OHER - Duke shëtitur një buzëmbrëmje në një nga shëtitoret e Ohrit, njohëm një djalë të vogël, pogradecar, që ende nuk ka mbushur 14 vjeç. E njeh gjithë qyteti, pasi qëndron zakonisht në qendër të qytetit, atje ku parkohen makinat. Me Avdiun zhvilluam një intervistë të shkurtër. Ai ishte i lodhur dhe ishte mbledhur kruspull në anë të një rruge dytësore, pranë pazarit të Ohrit.

Avdi pse vjen të lypësh në Ohër?
Ka shumë pogradecarë që shkojnë dhe punojnë gjatë ditës në Strugë dhe Ohër, punë të ndryshme bujqësie apo ndërtimi. Një pjesë e mirë prej tyre marrin edhe fëmijët e vegjël me vete. Ndërkohë që ata punojnë në ndërtim apo bujqësi, fëmijët e tyre lypin rrugëve të Strugës dhe të Ohrit, nëpër holle të hoteleve dhe restorantëve.

Fiton më shumë këtu?
Unë kam tre vjet që punoj në Maqedoni, që kur kam qënë 11 vjeç. Por, desha të them se këtë vit ka rënë paraja, nuk e lëshojnë dinarin dhe euron si më përpara edhe vendasit, por edhe turistët e huaj. Mezi fitojmë 1000 dinarë në ditë, që me lekët shqiptare shkojnë rreth 23 mijë lekë të vjetra. E ka fajin kriza, leku ka hyrë shumë thellë.

Ka ndonjë vend tjetër ku mund të fitosh më shumë?
Leverdi ke të shkosh në Greqi, sidomos në Selanik, tani që po afron vera vijnë shumë turistë. Ka shumë turistë anglezë dhe gjermanë, ata e lëshojnë paranë, nuk janë morramanë si këta tanët. Por Greqia nuk i ka punët mirë me veten e saj dhe ka shumë rrëmuja.

A ke ndonjë shokun tënd në Greqi?
Po, kam mbi 20 shokë në Greqi që punojnë si lypsa. Babai më thotë që është i kënaqur me lekët që fitoj në Maqedoni, se është krizë, më thotë ai, dhe kaq para sa fiton, mirë i ke. Babi im ka frikë dhe më merr me vete. Ai bën punë ndërtimi në Maqedoni, ndërsa unë lyp.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 24.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)