Vendimi i Greqisë për t’i thënë po ose jo ftesës së Shtëpisë së Bardhë për të marrë pjesë në mbledhjen e parë të Bordit të Paqes, më 19 shkurt në Uashington, do të varet nga një sërë faktorësh, sipas mediave të vendit fqinj.

Sipas këtij artikulli të Ekathimerini, kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka qenë në parim kundër pjesëmarrjes në Bordin e Paqes, me argumentin se ky organ është krijuar për të anashkaluar Kombet e Bashkuara dhe vepron jashtë kornizës së Rezolutës 2803/25 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që lidhet me aktivizimin e planit të paqes për Gazën.

Dilema për Athinën lidhet me faktin se takimi i 19 shkurtit është i përqendruar ngushtë te faza e dytë e planit, çka bie brenda tematikës për të cilën është ngritur bordi. Kjo, sipas zyrtarëve, mund të justifikojë pjesëmarrjen greke. Megjithatë, ata theksojnë se diskutimet në të kaluarën shpesh kanë dalë nga binarët.

Vendimi ka kosto diplomatike për Greqinë në të dy drejtimet. Një refuzim, pas ftesave të përsëritura, rrezikon të acarojë Shtëpinë e Bardhë. Pranimi, nga ana tjetër, mund të mos pritet mirë nga Gjermania dhe Franca, të cilat së bashku me Spanjën mbajnë një qëndrim më të ashpër për këtë çështje.

Burime të mirëinformuara të medias greke e përshkruajnë Italinë si një “barometër”, kjo falë edhe lidhjeve të kryeministres Georgia Meloni me presidentin Donald Trump dhe rolin e saj qendror në Bashkimin Evropian. Italia është gjithashtu një vend mesdhetar që po thellon bashkëpunimin me Turqinë, duke i dhënë qëndrimit të saj peshë të veçantë për Athinën.

Përveç Greqisë, Shtëpia e Bardhë u ka dërguar ftesa edhe Qipros, Gjermanisë, Francës, Spanjës, Italisë dhe Suedisë. Brenda BE-së, vetëm Hungaria dhe Bullgaria u përgjigjën pozitivisht që në fillim, një veprim që, sipas burimeve, habiti zyrtarët në Bruksel. Turqia pritet të përfaqësohet në Uashington dhe shihet si partnere e SHBA-së në përpjekjet për të riformatuar balancat në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.

Kyriakos Mitsotakis ka planifikuar të marrë pjesë në një samit për inteligjencën artificiale në Indi më 19–20 shkurt. Zyrtarët thonë se planet mund të ndryshojnë, nëse një udhëtim në Uashington vlerësohet më i domosdoshëm.