Ekipi i Anadolu Agency për t’u njohur me disa nga misteret që mbartin akoma këto bunkerë ka realizuar një intervistë me ish-Presidentin e Shqipërisë, Alfred Moisiu, i cili në rrëfimin e tij tregon detaje për numrin e tyre në total, periudhat që i përkasin, modelet që janë studiuar, etj. Por në rrëfimin e tij ai flet edhe për misionin e ushtrisë shqiptare dhe aktivitetin e saj në kuadër të NATO-s, për industrinë e trashëguara nga regjimi komunist dhe dëmtimin e saj në vitet e para të tranzicionit, etj.
Në Shqipëri janë ndërtuar 168.000 qendra zjarri (bunkerë)
Ish-Presidenti Alfred Moisi zbulon disa detaje rreth numrit dhe mënyrës së ndërtimit të bunkerëve në Shqipëri, ose qendrave të zjarrit siç quheshin në terminologjinë zyrtare ushtarake gjatë regjimit komunist. Ai tregon se janë ndërtuar gjithsej rreth 168.000 qendra zjarri (bunkerë), deri në vitin 1982, pasi pas këtij viti bie ritmi i ndërtimit të tyre. Kjo shifër sipas ish-presidentit përfshin çfarë kanë qenë ndërtime fortifikuese në Shqipëri , duke i përfshirë që nga Lufta e Parë Botërore, periudha e mbretit Zog, periudha e pushtimi nazi-fashist, e sidomos gjatë regjimit komunist, por bunkerët ndryshojnë nga periudha në periudhë. “Pas vitit 1974 ndërtimi i tyre vazhdoi në mënyrë masive. Ministri i Mbrojtjes i atyre viteve që ishte njëkohësisht edhe kryeministër, Mehmet Shehu, vuri në dispozicion fonde dhe burime materiale të mëdha, si dhe burime njerëzore dhe ishte i pasionuar në këtë drejtim. Kjo u bë në kohën e Luftës së Ftohtë dhe të gjitha vendet bënin shpenzime të mëdha ushtarake. Qendrat e zjarrit (bunkerët) u ndërtuan pothuajse totalisht në gjithë territorin e vendit. Shqipëria kishte një mbrojtje kubike, nëse mund ta quajmë kështu, nga deti, toka dhe ajri, gjithmonë nga pikëpamja e fortifikimit”- shprehet Moisiu.
Fortifikimi tregon Moisiu në atë kohë është bërë mbi baza shkencore dh Ushtria Shqiptare kishte një institut që merrej me studime, ku fillimisht gjërat eksperimentoheshin. Për bunkerët janë bërë dy eksperimente të mëdha për sa i përket objekteve të fortifikuara, ku njëri është bërë në vitin 1975 dhe tjetri në vitin 1977. Për fortifikimin u studiuan modelet më të njohura të fortifikimit nga vende të ndryshme të botës, si për shembull ai gjerman, rus, grek, por edhe modeli amerikan në Vietnam. Ish-presidenti tregon se ka qenë një punë shumë e studiuar dhe e bazuar në analiza shkencore, duke pasur parasysh vetë formën që u ndërtuan pasi nuk njiheshin formulat dhe duhej bërë patjetër eksperimentimi për të parë se sa rezistentë janë.
Ushtria për çdo vend, për çdo komb është krenari
Duke iu referuar riorganizimit të Ushtrisë Shqiptare, Moisiu thekson se jo vetëm standardet e NATO-s që e kanë detyruar shtetin shqiptar të ndryshojë, por edhe në tërësi ndryshimet që ka pësuar Evropa dhe Bota pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, e kanë reduktuar Ushtrinë Shqiptare, duke marrë një profil bashkëkohor. “Edhe pse jam shkëputur nga ushtria jam në dijeni të transformimeve që ka pësuar, si gjithë ushtritë e NATOS-s. Ushtria Shqiptare ka kaluar nga ndryshimet sasiore në ndryshime cilësore. Pra ka ulur efektivët e saj, dhe ka rritur efektivitetin e njësive ushtarake, si në aspektin e armatimit ashtu edhe në format e reja të stërvitjes, duke iu përshtatur edhe objektivave të reja që ka NATO në tërësi”- pohon ish-Presidenti i Shqipërisë.
Sipas tij dihet që NATO tani nuk përgatitet për luftëra frontale, por kryesisht për veprime antiterroriste, për veprime të ruajtjes së sigurisë dhe paqes në rajon dhe vendeve të ndryshme të botës sipas angazhimeve të saj. Moisiu pohon se Ushtria Shqiptare ka marrë pjesë me sukses qoftë në situatat e fatkeqësive natyrore dhe gjithashtu në angazhime të tjera. Pastaj pjesa e misioneve është detyrë e veçantë e ushtrisë dhe jo një detyrë e përhershme. “Unë kam një mendim personal që qeveria shqiptare duhet ti qëndrojë më afër ushtrisë dhe politikanët mos kujtohen për të në raste veçanta, ose për tu mburrur për misionet e saj jashtë shtetit ose kur kanë probleme që duhet një forcë e organizuar e kualifikuar dhe disiplinuar siç është ushtria, sepse ushtria për çdo vend, për çdo komb është krenari, një krenari e mbështetur në traditë, e mbështetur në patriotizmin e ushtrisë e cila e ka në thelbin e edukimit të saj”.
Sa i përket kuadrit rajonal, Moisiu deklaron se Ushtria Shqiptare është ristrukturuar që të përmbushë detyrat e saj, edhe ato që i ngarkohen nga NATO, për garantimin e paqes në rajone të ndryshme dhe për të përballuar në raste nevojë problemet që mund të krijohen në vend, përsa i përket fatkeqësive natyrore. Ndërsa ai shprehet se detyrën të karakterit për të mbrojtur kufijtë , ushtria nuk i ka më tani, sepse duke qenë pjesë e NATO-s, këto probleme zgjidhen në kuadër të NATO-s. “Por me thënë të drejtën, ushtritë e Ballkanit, të fqinjëve tanë janë të armatosura dhe kanë efektiv shumë të madh, shumë më të madh në raport me Ushtrinë Shqiptare, të cilët kanë arsyet e tyre. Unë kam patur mendimin tim që ua kam shprehur edhe ministrave të ndryshëm të mbrojtjes që ushtria gjithmonë duhet të jetë në gatishmëri”.
Për industrinë e trashëguar nga komunizmi u ndoqën politika të gabuara
Ish-Presidenti i Shqipërisë që e ka ushtruar këtë detyrë në vitet 2002-2007 jep opinionin e tij edhe për mënyrën se si u përdor industria e trashëguar nga regjimi komunist. Ai pohon për AA se në këtë drejtim u ndoq një politikë e gabuar. “Në nëntorin e kaluar isha në Varshavë në një takim të ish-presidentëve të Europës, ku pjesa kryesore ishin nga lindja dhe u trajtua edhe problemi i trajtimit dhe përdorimit të ekonomisë së trashëguar, gjë e cila në Shqipëri u keqpërdor, duke u bërë një shkatërrim total. Unë po marr vetëm një shembull nga qyteti i Kavajës, pasi edhe e njoh më mirë, pasi kam punua 5 vjet komandat brigade nga viti 1966-1971. Kavaja ka patur mbi 6-7 fabrika dhe uzina, ku kishin mbi 12 mijë punëtore që punonin dhe këto u mbyllën dhe u shkatërruan. Pra tek ne, ajo teoria e famshme e zerimit të industrisë së trashëguar, me pretendimin e teknologjisë së vjetër u zbatua keq. Dhe këto punëtorë që punonin në këto fabrika dolën të gjithë të pa punë dhe dua të them si ishin fabrika efikase, si p.sh ajo e gozhdë - bulonave dhe u prish, pastaj fabrika e tekstileve, fabrikave e punimit të qilimave, ku punonin 2400 gra dhe u shkatërruan. Industrinë e çimentos unë e njoh shumë mirë dhe u shpërbe për tu privatizuar me çdo kusht dhe privatizimi u bë nga firma të huaja”.
Mosiu tregon se kjo teori u zbatua shumë keq, duke dhënë rezultate shumë negative dhe qe një politike shumë e gabuar. Ai sjell një shembull nga Polonia, ku sipas tij ky vend braktisi vetëm 5 % të industrisë së trashëguar, ndërsa pjesën tjetër e transformuan.
Kush është Alfred Moisiu
Ai ka lindur në Shkodër më 1 dhjetor 1929. Është pjesëmarrës i Lëvizjes dhe më vonë i Luftës Nacional Çlirimtare në vitet 1942- 1944. Në vitet 1952-1958 ndjek studimet në Akademinë e Inxhinierisë Ushtarake në Moskë, ku përfundon studimet me “Medalje të Artë”. Nga viti 1958 deri në vitin 1997 Alfred Moisiu kryen disa funksione në Ushtrinë Shqiptare dhe në Ministrinë e Mbrojtjes, deri në pozicionin e zv/ministrit. Në 1994 Organizon Shoqatën Shqiptare të Atlantikut, ku ishte president i saj deri në 2002. Ndërsa nga 24 qershori 2002-24 korrik 2007 ai ka mbajtur postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Në vitet 1994-2002 si President i Shoqatës Shqiptare të Atlantikut ka drejtuar 7 Konferenca Ndërkombëtare mbi çështjet e paqes dhe sigurisë në Rajon, dhe 3 Konferenca Kombëtare mbi çështjen e kontrollit të armatimit. Ka shkruar një sërë studimesh dhe artikujsh mbi problemet ushtarake, mbi çështjet e mbrojtjes dhe të sigurisë në Rajon. Ndërsa në vitin 2004 boton librin”Kosova mes Luftës dhe Paqes”; në 2008 boton librin KUJTIME-vëllimi i 1-rë- “Në gjurmë të Kujtimeve”; në 2009 boton librin KUJTIME – vëll. 3-të-“Midis Nanos dhe Berishës”. Në vitin 2012 boton vëllimin e dytë “Në gjurmë të Kujtimeve”. Ka botuar 5 vëllime Fjalime, Mesazhe dhe Intervista gjatë viteve 2002-2005. Alfred Moisiu ka marrë medalje dhe vlerësim të shumta nga institucione dhe organizata të ndryshme. Mban titullin Doktor i Shkencave Ushtarake, akorduar në vitin 1979.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)