TIRANE - Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë vendimin për dosjen Remzi Hoxha, duke dënuar me 15 vjet burg Ilir Kumbaron.

Kumbaro është dënuar për rrëmbimin dhe torturimin e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxhës.

Në vendimin e sotëm të saj Gjykata e ka shpallur të vdekur dhe jo të zhdukur Remzi Hoxhën.

Sipas vendimit shpallet fajtor Arben Sefgjini dhe Koldashi, por përfitojnë nga amnistia.

Gjyqi ndaj 3 të pandehurve për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës ka filluar në maj të 2008, ndërkohë që Kumbaro është i dënuar në mungesë pasi është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Ndërkaq në seancën e 16 tetorit 2011 Prokuroria tërhoqi akuzat për Arben Shefgjinin ish-zëvendësdrejtor në Drejtorinë e SHIK-ut në Tiranë dhe për Avdi Koldashin ish-shefi i bazës nr.10 të vëzhgimit në SHIK, duke i shpallur të pafajshëm pasi sipas Prokurorisë akuzat ndaj tyre nuk mund të provohen.

ARDIAN HOXHA: ME VRANE BABAIN PER HERE TE DYTE
Menjëherë pas vendimit të Gjykatës ka reaguar djali i Remzi Hoxhës, Ardian Hoxha i cili është shumë i indinjuar me vendimin e sotëm dhe shprehet se me këtë vendim ma vranë për herë të dytë babanë. Ardiani priste që të gjithë të dënoheshin dhe jo vetëm Kumbaro. Ai deklaron se prokurorja punon për kriminelët dhe kjo është drejtësia e Sali Berishës.

“Drejtësia në Shqipëri sot për herë të dytë më vranë babanë. Kjo është drejtësia e Sali Berishës. Më vjen turp të them që jam shqiptar. Prisnim që të gjithë të përfundonin në burg dhe jo shefi i Ilir kumbaros të lihej i lirë. Kemi 17 vite që torturohemi. Ky është bërë si film i “Kumbarit”. Këtu nuk mbrohet e drejta, këtu mbrohet krimi, këtu mbrohen kriminelët”, deklaroi Hoxha.

I pyetur nëse do të bënte vetëgjyqësi, ashtu siç ka deklaruar më parë, Ardian Hodha u shpreh se “të gjitha opsionet janë të hapura, të mos mendoj se do t’i shpëtoj njeri drejtësisë”.

Përsa i përket apelimit më tej të çështjes, Ardian Hoxha ka theksuar se nuk ka të drejtë të apelojë pasi familja e tij përfaqësohet nga propurorja, e cila punon për kriminilët, duke akuzuar më tej Kryeministrin Berisha dhe ish-kreun e SHIK-ut Bashkim Gazidede ka qenë ata që kanë dhënë urdhër për rrëmbimin e babait të tij, remzi Hoxha.

“Prokurorja punon për kriminelët. Nuk e njoh prokurorinë e Apelit dhe nuk ne skemi të drejtë të apelojmë. Kjo është loja që e luan pushtetin. Neve na përfaqëson prokurorja e cila punon për kriminelët. Të gjithë punojnë për Berishën, ai ka qenë urdhërdhënësi, ai dhe Bashkim Gazidede. Janë edhe disa prova të tjera që prokuroria i ka”, theksoi Ardian Hoxha.

KUMBARO ENDE NE KERKIM
Ish-kryetari degës në SHIK, Ilir Kumbaro ishte strehuar në Angli dhe për 12 vite jetonte nën emrin e kosovarit Shaqa Shatri. Kjo deri në korrik të 2012 kur autoritetet britanike iu përgjigjën Gjykatës së Krimeve të Rënda se Kumbaro nuk gjendej dhe për këtë arsye pyetja e tij dhe më pas ekstradimi në Tiranë për llogari të procesit ndaj Remzi Hoxhës nuk mund të realizohej. Kumbaro është i shpaull në kërkim.

17 VJET MISTER
Më 21 tetor u mbushën plot 17 vjet nga zhdukja e mistershme e biznesmenit shqiptaro-maqedonas. Remzi Hoxha sipas dosjes së prokurorisë u rrëmbye në rrugën "Siri Kodra", afër një magazine që ndodhet tek zona e quajtur "Frigoriferi". Persona civilë i kishin kërkuar atij që të shkonte me ta dhe pasi e kishin futur në një automjet ai është transportuar në sekret të plotë, në bazën e SHIK në Lezhë. Pikërisht në këtë bazë, ishin shoqëruar edhe dy persona të tjerë shtetasi Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli, të cilët së bashku me Remzi Hoxhën sipas prokurorisë (pretendimet e akuzës në fillim të procesit gjyqësor) u torturuan me metoda çnjerëzore, nga të pandehurit Ilir Kumbaro, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi.

Loshaj, është hedhur nga kati i tretë i godinës, duke kërkuar të vetëvritet vetëm për t'i shpëtuar torturave çnjerëzore, ndërsa fati i Remzi Hoxhës, ende mbetet mister. Prokuroria ka ngritur dyshime se biznesmeni ka vdekur si pasojë e torturave dhe se trupi i pajetë i tij mund të jetë zhdukur nga të pandehurit në një vend që ende dhe sot nuk dihet.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)