalizmit për brezat e rinj të Policisë, të cilët na kujtojnë se Policia është një mision i shenjtë, në themel të të cilit qëndron përkushtimi i palëkundur dhe guximi deri në vetëmohim, për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve dhe për të garantuar sundimin e ligjit”, tha Proda.

Kryepolici Proda dhe njëherë foli për bilancin vjetor të strukturës që ai drejton, duke përmendur operacionet e suksesshme, luftën e arrirë kundër bandave kriminale. Ndër këto pjesë e suksesit është dhe modernizimi i Akademisë së Sigurisë. Ilir Proda  përmbyll fjalimin e tij duke thënë se Policia e Shtetit identifikohet përmes punës dhe jo sulmeve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:12
Përkujtohet në Elbasan 113-vjetori i Policisë së Shtetit, marrin pjesë efektivë në detyrë dhe ata në pension

1768306169_elbasan.jpg

113-vjetori i krijimit të Policisë së Shtetit është përkujtuar edhe në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan.

Në një aktivitet të zhvilluar, si çdo vit, në ambientet e Drejtorisë së Policisë, kanë marrë pjesë efektivë dhe punonjës të policisë në detyrë, por edhe ata të dalë në pension.

Drejtori i Policisë Elbasan, Fatmir Hoxha, tha se është një ditë e rëndësishme për të përkujtuar, vlerësuar dhe respektuar 113 vite histori, suksesesh, sakrifice dhe përkushtimi.

Fjalë përshëndetëse mbajti edhe kryeprokurori i Elbasanit, Kreshnik Ajazi dhe drejtorja e Arsimit, Vesa Liça, të cilët theksuan se Policia është një aset i çmuar në sistemin e drejtësisë.

Sipas ‘Bluve’, 113-vjetori e gjen Policinë e Elbasanit me disa aksione të suksesshme, parandalimin e disa ngjarjeve kriminale, arrestimin e dhjetëra personave, por mbi të gjitha edhe me një punë të madhe dhe sfida për t’u përmbushur në të ardhmen, për garantimin e jetës dhe sigurisë së qytetarëve.

Ora 12:17
Aktivitet në Fier për 113-Vjetorin e Policisë, bëhen bashkë drejtues të ‘Bluve’, përfaqësues të pushtetit vendor dhe qytetarë

 

Ditën e sotme, në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier është zhvilluar festa e 113-vjetorit të Policisë së Shtetit Shqiptar.

Kjo ngjarje e veçantë mblodhi së bashku drejtues të Policisë, përfaqësues të pushtetit vendor dhe qytetarë, duke përkujtuar historinë dhe kontributin e kësaj force në shërbim të sigurisë publike.

Ceremonia nisi me ngritjen e flamurit me hymnin Kombëtar. Fjalën përshëndetëse e mbajti drejtuesi i Policisë Vendore Fier, Skënder Hitaj, i cili foli për punën e palodhur të efektivëve të Policisë. Në këtë ceremoni është përcjell edhe mesazhi përshëndetës i Drejtorit të Policisë Ilir Proda, duke vënë theksin tek rëndësia e përkushtimit dhe bashkëpunimit në rritjen e sigurisë publike.

Në këtë festë ka folur edhe kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, i cili ka nxjerrë në pah lidhjen që ka institucioni i Bashkisë me Policinë.

Subashi po ashtu premtoi mbështetjen e pandërprerë të pushtetit vendor për institucionin e Policisë së Shtetit.

Ndërkohë Festa e Policisë është mbyllur me ndarjen e dy certifikatave mirënjohjeje.

Ora 11:52
Aktivitet në Komisariatin e Vlorës për 113-vjetorin e Policisë së Shtetit, e pranishme edhe prefektja e qarkut

113-vjetori i krijimit të Policisë së Shtetit është përkujtuar edhe në Vlorë. Në një aktivitet të zhvilluar, si çdo vit, në ambientet e Drejtorisë të Policisë së Qarkut Vlorë, kanë marrë pjesë efektivë dhe punonjës të policisë në detyrë, por edhe ata të dalë në pension.

Prezente në këtë ceremoni, krahas drejtuesve më të lartë të Policisë së Qarkut, ishte edhe prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Allushi.

Në fjalën e tij, drejtuesi i Policisë së Qarkut Vlorë, Elidon Çela, tha se kjo është një ditë e rëndësishme për të përkujtuar, vlerësuar dhe respektuar 113 vite histori, suksesesh, sakrifice dhe përkushtimi.

Sipas Çelës, misioni i Policisë së Shtetit gjatë këtyre 113 viteve ka qenë garantimi i rendit dhe sigurisë publike, mision i cili është përmbushur me devotshmëri. Sot, sipas tij, Policia e Shtetit përfaqëson një institucion profesionist, në krah të qytetarëve.

Prefektja e Qarkut Vlorë, në fjalën e rastit, theksoi rëndësinë e strukturës së Policisë së Shtetit. Allushi vlerësoi punën e efektivëve, duke i cilësuar ata të gatshëm kurdoherë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Evis Allushi ka edhe një thirrje drejtuar qytetarëve që të kenë besim, por edhe ta mbështesin Policinë e Shtetit në punën e saj.

113-vjetori e gjen Policinë e Vlorës me disa aksione të suksesshme, parandalimin e disa ngjarjeve kriminale, arrestimin e dhjetëra personave, por mbi të gjitha edhe me një punë të madhe dhe sfida për t’u përmbushur në të ardhmen, për garantimin e jetës dhe sigurisë së qytetarëve.

Ora 11:44
113-vjetori i Policisë, në Berat kryhen homazhe në Varrezat e Dëshmorëve, shpërndahen certifikata mirënjohjeje për 2 efektivë

 

Drejtoria Vendore e Policisë së Beratit ka festuar sot 113-vjetorin e krijimit të saj, në një aktivitet, ku janë bashkuar drejtues të institucioneve vendore, drejtues strukturash të Policisë si dhe familjarë të punonjësve të policisë të vrarë në krye të detyrës ndër vite.

Ka qënë Drejtori i DVP Berat, Luigj Vathia, ai që gjatë fjalës së tij, e ka cilësuar Policinë e Beratit si një institucion që ka arritur standarte të larta profesionale në luftën pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit.

"Në këtë përvjetor të 113-vjetor të krijimit të Policisë së Shtetit, përulemi me nderim e respekt para të gjithë kolegëvë tanë, që ndër vite dhanë jetën e tyre në emër të jetës sonë"- tha ai.

Në përfundim të ceremonisë, u shpërndanë edhe 2 çertifikata mirënjohjeje për dy punonjëset e policisë Vera Vasilia dhe Elida Tare (OPGj në Skrapar).

Përpara fillimit të ceremonisë së organizuar në ambjentet e DVP-së Berat, drejtuesit e lartë të policisë së Beratit dhe efektivë të shumtë policie, i janë drejtuar Varrezave të Dëshmorëve, ku prehen 8 efektivë policie që janë vrarë në krye të detyrës.

Ata vendosën kurora dhe buqeta me lule në Memorialin kushtuar Dëshmorëve dhe kryhen homazhe në varret ku prehen policët e rënë në krye të detyrës.

Ora 11:28
“Pas çdo polici ka një nënë që lutet dhe një fëmijë që pret”- Zv.ministri i Brendshëm në 113 vjetorin e Policisë së Shtetit: Mirënjohje për çdo efektiv!

 

Zv.Ministri i Brendshëm, Xhemal Qefalia, ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar për 113 vjetorin e Policisë së Shtetit.

Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, Qefalia u shprehu mirënjohjen të gjithë efektivëve të Policisë për punën e tyre, teksa shtoi se moto e uniformave blu është ‘rend, siguri dhe ligjshmëri’.

Duke u përcjellë efektivëve mirënjohjen e ministers Albana Koçiu, e cila ndodhet jashtë Shqipërisë, Qefalia premtoi se mbështetja e qeverisë për Policinë do të jetë e vazhdueshme, pasi sipas tij ‘pas çdo polici ka një nënë që lutet dhe një fëmijë që pret.

“Sakrifica juaj është një sakrificë sublime, që ka shkuar deri në dhënien e jetës për të shpëtuar jetët e të tjerëve. Kjo është një vlerë e lartë e institucionit tuaj. Sot Policia e Shtetit është në një transforim të vazhdueshëm, më e orientuar drejt standardeve europiane.

Lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, trafiqeve të paligjshme, garantimi i rendit dhe sigurisë publike mbeten prioritete absolute në shërbim të qytetarëve dhe së drejtës. Angazhimi ynë është i qartë, rend, siguri dhe ligjshmëri.

Më lejoni të nderuar pjesëmarrës që t’u përcjell në emër të ministres së Brendshme, Albana Koçiu, e cila ndodhet në një shërbim jashtë shtetit, mirënjohjen e thellë për çdo punonjës policie. Pas çdo polici ka një nënë që lutet dhe një fëmijë që pret. Prandaj mbështetja e qeverisë shqiptare për policinë e Shtetit do të vazhdojë në mënyrë të pandalshme", tha mes të tjerash Qefalia.

Ora 08:06
113 vjet Polici e Shtetit, kryeministri Rama: Në shërbim të vendit dhe qytetarëve çdo ditë

Sot (13 janar), është 113 vjetori i Policisë së Shtetit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shprehet se policia është në shërbim të vendit dhe qytetarëve.

“Mirëmëngjes dhe me 113 vjet Policia e Shtetit, në shërbim të vendit dhe qytetarëve çdo ditë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Në ecurinë e saj, Policia shqiptare ka kaluar herë në kulme arritjesh dhe herë të tjera gati në shuarje, por gjithsesi në ecje, pa shkëputje.

Organizimi fillestar i Policisë u bë në bazë drejtorie, me qendër në Vlorë, e drejtuar fillimisht nga gjakovari Halim Gostivari dhe më pas nga tepelenasi Fehmi Mezhgorani.

Prej vitit 1991 e deri sot, Policia e Shtetit ka pësuar një transformim të madh, ligjor strukturor dhe arsimor.