Kupën e parë si kampion e mori kur ishte dhjetë vjeç. Të dytën e rrëmbeu sapo mbushi dymbëdhjetë vjeç. Dhe vetëm një muaj pasi festoi ditëlindjen e tij të katërmbëdhjetë, Binald Mahmuti u shpall kampion kombëtar.
Në një intervistë për emisionin “Rreze Dielli” në televizionin A1 Report, trajneri i kampionit të Shqipërisë Arjan Fetishaj, shprehet: “Nëse vazhdon kështu, me këto ritme, përgatituni që këtë emër ta dëgjoni të lakohet edhe jashtë kufijve të Shqipërisë”.
Binaldi, i emocionuar për të folur për fitoren e tij në intervistën e dhënë për mikrofonin e A1 Report, shprehet se kjo fitore si kampion e ka bërë të ndihet i lumtur dhe të synojë të fitoj kampionatin edhe në arenën ndërkombëtare.
“Isha më se i sigurt që do e merrja këtë çmim. Pas asaj stërvitje që kam bërë dhe mbështetjes që më është dhënë unë isha I sigurt”, u shpreh Binaldi.
I gjithë ky sukses vjen, në fakt, pas një sakrifice të madhe, jo vetëm nga ana e Binaldit me talentin dhe vullnetin që ka, por edhe nga prindërit e tij, të cilët kanë shpenzuar jo vetëm për stërvitjen e tij cilësore, por edhe për regjimin e tij, rregullat që duhet të ndjekë një djalë për të qenë kampion.
Lidhur me këtë, Arjani, trajneri i Binaldit shprehet “Puna e mirë e prindërve të Binaldit në shtëpi dhe puna stërvitore e tij në pishinë janë elementët e duhur që e bënë Binaldin kampion”.
Binaldi ndryshe nga djemtë e tjerë të moshës së tij ka preferuar të merret me not në kohën e lirë pas mësimeve në shkollë. Talentin e tij si notar ai e zbuloj pas një dëmtimi në krah në moshën 7-vjeçare.
Mjekët e këshilluan që të kryente aktivitete sportive dhe se noti do t`I vinte në ndihmë. Ai fillimisht kryen stërvitjet e para ku dhe zbulon jo vetëm talentin por edhe kënaqësinë që i jepte vullnetin e duhur që kërkon ky sport. Trajneri na thotë se “Binaldi ka dhe talentin dhe vullnetin që një sportist duhet patjetër t`i ketë në mënyrë që të shpallet kampion”.
Binaldi e ka përfaqësuar Shqipërinë edhe në arenën ndërkombëtare si në Maqedoni, Kroaci, itali dhe Bosnje- Herzegovinë. Një ndër sukseset e tij të para ka qenë evenimenti i zhvilluar në Maqedoni, “Delfina Cup 2011”, ku Binaldi ka mundur të sigurojë 3 medalje ari, 2 medalje argjendi dhe 1 brozi. Në garat e zhvilluara në Bosnje- Herzegovinë ka qenë gjithnjë pjesëmarrës. Herën e fundit u kthye në Shqipëri me shtatë medalje. “Që fëmijë, që në garat e para në të cilat ka marrë pjesë, ai ka shkëlqyer”, thotë trajneri i tij Arjani.
“Ishte vetëm 12-vjeç kur theu rekordin në garën 400 m në disiplinën “Krol”, në Itali, duke u renditur ndër notarët më të mirë fëmijë në rang europian”, vijon ai.
Frymëzimi i Binaldit është kampioni amerikan Majkell Felbs. “Fitoren më të madhe e ka arritur në evenimentin botëror të Pekinit duke marrë pesë medalje ari”, na thotë Binaldi.
Sporti i notit në Shqipëri financohet nga prindërit e fëmijëve, trajnerëve dhe disa personave që e adhurojnë këtë sport. Trajnëri, Arjan Fetishaj na thotë se “Spoti i notit aktualisht është me vetëfinacim”. Ashtu si prindërit e Binaldit dhe shumë fëmijë të tjerë që duan që fëmijët e tyre të shkëlqejnë në sportin e notit për klubin e Tiranës kanë ndërtuar një pishinë në të cilën stërviten fëmijët e tyre për t`u shpallur një ditë kampion jo vetëm në Shqipëri por edhe ta përfaqësojnë atë në arenën ndërkombëtare. Aktualisht, Binaldi i ka renditur tre kupat e tij të fundit dhe dhjetra medale të marra në arenën ndërkombëtare në këndin e klubit të Tiranës.
Redaksia Online
(Xhulia Karavella/shqiptarja.com)