Pesëmbëdhjetë vjet pas katastrofës bërthamore të Fukushimës, Japonia po përgatitet të rikthejë në funksion centralin Kashiwazaki-Kariwa, centrali më i madh bërthamor në botë për nga kapaciteti. Objekti ndodhet në prefekturën Niigata, në bregun e Detit të Japonisë, rreth 220 kilometra në veriperëndim të Tokios.
Centrali, i administruar nga Tokyo Electric Power, ka shtatë reaktorë dhe një kapacitet total prej 8.2 gigavatësh, të mjaftueshëm për të furnizuar me energji miliona familje. Megjithatë, ky central nuk ka prodhuar energji që nga viti 2012, kur u mbyll pas shkrirjes së trefishtë të reaktorëve në Fukushimë në mars 2011, aksidenti më i rëndë bërthamor që nga Çernobili.
Tepco kishte planifikuar të rindezë reaktorin nr. 6 pak javë para përvjetorit të 15-të të katastrofës së Fukushimës dhe cunamit që i mori jetën rreth 20 mijë personave, por ky hap u shty përkohësisht kur një alarm u aktivizua gabimisht gjatë testimeve teknike.
Sipas The Guardian, rindezja e reaktorit pritet të rrisë furnizimin me energji elektrike në zonën e Tokios me rreth 2 % dhe shihet si një hap kyç në strategjinë e qeverisë japoneze për rikthimin e energjisë bërthamore, me synim arritjen e objektivave klimatike dhe forcimin e sigurisë energjetike.
Megjithatë, për rreth 420 mijë banorët që jetojnë brenda një rrezeje prej 30 kilometrash nga centrali, lajmi i rihapjes së centralit ka ngjallur frikë dhe pasiguri, sidomos për rastet e evakuiimit. Sipas banorëve, kushtet klimatike, rrugët e bllokuara nga bora dhe popullsia e moshuar e zonës e bëjnë evakuimin pothuajse të pamundur në rast emergjence.
Tepco pretendon se ka nxjerrë mësime nga Fukushima dhe ka investuar në masa të reja sigurie, duke vendosur mure mbrojtëse kundër cunameve, dyer hermetike, gjeneratorë rezervë, sisteme filtrimi të përmirësuara dhe mjete zjarrfikëse për ftohjen e reaktorëve në rast emergjence. Kompania ka premtuar gjithashtu investime prej 100 miliardë jenësh në prefekturën Niigata gjatë dhjetë viteve të ardhshme.
Zëdhënësi i Tepco, Tatsuya Matoba, deklaron se “siguria është themeli i biznesit bërthamor” dhe se mirëkuptimi i banorëve lokalë është kusht i domosdoshëm për funksionimin e centralit.
Por ky mirëkuptim mungon. Një sondazh i qeverisë lokale, i zhvilluar në fund të 2025-ës, tregoi se mbi 60 % e banorëve brenda rrezes 30-kilometërshe nuk besonin se kushtet për rihapjen e centralit janë përmbushur.
Shqetësimet shtohen edhe për shkak të aktivitetit sizmik në zonë. Në vitin 2007, një tërmet me magnitudë 6.8 ballë të shkallës Richter, shkaktoi dëmtime në central dhe një zjarr në një transformator, ndërsa tre reaktorë u ndalën automatikisht.
Për qeverinë japoneze, rikthimi i Kashiwazaki-Kariwa është një bast i madh politik dhe energjetik. Para Fukushimës, 54 reaktorë furnizonin rreth 30 për qind të energjisë së vendit. Aktualisht, nga 33 reaktorë të gatshëm për funksionim, vetëm 14 janë në punë, ndërsa përpjekjet për rihapjen e të tjerëve po hasin rezistencë të fortë tek vendasit.
Çfarë ndodhi në katastrofën e Fukushimës 15 vjet më parë?
Më 11 mars 2011, Japonia u godit nga një tërmet me magnitudë 9.0, më i fuqishmi në historinë e saj moderne, i cili shkaktoi një cunam me dallgë mbi 14 metra që përmbytën zonat bregdetare të verilindjes së vendit.
Cunami goditi edhe centralin bërthamor Fukushima Daiichi, duke çaktivizuar gjeneratorët rezervë që furnizonin sistemet e ftohjes.
Si pasojë e humbjes së energjisë elektrike, ftohja e reaktorëve dështoi dhe karburanti bërthamor në tre reaktorë u mbinxeh, duke çuar në shkrirje të pjesshme të bërthamave. Grumbullimi i hidrogjenit shkaktoi shpërthime që dëmtuan ndërtesat e reaktorëve dhe sollën çlirimin e materialeve radioaktive në ajër, tokë dhe det.
Rreth 120 mijë persona u evakuuan nga zonat përreth si masë paraprake.
Sipas autoriteteve japoneze dhe organizmave ndërkombëtarë, nuk pati viktima të drejtpërdrejta nga rrezatimi, por tërmeti dhe cunami shkaktuan 20 mijë viktima. Mbi 2 mijë vdekje të tjera janë lidhur zyrtarisht me pasojat indirekte të evakuimit afatgjatë, përfshirë stresin dhe ndërprerjen e trajtimeve mjekësore. Aksidenti u klasifikua në nivelin maksimal 7 në International Nuclear Event Scale, njësoj si Çernobili.
Komente








