15-vjeçari hedh bombë në mes të lagjes

BERAT (5/10/2000) Bombë në mes të lagjes. Autori, një djalosh 15-vjeçar, tashmë i shpallur në kërkim. Ishte grindur me një bashkëmoshatarin e vet e kërkoi të hakmerrej, duke lënë të plagosur komshijen e vet 50-vjeçare. Gjithçka ka nisur me një sherr kalamajsh. Të paktën kështu është konsideruaar nga prindërit e 15-vjeçarit Mikel Çizmja, banor i lagjes "Barrikada" të Beratit. Ky i fundit, të hënën, në mbrëmje, pas lojërave të zakonshme është grindur deri në grushta me një bashkëmoshatarin e vet. Megjithatë në mbrëmje dy adoleshentët janë takuar sërish dhe i kanë dhënë dorën njëri-tjetrit sikur të ishin burra të besës. Por, kjo nuk ka mjaftuar që Mikeli të dalë jashtë reagimeve të moshës së vet. Pasi është kthyer në shtëpi, me sa duket, ai është penduar që ia kishte falur kaq lehtë inatin shokut të vet, dhe me këtë mendim në kokë ka rënë të flinte. Me të njëjtën mëri është zgjuar të nesërmen në mëngjes, pra dje dhe ka dalë në rrugë. Në rrugicën e lagjes "Barrikadë", ku banon, personi i parë që i ka dalë përpara ka qenë përsëri shoku i vet, i cili ndërkohë po luante me fëmijët e tjerë. 15-vjeçari, sapo e ka parë, është kthyer me vrap në shtëpi, veprim ky që e ka trembur bashkëmoshatarin tjetër, i cili meqenëse e kishte kërcënuar edhe një natë më parë, ka parandjerë gjithçka, duke ikur gjithashtu me vrap. Por 15-vjeçari gjaknxehtë, ka arritur ta shohë atë së largu, ndërkohë që ishte ktheyr nga shtëpia prej ku kishte marrë një granatë dore. Armën e mbante të fshehur në shtëpi, ai vetë për "një ditë të keqe". Dhe pikërisht në orën 12.20, kur rrugica ishte e mbushur me kalimtarë, kryesisht me komshinj, e më shumë me gra që pastronin përpara dyerve e bënin pak muhabet, i ka hequr siguresën granatës. Të tmerruar të gjithë njerëzit janë hapur dhe kanë nisur vrapin, duke "imituar" 15-vjeçarin, i cili ndërkohë ishte në ndjekje të shokut "të luftës" së një nate më parë. Duke parë se nuk po e arrinte dot, Mikeli e ka hedhur nga larg granatën, e cila ka shpërthyer në mes të rrugës. E vetmja që e ka pësuar ishte gruaja 50-vjeçare Jemine Gjenollari, e cila, me sa duket, nuk ka mundur të vrapojë aq sa të tjerët. Kjo e fundit ka pësuar një plagë në krah, megjithëse, sipas mjekëve, tashmë është jashtë rrezikut për jetën, apo për ndonjë gjymtim. Pas kësaj policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, ku nuk kanë mundur të bëjnë gjë tjetër veçse të konfirmojnë gjithë ngjarjen dhe të shpallin kërkimin për 15-vjeçarin, i cili është zhdukur në drejtim të paditur. Ndërkohë u është bërë thirrje edhe prindërve të djalit që në momentin e parë që të marrin vesh se ku është ta dorëzojnë vetë atë.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë