Ministri i Financave, Petrit Malaj, drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Nicholas Abbott, vizituan Degën Doganore të Bllatës, ku inspektuan ecurinë e fazës së dytë të projektit për sistemet moderne të monitorimit me kamera në degët doganore në kuadër të një projekti të financuar nga pala britanike. Investimi i realizuar përmes Home Office shtrihet në 11 pika doganore dhe ka një vlerë prej 1.6 milionë paundësh.
Gjatë vizitës, Malaj vlerësoi mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për forcimin e sigurisë kufitare dhe modernizimin e administratës doganore, ndërsa drejtori i Doganave, Besmir Beja, tha se projekti ka sjellë 121 kamera të reja me teknologji moderne, duke rritur kapacitetet e monitorimit dhe kontrollit në pikat kufitare të vendit.
“Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, si përfituese e këtij projekti, tashmë ka në dispozicion 121 kamera të reja me teknologji moderne, që na sigurojnë që të kontrollojmë në mënyrën më të mirë të mundshme të gjitha pikat tona kufitare. Çdo qytetar dhe çdo biznes që kalon në territorin e Republikës së Shqipërisë do të ketë kontrollin e duhur, por do të shohë edhe shpejtësinë e duhur në këtë kontroll”, deklaroi Beja.
Nga ana e tij, ambasadori britanik Nicholas Abbott e cilësoi projektin një shembull të bashkëpunimit të ngushtë mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në funksion të sigurisë kufitare dhe luftës kundër aktiviteteve të paligjshme.
“Ajo që kemi bërë, duke bashkëpunuar me doganat, është vërtet një shembull i bashkëpunimit shumë të ngushtë që ekziston tani mes dy vendeve tona për këto çështje. Kemi rezultate pozitive, bashkëpunim pozitiv dhe jam vërtet i kënaqur që kemi pasur mundësi të punojmë së bashku gjatë viteve të fundit për të arritur në këtë fazë”, u shpreh Ambasadori Abbott.
Bashkëpunimi ndërmjet Administratës Doganore Shqiptare dhe institucioneve britanike, veçanërisht Home Office International Operations dhe HM Revenue & Customs (HMRC), ka luajtur një rol të rëndësishëm në modernizimin e sistemeve të kontrollit kufitar dhe rritjen e kapaciteteve për menaxhimin e riskut. Përmes këtij projekti janë instaluar sisteme moderne kamerash dhe leximi automatik i targave, të cilat kontribuojnë në parandalimin e trafiqeve të paligjshme, identifikimin e lëvizjeve me risk të lartë dhe goditjen e rasteve të transportit të cash-it të padeklaruar.
Komente










