Me të vërtetë një shtëpi droge është ajo që kanë zbuluar karabinierët e një province të Romës në Itali, pranë një vile në  Torre Jacova, pranë Borghesianas, ku ata sekuestruan një sasi të madhe marijuane.

Në pranga ra një 18-vjeçar shqiptar.

Pasi karabinierët e kishin monitoruar teksa vërtitej nëpër zonën përreth, i dyshuari mbërriti pranë një vile në Torre Jacova dhe menjëherë uniformat blu nisën një kontroll të thelluar.

Në mjediset ku jetonte 18-vjeçari, u zbuluan 75 thasë të mëdhenj, të izoluar tërësisht, të cilat mbanin në total 1350 kile drogë, e cila duket se kishte si destinacion tregun e drogës në Romë.

Shqiptari, i padënuar më parë, u arrestua me akuzën e zotërimit të lëndëve narkotime me qëllim shpërndarjen e tyre dhe u dërgua në burgun e Regina Coeli, ndërsa sasia drogës u sekuestrua dhe autoritetet gjyqësore po vijojnë hetimet.