Ashtu si çdo vit, Vlora ishte kryeqendra e festimeve dhe kremtimit të 114-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, pikërisht aty ku flamuri kuq e zi u valvit për herë të parë i lirë e I pavarur. Festa e Flamurit bëri bashkë krerët më të lartë të shtetit nga Shqipëria e Kosova të cilët morën pjesë në ceremoninë shtetërore të ngritjes së flamurit nën tingujt e himnit kombëtar.
Ceremonia vijoi me nderimet në vendprehjen monumentale të Ismail Qemalit, ku kryeministri Rama, Presidenti Bajram Begaj dhe Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi vendosën kurorat me lule.
“Me krenari për historinë tonë, me dashuri për atdheun dhe besim në forcën e unitetit, le ta bëjmë këtë moment historik një mundësi për më shumë zhvillim, përparim dhe shpresë në të ardhmen e vendit tonë.Gëzuar! Rroftë Shqipëria dhe kombi shqiptar! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët!” - shkroi Begaj.
“28 Nëntori është dita kur kujtesa jonë kombëtare merr kuptimin më të thellë. Në Vlorë, aty ku nisi historia e shtetit shqiptar, përulemi me respekt para burrave që shpallën Pavarësinë dhe të gjithë atyre që me sakrificën e tyre mbrojtën lirinë dhe dinjitetin e kombit. Sot, flamuri ynë kuqezi na bashkon në krenarinë për historinë, identitetin dhe përgjegjësinë për ta çuar Shqipërinë përpara, drejt së ardhmes europiane”, u shpreh Peleshi.
Ceremonia bëri bashkë edhe Ramën me Kurtin, i cili një vit më parë mungoi. Krah tyre ishte edhe presidentja e Kosovës Justina Shiroka-Pula, e cila zhvillon vizitën e parë zyrtare në vendin tonë.
Pa fjalime, por vetëm me shtrëngime duarsh, krerët e shtetit përshëndetën të pranishmit, mes tyre klerikët e krishterë dhe myslimanë.
Teksa zhvillohej ceremonia, një grup i vogël aktivistësh tentoi të çante rrethimin metalik, por u ndalua nga policia, e cila hodhi spraj me piper. Ata kundërshtojnë ndërtimin e Muzeut Hebraik në Vlorë.
“Sot është festë dhe protestë. Ka shumë arsye për të protestuar, por veçoj gjendjen e sheshit të Flamurit”, tha Bylykbashi.
Dita e Flamurit ishte e mbushur me aktivitete, ku spikatën grupet folklorike me paradën e kostumeve popullore.
Pjesë e festës së Flamurit u bë dhe skulptori 90-vjeçar Muntaz Dhrami, i vetmi autor ende në jetë i Monumentit të Pavarësisë.
Festa e Flamurit u festua në të gjithë vendin, ku qytetarët mbushën sheshet me simbolet kuqezi.
Në Vlorë po vazhdojnë festimet për 114-vjetorin e Pavarësisë, me automjete të zbukuruara me flamuj kuq e zi, muzikë dhe koncert festiv.
Qytetarët janë bërë pjesë e atmosferës festive, duke ndezur flakadanë me ngjyra dhe duke festuar në rrugët e qytetit.
Atmosfera në qytetin e flamurit është gjallëruar nga këngët dhe ngjyrat kuqezi.
Pas automjeteve të zbukuruara me flamuj kuq e zi në qytetin e Fierit, kanë shpërthyer edhe fishekzjarrët në kuadër të festimeve për 114-vjetorin e Pavarësisë.
Mbrëmjen e 28 Nëntorit, festimet në qytetin e Fierit kanë vijuar me atmosferë festive.
Nga pamjet shihen automjete të zbukuruara me flamuj kuqezi ku kanë parakaluar përgjatë rrugëve të qendrës së qytetit, duke tërhequr vëmendjen dhe duke u përshëndetur nga qytetarët e shumtë.

Një i ftuar i veçantë në festimet e 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë ishte skulptori 90-vjeçar Muntaz Dhrami, i vetmi autor ende në jetë i Monumentit të Pavarësisë.
Me ftesë të ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, artisti mori pjesë në ceremoninë zyrtare të ngritjes së flamurit, për herë të parë, sipas tij, që prej përurimit të monumentit në vitin 1972. Pas 54 vitesh, Dhrami u bë sërish pjesë e festimeve zyrtare pranë veprës që krijoi së bashku me Kristaq Ramën dhe Shaban Hadërin.
“Brezat që gëzojnë lirinë u kanë borxh kujtesën heronjve të pushkës e të penës, si e vetmja mënyrë që puna, mundi apo gjaku të shpërblehen nga pak çdo ditë, duke jetuar përtej kohëve, përtej jetëve”, shkroi ministrja Ismaili. Monumenti i Pavarësisë, 17 metra i lartë, u përurua me rastin e 60-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
As moti i vranët nuk e ka zbehur atmosferën festive të 28 Nëntorit. Makina të zbukuruara me flamuj kuqezi parakalojnë në rrugë, duke i dhënë ngjyrat e flamurit kombëtar kësaj dite nëntori. Pamjet përcjellin frymën e festës dhe krenarinë e shqiptarëve në 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Elbasani ka kremtuar sot 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë me një ceremoni pranë bustit të Aqif Pashës, në sheshin “Gensher”. Në ceremoninë e 28 Nëntorit morën pjesë deputetë, kryetari i Bashkisë së Elbasanit, prefekti i qarkut, si dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Burim Ramadani.
Saranda festoi sot 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë me ngritjen e flamurit kuqezi në të njëjtin vend ku ai u ngrit më 5 dhjetor 1912, një javë pas shpalljes së Pavarësisë në Vlorë. Në ceremoninë festive morën pjesë kryetari i Bashkisë së Sarandës, Oltion Çaçi, deputeti Vasil Llajo, përfaqësues të shoqatave dhe qytetarë. Ashtu si një vit më parë, opozita bojkotoi ceremoninë e Ditës së Flamurit, ku nuk mori pjesë asnjë përfaqësues i saj.
Me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në Berat janë zhvilluar homazhe në Memorialin e Pavarësisë, në lagjen “Dëshmorët e Kombit”.
Drejtues të pushtetit vendor, përfaqësues të forcave politike dhe komuniteteve fetare, familjarë të firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë dhe veteranë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare kanë marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore. Nën tingujt e Orkestrës Frymore të qytetit, në memorial janë vendosur kurora dhe buqeta me lule në nderim të rilindësve beratas, që luftuan me pushkë e penë për lirinë e Shqipërisë.
Berati u përfaqësua në Kuvendin e Vlorës nga disa figura të jetës politike dhe kombëtare, mes të cilëve Iliaz Bej Vrioni, i cili më vonë mbajti edhe postin e kryeministrit dhe të ministrit të Jashtëm të Shqipërisë.
Flamujt kuqezi kanë zbukuruar sot kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa lëvizja e qytetarëve ka qenë më e pakët krahasuar me një vit më parë.
Me sloganin “28 Nëntori, protestë deri në bashkim – Një komb pa kufi”, presidenti i Lidhjes Shqiptaro-Amerikane, Fatmir Bardhoci, ka zhvilluar një protestë simbolike në pikën kufitare. Ai kërkoi heqjen e doganave mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe shpalljen e Kukësit zonë të lirë ekonomike, për të frenuar largimin e banorëve.
Bardhoci përcolli edhe mesazhin e bashkimit kombëtar, duke thënë se shqiptarët vijojnë të jetojnë të ndarë në shtatë shtete. Ai u ndal edhe te flamuri që shoqëronte protestën, të cilin e cilësoi si flamurin e shpalljes së Pavarësisë dhe simbolin që bashkon të gjithë shqiptarët, ndërsa pretendoi se flamuri që përdoret sot i përket periudhës së komunizmit.
114-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë u përkujtua edhe në Lezhë. Ceremonia u zhvillua pranë obeliskut të “Besëlidhjes”, në qendër të qytetit, ku u ngrit flamuri kombëtar dhe u vendosën kurora me lule.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të pushtetit vendor, deputetë të PS dhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.
Aktivitetet e organizuara nga Bashkia në kuadër të 114-vjetorit të Pavarësisë vijuan në Pallatin e Kulturës.
114-vjetori i Pavarësisë është kremtuar në qytetin e Fierit, në një atmosferë festive kuq e zi dhe nën tingujt e bandës frymore të qytetit.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm drejtues te pushtetit vendore, deputetë, pasardhës të familjeve të dëshmorëve, përfaqësues të komuniteteve fetare, të Policisë, si dhe drejtuesja politike e qarkut, Belinda Balluku.
Ceremonia e ngritjes së flamurit u shoqërua me vendosjen e kurorave dhe buqetave me lule pranë memorialit historik, në qendër të qytetit, aty ku u ngrit flamuri.

Ashtu si në Vlorë edhe në Sheshin Skënderbej, Tiranë u zhvillua ceremonia solemne e ngritjes së Flamurit Kombëtar te Sheshi Skënderbej.
Pas ngritjes së flamurit qindra tollumbace kuq e zi u lëshuan drejt qiellit.
Rreth 20 deri në 30 protestues janë mbledhur diten e sotme në ambientet pas Sheshit të Flamurit në Vlorë, ku kanë kundërshtuar forcat e policisë të pranishme në këtë zonë, ndërsa po mbaheshin aktivitetet ceremoniale me rastin e 28 Nëntorit.
Protestuesit, të cilët edhe në raste të mëparshme kanë zhvilluar protesta kundër projektit për ndërtimin e Muzeut të Hebrenjve, kanë shprehur sërish kundërshtimin e tyre. Mes tyre është edhe shtetasi Baki Goxhaj, i cili u bë i njohur pasi disa muaj më parë u ndalua nga forcat izraelite në ‘Flotiljen Sumud’ që po dërgonte ndihma drejt Gazës, si dhe tre protestues të tjerë
Gjatë tubimit të sotëm, ata kanë pasur edhe përplasje me efektivët e policisë, ndërsa nuk kanë munguar as thirrjet dhe deklaratat në drejtim të kryeministrit Edi Rama.
Në 114-vjetorin e Pavarësisë, qytetarët kanë përcjellë mesazhe urimi nga qyteti i Vlorës.
“Të jesh patriot, të jesh atdhetar ta duash këtë të vend. Jemi të gjithë një flamur. Ta duam këtë me gjak edhe zemër. Ky vend na mban, unë jam nga Kosova por jetoj në Shqipëri. Në Vlorë vij vit për vit”, tha një qytetar
"Jam i emocionuar, më drithërohet shpirti kur vjen kjo ditë. Jetoj në Tiranë, por jam vlonjat. Vajzat i kam rritur me dashurinë për Shqipërinë”, tha qytetari.
“Gëzuar Shqipëri ditën më të bukur dhe kështu e lirë qofsh gjithmonë”, u shpreh qytetarja.

Para ceremonisë së ngritjes së flamurit në Vlorë për 114-vjetorin e Pavarësisë, kryeministri Edi Rama publikoi në Facebook një foto të një filxhani kafeje me shqiponjën dykrenare. "E ku tjetër veç në Vlorë", shkroi Rama krahas fotos.
Vlora bëhet gati për ceremoninë e ngritjes së flamurit në këtë 114-vjetor të Pavarësisë. Forca të shumta policie janë të pranishme në Sheshin e Flamurit, ndërsa i pranishëm është edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
-
Gjdo Qytet feston veç vandalët bandat,kriminelët e PDsë djegin Tiranen.
Përgjigju -
I hedhin zegjineja dhe balluku me piçk fishekzjarret,flamuri ngrihet ne Vlore dhe fishekzjarret hidhen ne Fier...
Përgjigju






Komente
Komento