Një dëshmi unike e jetës tradicionale shqiptare, një kujtesë vizuale për një mënyrë bashkëjetese që sot nuk ekziston më, por që vazhdon të jetojë përmes filmit dhe historisë së kinemasë mund të cilësohet filmi117” i Besim Sahatçiut. I shfaqur në Tiranë në kuadër të Javës së Kulturës së Kosovës, dokumentari i restauruar paraqet stilin e jetesës së një familjeje shqiptare me 117 anëtarë, të cilët jetojnë të gjithë nën një kulm.

Filmi konsiderohet si një nga dokumentarët etnografikë më domethënës të rajonit. I pranishëm ishte kineasti Afrim Spahiu, drejtor i fotografisë së filmit, përfaqësues nga Qendra Kinematografike e Kosovës, ndërsa Rita Ora, mbesa e regjisorit Besim Sahatçiu, përcolli përmes videos një përshëndetje speciale. Kineasti Afrim Spahiu rrëfen për "Report TV" se takimet e para me familjen e madhe, që u bë subjekt i filmit përbëjnë edhe sot kujtime të veçanta për të.

“Në kontaktet e para që i bëmë me familjen natyrisht u impresionuam për shumë detaje, të cilat u inkuadruan dhe u zhvilluan në një tërësi konceptuale të një filmi dokumentar të tipit etnografik. Ishte një ngjarje madhore për mua, ngase aspekti vizual në atë familje ishte real, ishte i çiltër, i pastër dhe mbi të gjitha spontan. Ky frymëzim i dha mundësi edhe regjisorit, supozoj, që ta bënte filmin ritmik.”, thotë Spahiu.

Brenda 24 orëve, grupi i punës arriti të regjistrojë jetën e kësaj familjeje me 117 anëtarë ndërsa regjisori vendosi që fotografia të fliste vetë, pa narracion, duke i dhënë filmit një ritëm dhe dimension artistik që e shndërroi në një vepër ikonike. Filmi është realizuar nga “Kosova Film” në vitin 1976.