Me regji nga Esat Musliu, filmi artistik shqiptar “Rrethi i Kujtesës” (1987), rikthen në vëmendje një nga plagët më të rënda të historisë njerëzore: Holokaustin dhe domosdoshmërinë për të mos harruar. Ai është shfaqur pikërisht në Ditën e Kujtesës në kinemanë “Drita” në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.
I frymëzuar nga romani me të njëjtin titull i shkrimtares Diana Çuli, filmi ndërthur letërsinë, kinemanë dhe kujtesën historike, duke ndërtuar një reflektim të fortë mbi dhimbjen, përgjegjësinë dhe rrezikun e harresës.
“Ngjarjet e filmit zhvillohen në dy kohë: në kohën e luftës dhe pas saj. Kampet e përqendrimit, gratë e deportuara, terrori dhe persekutimet janë pjesë e asaj që kemi dashur të tregojmë.”, thotë për “Report TV” regjisori Esat Musliu.
Ai vëren se pak para se të realizonte “Rrethi i kujtesës”, ai bëri një film dokumentar për Mathausenin, ku pa nga afër se si ishin trajtuar të deportuarit në kampet e përqendrimit.
“Midis tyre ne pamë edhe katër heronj të popullit shqiptar, nga 460 të deportuar nga Shqipëria, që nuk ishin vetëm komunistë, nuk ishin vetëm partizanë, por ishin popullatë e thjeshtë. Këta të deportuar shqiptarë që janë 460, nga burgu i Prishtinës, u çuan në Mathausen. Aty ndeshëm gjatë xhirimit të filmit edhe në një si punë spitali gjerman, por goxha i madh, që ishte në një rezidencë aristokrate. Aty ishin të deportuara shumë gra, edhe shqiptare, të cilat trajtoheshin dhe përdoreshin për t'u marrë edhe gjakun, për t'ua dhënë të plagosurve gjermanë që vinin nga fronti.”, tregon regjisori.
Nga ana tjetër, shkrimtarja Diana Çuli tregon se romani “Rrethi i Kujtesës” lindi nga një histori reale, fati tragjik i një gruaje që kishte humbur kujtesën pas eksperimenteve naziste në kampet e përqendrimit.
“Kontakti im i parë me idenë për ‘Rrethin e kujtesës’ ka qenë një person real, tezja e një shoqes time të ngushtë. Punonim të dyja në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe ajo më tregonte për tezen, që kishte qenë partizane. Kur kishte qenë në kamp përqendrimi, menjëherë mbas lufte, jo në Shqipëri, por aty në kamp, ishte bërë një eksperiment, i cili i kishte hequr kujtesën. Unë e kam njohur dhe personalisht këtë grua të veçantë.
Duke patur gjithmonë në mendje se çfarë bëjnë njerëzit mbi qeniet e tjera njerëzore për të arritur pushtetin, për të arritur ato qëllime që pati nazizmi, por që i kanë dhe shumë të tjerë sot, mendova që mund të shndërrohen në një histori simbolike.
Ishte një metaforë për të thënë që popujt nuk duhet të humbasin kujtesën, nuk duhet të humbasin lirinë e tyre që është kujtesa, sepse është mësimi për historinë.”, thotë Çuli.
Regjisori Musliu thekson se filmi nuk është vetëm një rrëfim historik, por edhe një paralajmërim për kohët që jetojmë sot, në një botë të mbushur me tensione dhe kërcënime të reja.
“E kaluara nuk duhet harruar kurrë. Ajo shërben si mësim, sepse rreziqe si fashizmi dhe nazizmi mund të rikthehen në forma të tjera.”, vëren Musliu.
Filmi është dëshmi e historisë që vazhdon të flasë edhe sot, dhe një kujtesë se harresa është rreziku më i madh për të ardhmen.
Komente











