TIRANË- 76 vjet më parë në 17 Nëntor të 1944 Tirana u çlirua nga ushtria gjermane në Luftën e Dytë Botërore. Trupat e brigadës së parë sulmuese të udhëhequra nga Mehmet Shehu çliruan kryeqytetin nga pushtuesit nazistë, pas 19 ditë luftime të ashpra.

Nga “Ushtari i Panjohur" ku u zhvilluan ceremonia për 76 vjetorin e Çlirimit të Tiranës kryebashkiaku Erion Veliaj teksa vlerësoi heronjtë e vendit nuk la pas akuzat ndaj opozitës

Edhe Presidenti Meta ditën e Çlirimit të Tiranës e shikon si një ditë reflektimi.

Deputetë, përfaqësues të qeverisë, anëtarë të Këshillit Bashkiak, dhjetëra veteranë të Luftës Nacional-Çlirimtare, përkujtuan dëshmorët që dhanë jetën për liri 76 vite më parë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:51
76-vjetori i çlirimit të Tiranës, ithtarët e Enver Hoxhës homazhe tek 'Ushtari i panjohur'

Në ceremoninë e përkujtimit të çlirimit të Tiranës nga pushtuesit nazistë nuk kanë munguar dhe veteranët e luftës antifashiste.

Ata u shfaqën pranë "Ushtarit të panjohur" me pankarta në duar me portretin e diktatorit Enver Hoxha.

Ora 11:27
Meta: Të punojmë për një Shqipëri demokratike, që të rinjtë të mos largohen! Të mos humbasim kursin drejt Europës

Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar homazhe te "Ushtari i Panjohur" në kuadër të 76 vjetorit të çlirimit të Tiranës, ku nuk i ka kursyer edhe mesazhet politike.

"Çlirimi i Tiranës ishte mjaft i rëndësishëm se i la një legjitimitet luftës antifashiste dhe kontributit të popullit shqiptar në nivele ndërkombëtare. Një mirënjohje shkon për popullin e Tiranës që u bë njësh me çlirimtarët, fëmijëve, grave të moshuarve që ndërronin barrikada natën që çlirimtarët të përparonin gjatë ditës. Në këtë ditë të rëndësishme të luftës, kryeqytetit, është e rëndësishme që të ulemi me nderim, por të punojmë për të çuar amanetet e tyre për një Shqipëri të lirë, demokratike, një vend ku shqiptarët të jetojnë të lumtur, që i jep fund shpopullimin nga ky vend që gjaku është derdhur lumë brez pas brezi. Sot është një ditë reflektimi për të bërë shumë më tepër se tani që Shqipëria ditë mos e humbasë drejtimin Europian, jemi në prag të lëvizjes së dhjetorit, me thirrjen e duam Shqipërinë si gjithë Europa, ka ardhur koha jo thjeshtë ta duam por që ta bëjmë Shqipërinë si Europa, unë besoj se të gjithë bashkë do ia dalim që të rikthejmë shpresën në ringritjen shumë me të fortë të vendit tonë", tha Meta.

Ora 11:09
Veliaj nga ceremonia e 76-vjetorit të çlirimit të Tiranës: Minoranca e zhurmshme dhe e rrënuar moralisht nuk do tja dalë me këtë retorikë

Në ceremoninë e zhvilluar si përkujtimore të luftës për çlirimin e Tiranës, kryebashkiaku Veliaj ka deklaruar se minoranca e zhurmshme dhe e rrënuar nuk ka për tja dalë për të marrë pushtetin me retorikën e saj politike.

Duke shprehur se PD ka firmosur raportin e Dick Marty për krimet e luftës gjatë luftës së Kosovës, si dhe tentativën për të shitur detin, Veliaj u shpreh se ata nuk do tja dalin.

Në ndryshim nga opozita, Veliaj i bën thirrje të gjithëve që të bashkohen dhe të punojnë së bashku në të mirë të Shqipërisë.

"Minoranca e zhurmshme e rrënuar moralisht që firmosi raportin e Dick Marty si dhe disa vite më parë tentuan të shesin detin. Nuk do tja dalin. Ne na ka bërë bashkë një thirrje. Liria ka emër, tradhëtia ka emër, shitja e detit a ka emër? Për PS, lufta nacional çlirimtare është një luftë e lavdishme. Kemi sot momente për të reflektuar. Besoj se mënyra më e mirë për të nderuar sakrificën e të rënëve është që të qëndrojmë të bashkuar. Ne duhet të vijojmë në rrugën tonë për ndërtimin e Shqipërisë si dhe për rrugën e saj europiane. Ne jemi pjesë e NATO-s ndaj dhe pushtimi nga të huajt është shumë e vogël. Por askush nuk na mbron nga sabotimi i vetëvetes. Sot nuk ka asnjë punë që ta lërë për më vonë apo ta lëmë për nesër. Vetëm e mira dhe bashkimi e ka çuar këtë vend përpara. Shumë punë na presin por hap pas hapi, së bashku po ndërtojmë Shqipërinë. Për ne shqiptarët duhet ta ulim tonin dhe të reflektojmë. Sot, 17 nëntori na ka bërë të gjithë bashkë, socialistë dhe demokratë dhe uroj që të jemi kështu së bashku për të mirën e Shqipërisë" - tha Veliaj.

Ora 10:11
76-vjetori i çlirimit të kryeqytetit/ Ceremoni përkujtimore tek 'Ushtari i Panjohur', i pranishëm kryebashkiaku Veliaj

Në kuadër të 76-vjetorit të çlirimit të Tiranës, tek Ushtari i Panjohur zhvillohen homazhe për ata që kanë sakrifikuar jetën për liri.

Në këtë ceremoni është i pranishëm dhe kryebashkiaku Erion Veliaj.

Ora 08:17
Çlirimi i Tiranës, Braimllari: Mirënjohje për të rinjtë e të rejat që ranë në këtë betejë

Ish-deputeti i LSI-së, Endrit Braimllari ka kujtuar luftën e Ushtrisëë Nacional Çlirimtare të Shqipërisë për çlirimin e Tiranës që sot shënon dhe 76-vjetorin e saj.

Përmes një postimi në Facebook, ai shpreh mirënjohjen e tij për të gjithë ata persona që kanë dhënë jetën e tyre për liri.

Postimi i plotë:

"Në mëngjesin e 17 nëntorit të vitit 1944, pas 19 ditë e net luftë të ashpër e të pandërprerë, kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, u çlirua.
Operacioni mësymës për çlirimin e Tiranës u përgatit dhe u zhvillua në kuadrin e mësymjes së përgjithshme të UNÇSH-së për çlirimin e plotë të Shqipërisë. Ai ishte vijimi dhe kulmi i mësymjes së përgjithshme"

Nderim dhe mirënjohje për të gjithë të rinjtë dhe të rejat, gratë dhe burrat që luftuan dhe ranë në betejë për çlirimin e Tiranës.
Lavdi Luftës Antifashiste-Nacional-Çlirimtare.
Lavdi Dëshmorëve të Atdheut.