15 vjet nga ndarja nga jeta e françeskanit At Zef Pllumit

15 vjet nga ndarja nga jeta e françeskanit At Zef Pllumit

At Zef Pllumi

Në mjediset e bibliotekës së françeskanëve “At Gjergj Fishta”, në kuvendin e françeskanëve në Shkodër, kujdestari i kësaj biblioteke, At Viktor Demaj, gjendet i rrethuar mes librave, dorëshkrimeve dhe fotove të fratit fançeskan At Zef Pllumi, i cili u nda nga jeta tokësore 15 vite më parë, në moshën 83 vjeçare.

At Viktor Demaj thotë se, këtë përvjetor e kremtojmë duke rishiku jetën dhe veprën e tij, kryesisht veprën monumentale, trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue”. Ai shton se të gjithë duhet të reflektojnë rreth kësaj vepre, jo vetëm në aspektin letrar e historik të saj, por edhe në aspektin filozofik, në mënyrë që të bëhemi më të përgjegjshëm.

“Bahen shumë pyetje brenda kësaj vepre; si asht e mujtun që njeriu me i ba një të keqe tjetrit, me arritë me ba ato veprime, që nuk mund t’i kryj asnjë qenie e gjallë në këtë univers. Ajo ç’ka në të vertetë At Zef Pllumi na fton me reflektu asht pikërisht kjo; me u ba të vetëdijshëm, të përgjegjshëm. Unë kishe me shtu edhe me u ba solidar me ato viktima të asaj kohe. Edhe pse ka kalu një periudhë 30 vjeçare, prapseprapë ato viktima të komunizmit, të asaj kohe, kanë nevojë për një ndjenjë përgjegjësie, kërkimi faljet.”

Vepra e At Zef Pllumit, thotë At Viktor Demaj, i ngjan një universi kulturor me peshë në kulturën kombëtare. Ajo është botuar tashmë në tërësinë e saj, por At Viktor Demaj thotë se ka ende dorëshkrime të shkurtëra apo artikuj të mbetur pa përfunduar, ngjarje që nuk ka arritur t’i tregojë deri në fund, materiale këto që mund t’i shërbejnë jo vetëm lexuesit, por edhe studiuesve.

“E lexojmë veprën e tij në të gjitha aspektet; poezinë, studimet mbi folklorin, themelimin e revistës “Hylli i Dritës”, botimin e “Ditarit”, ai filloi me botu ditarin e At Pal Dodajt, fillimin e botimeve të kolanës së shkrimtarëve françeskanë. Pra, mund ta shikojmë në një lloj universi kulturor i cili ban pjesë në ato personalitete të mëdhaja të kombit tonë. Për këtë arsye asht mirë që, këto personalitete të lexohen, të kujtohen, të shpallen, të mësohen edhe breznitë e reja me këtë kontribut që kanë dhanë”.

At Zef Pllumi përjetoi thellë peshën e regjimit komunist. U dënua dy herë dhe kaloi gati 30 vite të jetës në burgjet e diktaturës. Ishte françeskani i fundit që arriti t'i mbijetojë ferrit komunist për të rrëfyer mbi jetën e tij dhe persekucionin ndaj klerit dhe shqiptarëve.

“Vuajtja e tij burgjeve, persekutimi që pësoi, e kanë modifiku edhe karakterin e tij. Unë dhe françeskanët e tjerë ishim djem të rinj në ato kohë kur ai kaloi vitet e fundit pranë kuvendit françeskan. Sigurisht, kishim kontakte dhe marrëdhënie pothuajse përditë dhe na bante përshtypje ai vështrimi i tij shumë i thellë, ato sytë e tij të mëdhej kallxonin shumë”.

Duke iu rikthyer veprës kryesore të fratit françeskan At Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregue”, At Viktor Demaj thotë se kjo vepër përcjell mesazhe universale, për të gjitha kombet, ç’ka përkon edhe me situatën globale dhe agresionin rus në Ukainë.

“Asht nji vepër që, jo vetëm na shërben ne, por i shërben edhe kombeve të tjera se si duhet të kemi kujdes nga totalitarizmat, nga ato ide politike që kthehen në ide vrastare. Ne mund të kemi ide të ndryshme politike, po nuk kena pse me u vra me njeni-tjetrin, me marrë pushtetin dhe me eleminu tjetrin. Secili ka idetë e veta, ka personalitetin e vet, identitetin e vet, dhe jep kontributin e vet me krijimtarinë e tij, me mendimin e tij. Ktë na fton At Zef Pllumi”.

Marrë nga VOA

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë