1975: Arratisja e bujshme e të tmerrëshmit të burgjeve shqiptare

(5/27/2001)Dëshmia makabre e Haxhi Sulës:" Kur më kapën në fshatin Nivicë, një shofer me emrin Foto, hoqi thuprën metalike të matjes së vajit dhe ma futi thellë në plagën e plumbit duke më prishur shpretkën të cilën se kam më" Në përrua më rrethuan 14 ushtarë të kufirit me në krye komandantin e tyre oficerin Pajtim Abedini. Unë qëlloja pa pushim me mitrolozin e lehte, por ushtarët nuk trembeshin nga të shtënat e mija. Më pas më kapi dhe një plumb tjetër, një gisht poshtë zemrës. Ishte oficeri ai që qëlloi, pasi ishte feshur pas disa shkëmbijve dhe shënonte me saktësi drejt meje. Pashë që po afroheshin dhe dy tanke, kurse mbi krye ishte një helikopter ku qëndronin Feçor Shehu me Sekretarin e Parë të Komitetit të Partisë të Sarandës Jashar Menzelxhiun. Aty më kapën ushtarët dhe civilët e forcave vullnetare dhe më lidhën fort. Një shofer nga Nivica i quajtur Foto, hoqi thuprën metalike të matjes së vajit dhe ma futi thellë tek vrima e plagës së plumbit. Më preku shpretkën dhe ma prishi. Tani nuk e kam më atë". Haxhi Sulës i lindur në Tiranë në vitin 1950, i burgosur disa herë gjatë regjimit komunist për tentativa arratisje, dy tre muaj para se të ndahej nga jeta në dhjetorin e vitit 1996, më ka dëshmuar disa nga aventurat e tija me kufirin, të cilat për herë të parë po bëhen publike në faqet e "Gazetës". Incidenti me dhëndrin e Kadri Hazbiut Historia e gjatë e mundimeve të Haxhi Sulës drejt burgjeve, e ka zanafillën aty nga viti 1975 pas një incidenti në qëndër të Tiranës. Lidhur me këtë Haxhiu kujtonte:" Isha vetëm 23 vjeç kur nisi odiseja ime e gjatë drejt ferrit. Aty nga pranvera e vitit 1975, teksa isha duke shëtitur në bulevardin "Qemal Stafa", një vajzë teper e pashme që po mësonte biçikletën, erdhi dhe u përplas me mua. Unë me teper mirsjellje e qortova duke i thënë që ta mësonte më larg dhe jo aty, pasi do të përplasej me ndonjë automjet. Mbas pak aty pranë më ndali dhëndërri i Kadri Hazbiut dhe më qëlloi me shpullë. Unë nuk durova dhe ju përgjigja me të njëjtën mënyrë. Sapo mësova se kush ishte, ja mbatha me vrap e dola te kodrat e liqenit dhe më pas drejt pyjeve të Krrabës ku qëndrova i fshehur për katër ditë e katër netë me rradhë. Ditën e katërt duke menduar se do të harroej ajo punë, zbrita nga pyjet e Krrabës dhe fsheurazi u erdha deri afër shtëpisë time. At pashë se forcat e Ministrisë së Brendëshme më kishin rrethuar shtëpinë me katër makina me policë, duke kujtuar se unë do të kthehesha aty. Operacionin për kapjen time e drejtonte vetë Feçorr Shehu me Kadri Ismailatin. Pas kësaj menjëherë u nisa për në drejtim të pyjeve të Elbasanit, me mendimin për tu arratisur nga kufiri në zonën e Librazhdit. Në fshatin Pëllumbas më rrethuan ushtarët e një reparti të Ministrisë së Mbrojtjes që i kishin ngritur në alarm, pas ngjarjes sime. Ata me disa breshëri të gjata automatiku më lajmëruan që të dorzohesha. Nga që kisha ditë pa vënë gjë në gojë, fuqitë më kishin lënë dhe nuk pata mundësi që t` ju bëja asnjë rezistencë ushtarëve, të cilët më kapën e më lidhën menjëherë. Njeri prej tyre më tha: Ke rënë në fole grenxash. Pas kësaj më nisën për në Tiranë, ku më mbajtën tre muaj në hetuesi krejt të vetëm dhe me një batanie të hollë sa një çarçaf. Mbas hetuesisë më mbajtën dhe gjashtë muaj në spitalin e burgut duke më kuruar plagët që mi kishin bërë nga të rrahurat. Pas asaj më nxorrën në gjygj duke më dënuar me shtatë vjet burg për tentativë arratisje dhe më nisën për në burgun e Borshit në Sarandë", kujtonte Haxhiu incidentin e parë, që e degdisi burgjeve të regjimit komunist. Arratisja nga burgu i Borshit Që ditët e para kur mbrriti në burgun e Borshit, Haxhi Sulës i punonte mëndja vetëm se si do të arratisej nga ai kamp. Lidhur me këtë Haxhiu kujtonte:" Më ishte mbushur mëndja top, ose të arratisesha ose të vdisja aty. Mbasi provova dhe bëra dy përpjekje, të dyja më dështuan, por nuk u pikasa nga asnjeri. Rasti i tretë më erdhi kur një nga nënoficerat më urdhëroi që të ngarkoja thesin me pleh, fare pranë telave të rrethimit. Unë fshehurazi futa disa ushqime brenda në thes dhe u nisa për të zbatuar urdhërin e tij. E vetmja gjë që më mundonte, pa të cilën unë nuk mund të bëja dot asnjë hap në drejtim të telave, ishte arma. Më ishte ngulitur në kokë, se po të kisha në dorë një automatik, nuk kishte perëndi që të më ndalonte më të largohesha nga ai kamp. Përgjova ushtarin e rojes që ishte mbi tarracë e gjeta rastin kur ai u afrua dhe e godita në kokë që ta trullosja. Ai ra në tokë, por nga që ishte shumë i fuqishëm, u ngrit prapë dhe më mbërtheu në trup. Unë e qëllova fort me grushta dhe e hodha në një hendek aty pranë. Ai menjëherë sapo ra aty, nxorri pistoletën që e kishte në brez, ndërkohë që unë më parë kisha kapur mitrolozin e tij të lehtë me zinxhirin e plumbave të futur në fole dhe dy të tjerë që i kishte rezervë në kuti. Kur i preka ato me dorë, prej gëzimit më shkuan lotë nëpër sy. U nisa pa e ditur se ku, vetëm që të largohesha prej andej. Mëndjen e kisha vetëm në drejtim të kufirit, rrugë tjetër për mua tashmë s` kishte", dëshmonte Haxhiu lidhur me arratisjen e tij të bujshme nga burgu u Borshit. Ndjekja me ushtarë dhe çetat vullnetare Po çfarë ndodhi më pas me Haxhi Sulën në kampin e Borshit, a arriti ai që të fitonte lirinë? Lidhur me këtë ai kujtonte:" Teksa kisha kapërxyer telat e rrethimit të jashtëm të burgut dhe qëndroja me mitroloz në dorë, aty afër meje në çast se nga u gjendën disa të dënuar që gjithë kampi i njihte si spiunë, të cilët me të butë më bënë thirrje të dorzohesha. Unë qëllova disa herë në ajër dhe ata u shtrinë të gjithë barkas në baltë. Nga breshëritë e mitrolozit, i gjithë ajri përreth meje mbante era barot. Nuk kishte shumë kohë për t` u mendur se në kamp u dha alarmi me sirenë dhe ushtarët roje nga kullat e tyre filluan të qëllonin me breshëri në drejtimin tim. Unë sakaq ja kisha dhënë vrapit në rrugën kryesore dhe aty pashë një makinë tip "Zis" të ndaluar që shoferi i saj si duket po mundohej të eleminonte ndonjë difekt. Ju afrova dhe i thashë të niste menjëherë makinën. Ai mbeti i hutuar nga fjalët dhe paraqitja ime me mitroloz në dorë. Ja përsërita fjalët dhe ai vështroi dhe njëherë nga gryka e mitrolozit e metë shpejtë u hodh për tek timoni. Makina çuditërisht u ndez në moment dhe ai më pyeti se për ku do të shkonim. Unë ju përgjigja prerë: Drejt Konispolit. Ai vazhdoi: Po ku? Unë i thashë me zë të fortë: Në drejtim të kufirit. Ai si nëpër dhëmbë foli disa fjalë që mezi i kuptova. Më duket sikur më tha se po e merrja në qafë se kishte shtatë kalamaj për të ushqyer. Unë hipa në karroceri dhe i dhashë urdhër të nisej menjëherë. Ai bëri ashtu siç i thashë unë dhe ndërsa makina fluturonte, mua se si më dukej vetja ashtu me mitroloz në dorë dhe mezi mbushesha me frymë nga ajri i pastër i detit që shtrihej poshtë rrugës automobilistike. Pas pak përpara nesh në të dy anët e xhadesë u dukën një grup ushtarësh që si duket i kishin nxjerrë për të më kërkuar mua. Qëllova me breshëri dhe ata u fshehën më poshtë rrugës. Bashke me ushtarët kishin dalë dhe çetat vullnetare. Të gjithë qëllonin kundër makinës dhe xhamat e spondet e saja, u bënë shoshë nga plumbat e tyre. Ndërsa makina nisi të çante përpara si avion sikur shoferi të kishte një mëndje me mua, mua më dukej se rruga çahej dhe nga ato të çara dilnin ushtarë dhe vullnetarë civilë që qëllonin në drejtim të makinës sonë. Ndërkaq morëm një udhë në drejtim të pyllit dhe atëhere mendova se shoferi nuk do të më tradhtonte, sepse dashje pa dashje ai ishte lidhur me mua. Aty në të hyrë të fshatit Nivicë, u dëgjuan krisma dhe thirrje të tjera. U futëm në pyllin majtas dhe aty na doli përpara një "Gaz-51" i mbushur plot me ushtarë. Qëllova me breshëri në drejtim të gomave të makinës e nga presioni ajo u përmbys dhe ushtarët fluturuan nga spondet sikur të ishin lodra. Ne ecëm dhe pak përpara dhe pasi dëgjuam tri të shtëna pushke të cilat ishin alarm për fshatarët, lamë makinën dhe i thashë shoferit të më ndiqte pas nëpër përrua", kujtonte Haxhi Sula aventurën e tij të rrezikëshme të arratisjes nga burgu dhe ndjekjen nga ushtarët e çetat vullnetare të zonës së Konispolit. Ndjekja me helikopter nga Feçor Shehu Po çfarë u bë më pas me Haxhi Sulën dhe shoferin që ai e detyroi që ta ndiqte nga pas në drejtim të kufirit? Lidhur me këtë Haxhiu dëshmonte:" Ndërsa unë e pyesja shoferin se larg ishte kufiri nga aty, ai duke belbëzuar më thoshte se i kishte lënë fëmijët pa bukë në shtëpi. Unë mundohesha t` i jepja zëmër që të shpejtonim duke i thënë se jashtë do të bëhej milioner dhe do ta ndihmonte familjen. Teksa ecnim, dëgjuam zëra shumë afër. Shoferi më tha: Ke sjellë në kufi si ushtarët shqiptarë dhe ata grekë. Do hapësh luftë mes tyre. Unë i thashtë që të më ndiqte pas deri tek ura dhe pastaj po të donte mund të kthehej. Ai mu përgjigj: Ku të mbytem pastaj? Atëhere nxito me mua, ju drejtova dhe pashë një grup tjetër ushtarësh që kishin zënë pozicione tek një parcelë aty para nesh. Ata më qëlluan dhe një plumb rikoshetë më kapi në trup dhe më dogji shumë (Nga ajo plagë më pas më kanë hequr gjashtë metër zorrë) U hodha në përrua dhe nisa të mbrohem duke qëlluar me breshëri. Po më mbulonte gjaku. Shoferit i ra të fikët kur më pa ashtu. Unë i hodha ujë përroi dhe ai u përmënd. Lërmë të vdes, mu lut ai me sy gjysëm të mbyllur. Befas pashë të na afroheshin 14 ushtarë me komandantin e tyre oficer Pajtim Abedinin. Të pozicionuar ata qëllonin në drejtimin tim. Më kapi dhe një plumb tjetër, një gisht poshtë zëmrës. Ishte oficeri ai që qëlloi, pasi shënonte saktë nga pozicioni i tij. Këpuca më qe mbushur me gjak dhe këmba më llapushitej aty brenda. Mezi mblodha fuqitë dhe qëllova dhe një herë më tepër për ti trembur. Ndërkaq drejt meje po afroheshin dy tanke, kurse mbi krye fluturonte një helikopter ku ishin Feçor Shehu dhe Sekretari i Parë i Sarandës Jashar Menzelxhiu. Për të shfryrë dufin i harxhova të gjithë fishekët. Aty afër pashë një zetor dhe u avita për të hipur, por nga që kisha humbur shumë gjak, më lanë fuqitë dhe ngela aty pa ndnjenja. Aty më kapën ushtarët dhe civilët e forcave vullnetare dhe më lidhën fort. Një shofer nga Nivica i quajtur Foto, hoqi thuprën e matjes së vajit dhe ma futi thellë tek vrima e plagës. Më preku shpretkën dhe ma prishi. (Tani atë nuk e kam më) Ashtu i plagosur i pafuqishëm, i dorzuar nga dhimbjet, rrija shtrirë në tokë brenda një rrethi ushtarësh e civilësh që më shihnin me habi, si të isha një qënie tjetër e jo njeri. Herë-pas here më hidhnin ujë dhe unë përmëndesha e shihja fytyra kureshtarësh mbi mua- Pastaj më lidhën fort dhe më plasën në një zetor të mbushur me pleh të lagur që mu ngjit me gjakun në fytyrë. Tek sheshi i fshatit Bamatat, u ndodha i shtrirë nën këmbët e Feçor Shehut e Jashar Menzelxhiut. Doktori që po më mjekonte kërkoi që të më zgjidhin, por nuk ja plotsuan dëshirën. Pastaj më nisën për në Tiranë në pavionin shtatë, ku doktorët firmosën se isha i përgjegjshëm", kujtonte Haxhi Sula, fundin e aventurës që ndërrmori për të kaluar kufirin në pranverën e largët të vitit 1975. 15 vjet burg dhe vrasja misterioze Mbas asaj aventure tepër të rrezikshme, Haxhi Sulën e nisën për t` i bërë gjyqin në Sarandë. Në Qafën e Ballshit, policët e zbritën për të pirë ujë duke ja zgidhur duart. Ai teksa ndjehej i lirë, ju hodh një polici për ti marrë automatikun. Gjatë përleshjes policët e tjerë e goditën nga mbrapa dhe e lidhën fort. Ai nuk piu dot as ujë. Gjygji Special e dënoi në fillim me vdekje dhe më pas ja zbriti në 15 vjet burg, pasi një kushëri i faërt i tij, ishte Kryetar i një Dege të Brendshme. Kjo nuk ishte aventura e vetme e Haxhiut në drejtim të kufirit. Mbas daljes nga burgu, aty nga fillimi i vitit 1990-të, ai së bashku me të vëllanë dhe katër shokë të tjerë që punonin bashkë në Kombinatin e Autotraktorëve, tentuan që të arratiseshin në fshatin Skënderbe të Librazhdit. Pasi u diktuan nga kufitarët, dy shokë të Haxhiut mbetën të vrarë në vend, Njërin që quhej Kujtim, u bë shoshë nga 60 plumba automatiku, kurse tjetrin e shqeu të gjallë qeni i kufirit. Haxhiu u dënua përsëri me tre vjet burg e pesë internim. Haxhi Sula ishte nga të fundit të burgosur politik që u liruan në 28 marsin e vitit 1991, nga burgu i Spaçit, pasi organizoi një grevë urie në tarracën e njërës prej godinave të atij kampi, së bashku me David Lumën, Paulin Bërdicën e Gjin Shllakun. Mbas burgut Haxhiu u kthye në Tiranë dhe nisi të ndërtonte jetën nga e para. Por nuk ishte e thënë. Në marsin e vitit 1997, teksa kishin filluar trazirat e mëdha, një dorë misterioze e qëlloi për vdekje, aty fare pranë shtëpisë së tij tek oxhaku, në afërsi të shkollës së oficerëve.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Shkodër/ Policia dyshime se një person i tretë ishte në makinë me Licin dhe Bushatin! Gjurmë gjaku dërgohen për ekspertim