Një 33-vjeçar ka rënë në prangat  e Policisë në Tiranë, i akuzuar si autor i disa vjedhjeve. I riu Arqil Xhepa rezulton se ka kryer 12 vjedhje për 26 ditë, duke marrë sende të ndryshme në dyqane e studio e po ashtu edhe para në bankomat. Ai ra në pranga si pasojë e finalizimit të operacionit "Akrepi i natës", ndërsa kanë nisur hetimet edhe për një 59-vjeçar i cili blinte nga 33-vjeçari sendet e vjedhura. I riu u kap pasi shkoi të tërhiqte para në një bankomat, me një kartë të vjedhur, ndërsa tatuazhi i një akrepi në dorë bëri të mundur identifikimin e tij, nga mori emrin edhe operacioni.

Xhepa ka kryer 12 vjedhje që i kryente natën dhe më konkretisht ai rezulton autor i vjedhjeve:

Më datë 03.01.2022, në rrugën “Prokop Mima”, dyshohet se ka vjedhur një aparat celular dhe një shumë parash në dyqanin me administratore shtetasen B. H.;

Më datë 10.01.2022, në rrugën “Don Bosko”, dyshohet se ka vjedhur në lokalin në pronësi të shtetasit F. K.;

Më datë 12.01.2022, në rrugën “Gjergj Elez Alia”, dyshohet se ka vjedhur një shumë parash dhe disa pajisje në dyqanin e shtetases Xh. D.;

Më datë 15.01.2022, në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu”, dyshohet se ka vjedhur një shumë parash dhe një laptop, në dyqanin e shtetases S. R.;

Më datë 15.01.2022, në rrugën “Reshit Çollaku”, dyshohet se ka vjedhur një laptop në banesën e shtetases O. K.;

Më datë 16.01.2022, në "Rrugën e Kastriotëve", dyshohet se ka vjedhur një laptop dhe një shumë parash në dyqanin e shtetases B. M.;

Më datë 25.01.2022, në bulevardin” Zogu I”, dyshohet se ka vjedhur një shumë parash dhe disa dokumente, në zyrat e një kompanie;

Më datë 26.01.2022, në rrugën “Mine Peza”, dyshohet se ka vjedhur në dyqanin e shtetasit A. R.;

Më datë 26.01.2022, në "Rrugën e Bogdanëve”, dyshohet se ka vjedhur një shumë parash në dyqanin e shtetasit N. L.;

Më datë 27.01.2022, në rrugën “Bardhok Biba”, dyshohet se ka dy laptopë në studion e shtetasit E. G.;

Më datë 28.01.2022, dyshohet se ka tentuar të vjedhë dyqanin e shtetasit F. K.;

Më datë 29.01.2022, ne rrugën "Gjin Ndue Shpata", dyshohet se vjedhur një laptop në studion e shetasit L. F.

33-vjeçari ka qenë i dënuar më parë për veprat penale "Vjedhja" dhe "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike", dhe i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 2, për vjedhje.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:23
VIDEOLAJM/ Momenti kur 'Akrepi i natës' futet për të vjedhur në një dyqan! Nuk gjen lekë, por s'del duarbosh

'Report Tv' ka siguruar një tjetër video që tregon si 33-vjeçari Arqil Xhepa vidhte në dyqane në Tiranë. Në filmim duket 33-vjeçari që hy në një dyqan dhe nis të kërkojë për lekë, duke hedhur poshtë çfarë gjente. Pasi kërkon për disa sekonda dhe nuk gjen asnjë lek, i riu merr një laptop e më pas del nga dyqani.

Ora 10:11
Bënte kërdinë me vjedhje, ja zonat në 'Tiranë' që ranë pre e 'Akrepit të natës'

 

33-vjeçari Arqil Xhepa u arrestua sot si autor i disa vjedhjeve në Tiranë, ndërsa 'Report Tv' ka siguruar pamje të tij, të kapura nga kamerat e sigurisë duke kryer disa vjedhje. 'Pre' e 'Akrepit të natës', i quajtur kështu për shkak të tatuazhit që ai kishte në dorë, ishin disa rrugë në Tiranë, përkatësisht 'Reshit Çollaku', 'Don Bosko', 'Brrakë' dhe 'Laprakë', ku 33-vjeçari merrte çfarë gjente nëpër dyqane e studio.