Kanë kaluar plot 26 vjet nga shkrepja e fotos së realizuar nga fotografi i njohur Roland Tasho në sheshin “Skënderbej”.
Ishte koha kur vendi ynë sapo kishte dalë nga komunizmi dhe fotografët njihnin vetëm foton realiste. I ndodhur në demonstratat e fuqishme të 29 majit të vitit 1991, kur minatorët kërkonin ndryshimin e sistemit komunist, Roland Tasho do t’i kapërcente menjëherë klishetë e fotografisë realiste.
Sheshi i mbushur me protestues në perspektive dhe thundra e kalit të Heroit Kombëtar, Skënderbeut, e marrë në plan të afërt, arritën realizimin e një fotoje artistike, që mbeti një nga më të vlerësuarat.
Përmes kujtimeve të kohës Roland Tasho pohon: “Këtë foto e kam nxjerrë në botime në shtypin e kohës dhe ne ekspozita të shumta jashtë shtetit... E titullova thundra e hekurt, por me kalimin e kohës dhe sidomos ne Itali e quajtën patkoi i fatit, sepse edhe në Itali si këtu tek ne në Shqipëri, patkoi sjell fat...”.
Pas 26 vjetësh në 10 qershor të vitit 2017 shkrepet në Sheshin “Skënderbej” një tjetër foto nga Jutta Bezzenberg, bashkëshortja e të ndjerit Ardian Klosi.
Kjo foto vjen në një perspektivë plot ngjyra. Godet dhe befason. E shkrepur në ditën e promovimit të sheshit të rinovuar, fotografia flet qartë për ndërrimin e kohëve, sepse vetvetiu peizazhi ka marrë ngjyra të tjera, që do të nënkuptoheshin edhe nëse kjo foto do të qe bardhë e zi.
Në një perspektivë të afërt fotoja kundrohet mbi një kontradiktë kompozicionale. Sërish shfaqet patkoi i kalit, por këtë herë në lëvizje, sikur është gati për të ecur. Në një këndvështrim tjetër nga perspektiva e afërt në atë të largët ky patkua shërben si një dritare, ku përtej perspektivës së saj gjenerohet festa, gëzimi, relaksi dhe hareja.

Fotografia e Roland Tashos

Fotografia e Jutta Bezzenberg
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com
