PRISHTINË, 11 Shtator/ATSH/.- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, përmes një mesazhi përkujtoi 14 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
"Para 14 vjetësh, më 11 shtator 2001, kombi amerikan ishte objekt i sulmeve më të tmerrshme terroriste që bota demokratike kishte përjetuar ndonjëherë.
Mijëra njerëz të pafajshëm u vranë, objekte të rëndësishme u shkatërruan dhe bota demokratike u vu para sprovës së madhe të terrorizmit global", shkruan Mustafa ne mesazhin e tij.
Sulmet e 11 shtatorit 2001 na tmerruan të gjithëve, vijon ai duke shtuar se, nuk arritën për asnjë moment të thyejnë shpirtin e paepur të kombit amerikan, i cili u ringrit edhe më i fuqishëm dhe më i vendosur kundër të keqes, duke dëshmuar fuqinë, vizionin dhe unitetin global në mbrojtje të vlerave të shenjta të lirisë dhe të civilizimit perëndimor.
"14 vjet pas këtyre akteve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbarë bota demokratike, vazhdojnë të jenë të bashkuara në luftën kundër të keqes, duke garantuar triumfin e vlerave të demokracisë përballë kërcënimit permanent terrorist", thotë më tej Mustafa.
Mustafa thekson se në këtë ditë përkujtimi dhe krenarie, qytetarët e Kosovës qëndrojnë bashkë dhe solidarizohen me familjet e viktimave dhe mbarë popullin amerikan.
"Kosova dhe populli i saj janë përjetësisht mirënjohës për kontributin e pazëvendësueshëm që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për çlirimin e Kosovës dhe për zhvillimin e vendit tonë", përfundon mesazhi i kryeministrit kosovar, Mustafa./KosovaPress//