Shkodra nderoi tenorin Ibrahim Tukiçi në 100-vjetorin e lindjes së tij, me një koncert në Teatrin “Migjeni”, ku artistë të njohur u bënë bashkë për të kujtuar jetën dhe veprën e tij.

Koncerti, i titulluar “Tukiçi i Madh”, solli emocione të veçanta edhe për dy djemtë e tenorit, David dhe Genc Tukiçi.

Kompozitori David Tukiçi u shpreh se babai i tij është nderi i kombit shqiptar, edhe pse zyrtarisht ende nuk e mban këtë titull. Ndërsa pianisti dhe kompozitori Genc Tukiçi e përshkroi koncertin si një rikthim shpirtëror të të atit në Shkodër, qytetin që ai e konsideronte shtëpinë e tij.

Një tjetër moment i veçantë ishte rikthimi i baritonit Gëzim Myshketa në skenën e Teatrit “Migjeni”, pas plot 32 vitesh. Në koncert mori pjesë edhe kori i fëmijëve i Qendrës Kulturore “Kujtim Alija”, ndërsa artistët u shoqëruan nga Orkestra Simfonike e Shkodrës, nën drejtimin e dirigjentes Elda Laro.

Mbrëmja u mbyll me këngën e njohur shkodrane “Luleborë”, të interpretuar nga Gëzim Myshketa, të cilit iu bashkua edhe i gjithë publiku në sallë.