E ardhmja e të rinjve në Shqipëri dhe ruajtja e lidhjeve me atdheun nga shqiptarët në emigracion ishin në qendër të mesazhit të Mitropolitit të Korçës, Hirësi Anastas, me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë.

Gjatë shërbesës tradicionale të Dhoksologjisë së Flamurit, në Katedralen “Ringjallja e Krishtit” në Korçë, Mitropoliti Anastas theksoi se liria është një dhuratë që duhet ruajtur përmes sakrificës dhe përgjegjësisë.

Duke kujtuar ata që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, ai u ndal te përgjegjësia që ka çdo brez për t’u lënë pasardhësve një vend më të mirë dhe më të begatë. Mitropoliti shprehu dëshirën që fëmijët dhe të rinjtë të gjejnë në Shqipëri mundësi për një arsim dinjitoz, një jetë më të mirë dhe një të ardhme të sigurt, në mënyrë që të mos detyrohen të largohen nga vendi.

Një apel kishte edhe për shqiptarët në emigracion, të cilëve u kërkoi të mos harrojnë vendin e të parëve dhe t’ua përcjellin fëmijëve gjuhën, traditat dhe lidhjen me atdheun. Në përfundim të shërbesës, Mitropoliti Anastas uroi të gjithë shqiptarët për festën e Pavarësisë, duke bërë thirrje që liria dhe atdheu të ruhen si një trashëgimi e çmuar për brezat që vijnë.


Lajmi kryesor:

114 vjetori i Pavarësisë/ Mesazhe nga krerët fetarë, Kryepeshkopi Joan: Shqipëria e të gjithëve, jo e një grupi, as e një personi! Mitropoliti i Korçës: Të rinjtë të mos largohen! Uron edhe kreu i KMSH (VIDEO)