Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, ka reaguar pas protestës së  organizuar paraditen e së mërkurës pranë Gjykatës Administrative të Apelit, protestë e thirrur nga kryebashkiaku Erion Veliaj, mbi vendimin e pallatiti 17-katësh tek Liqeni Artificial duke deklaruar se respektojnë të drejtën e protestës, por ngrenë shqetësimin në lidhje me trysninë ndaj trupës gjyqësore të Gjykatës Administrative të Apelit lidhur me çështje konkrete, të cilat janë ende në gjykim.

"Ushtrimi në këto përmasa i trysnisë ndaj gjykatës, nga palë ndërgjyqëse, qofshin këto edhe institucione shtetërore është i paprecedentë. Mënyra e zhvillimit të kësaj proteste përpara godinës së gjykatës jo vetëm ka penguar funksionimin normal të veprimtarisë së Gjykatës Administrative të Apelit për disa orë, por ka cenuar në mënyrë të padrejtë imazhin e gjykatës," thuhet në deklaratën e Unionit të gjyqtarëve.

Në këto kushte Unioni i Gjyqtarëve kërkon nga organet kushtetuese vendimmarrëse në lidhje me gjykatat, që të ushtrojnë autoritetin e tyre kushtetues dhe ligjor për të ndërprerë çdo lloj trysnie jo vetëm ndaj daj gjyqtarëve të Gjykatës Administrative të Apelit por edhe gjithë gjykatave të tjera.

Po ashtu, Unioni i bën thirrje organizmave ndërkombëtarë në Shqipëri që të ndikojnë në eleminimin çdo forme të presionit ndaj Gjykatës Administrative të Apelit në veçanti dhe gjithë gjykatave në përgjithësi.

Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)