16 dorëshkrime të pabotuara
nga “Formula e Pagëzimit”

16 dorëshkrime të pabotuara<br />nga “Formula e Pagëzimit”
TIRANE - Në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, studiuesi Musa Ahmeti, i cili ka bërë kërkime mbi dorëshkrimet e pabotuara të autorëve shqiptarë nga shekulli 15-të deri në shekullin 17-të, ka hedhur dritë mbi dorëshkrimet, fatin e tyre, tematikat që trajtohen në to dhe arsyet e mosbotimit. Profesor Musa Ahmeti nga Qendra e Studimeve Shqiptare në Budapest, tha për Radio Kosovën se ka bërë hulumtime të shumta duke shfrytëzuar arkivat e Vatikanit dhe të vendeve të tjera të Evropës dhe Botës, për të nxjerrë dorëshkrimet, tematikat që trajtojnë dhe arsyet përse nuk janë botuar.

“Ne kemi bërë studime të thelluara në të gjitha fushat të mbështetura sipas kritereve bashkëkohore. Kemi analizuar në mënyrë diplomatike secilin dorëshkrim veç e veç, përmbajtjen e tij, jo përmbajtjen lëndore, por të letrës në rast se është shkruar në letër, inicialet, dekorimet e tjera. Është analizuar autori, kur ka qenë e mundur të përcaktohet kush është autori, cili ka qenë personaliteti. Jemi marrë me vendin ku është krijuar, pse është bartur në këtë rast në Itali”.

Ndërkohë, sipas profesor Ahmetit, “Formula e pagëzimit” ende nuk është botuar tërësisht, sepse, siç tha, ekzistojnë edhe gjashtëmbëdhjetë dorëshkrime të tjera të pabotuara. Po ashtu, ai tregon se ekzistojnë dorëshkrimet që nuk e kanë datën e saktë të krijimit të tyre.

“Por, duke i ballafaquar me burime të tjera, e kemi përcaktuar datën. Kemi bërë krahasimin për personalitete, raste, ndodhi të veçanta, veçanërisht në rastet kur ato kanë të bëjnë në mënyrë direkte apo indirekte me shqiptarët dhe Shqipërinë, ta sjellim vendndodhjen e saktë të tyre.”

Studiuesi Ahmeti  tregon se nga kërkimet që ka bërë pothuajse të gjitha dorëshkrimet e asaj periudhe janë të pabotuara, duke bërë të ditur se pjesërisht është e botuar Kronika e Gjon Muzakës, që ruhet në dy dorëshkrime.
“Të dy dorëshkrimet kanë diferenca të ndryshme, dallime që nuk përputhen me njëra-tjetrën. Studimi i mëtutjeshëm mund të nxjerrë se cili është më i vjetër, cili është më afër origjinalit. Po ashtu, është botuar nga Biblioteka Mbretërore e Kopenhagës edhe “Statuti i Katedrales së qytetit Drishtit”.

Ahmeti theksoi se për hulumtimet dhe studimet e tij nuk ka pasur mbështetje nga institucionet shqiptare. Ai tregon se qasja nëpër arkiva të ndryshme botërore është shumë e vështirë, pasi kërkohet përgatitje e lartë profesionale, njohje të gjuhëve latine, greqishtja e vjetër dhe e re, sllavishtja e vjetër. Ahmeti bëri të ditur se kërkimet e tij janë përgatitur dhe pritet vetëm botimi i tyre.

Fleta e fundit e njërit prej dorëshkrimeve të pabotuara për Engjelloret e Drishtit nga viti 1468
(Në foto: Fleta e fundit e njërit prej dorëshkrimeve të pabotuara për Engjelloret e Drishtit nga viti 1468)

Engjellore nga Drishti, shek. XV dhe Ilustrimi nga faqja e parë e një Kodiku që ruhet ne BAV
(Në foto:
Faqja 3 e njërit prej dorëshkrimit të familjes Engjellore nga Drishti, shek. XV dhe Ilustrimi nga faqja e parë e një Kodiku që ruhet ne BAV)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 30.08.2013
 
Redaskai Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024