Juristja Alesia Balliu ka akuzuar kryedemokratin Sali Berisha se paguan mercenarë për të bërë dhunë në protestat që po zhvillohen në Tiranë.

Komentet Balliu i bëri në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, ku tha se Shqipëria s’duhet të digjet për hajdutët dhe të korruptuarit që janë në qeveri dhe në opozitë.

Ajo tha gjithashtu se dënonte dhunën dhe ishte për zhvillimin e protestave paqësore në Shqipëri.

“Nuk digjet Tirana për pushtetin, por nuk digjet edhe Shqipëria për hajdutët e korruptuar që janë në Qeveri. Protestuesit kanë qëndruar në mënyrë paqësore. Dhe Shqipëria s’do digjet për të korruptuarit. Rama thotë se protestuesit janë të paguar nga krimi. Berisha thotë se krimi i shërben Ramës. Të dy bien në një fjali të përbashkët që krimi përdoret nga të dy palët. Unë jam dakord që ky vend të ketë zgjedhje të lira e të ndershme. S’jam dakord me djegien e Shqipërisë nga disa të korruptuar që kanë bërë paratë në kurriz të popullit shqiptar. Kushdo që del kundër protestës dhe kushdo që fut mercenarë të paguar nga Sali Berisha te ajo protestë, bën mëkat për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha mes të tjerash Balliu.

Balliu tha gjithashtu se Berisha ka vënë në krye të protestës sekretarin e përgjithshëm të PD-së, Flamur Nokën, i cili sipas saj është i kërkuar nga SPAK.

Duke e quajtur Nokën një anadollak, Balliu theksoi se ky është poshtërimi më i madh që sipas saj mund t’i bësh një partie politike.

Ajo theksoi gjithashtu se Berisha dhe Noka kanë paguar njerëz për të kryer dhunë në protestë, me qëllim prishjen e tubimeve paqësore.

“Berisha ka vënë në krye të protestës Flamurin. I ka hequr flamurin e PD-së dhe i ka vënë Flamurin që e kërkon SPAK. Dhe ky është poshtërimi më i madh që mund t’i bësh një partie politike, të vësh një injorant anadollak që kërkon vetëm dhunën, paguan mercenarë që të bëjnë zhurmë dhe mundohen të shpifin për të gjithë ata individë të forcave të tjera që kanë qenë në protestë dhe nuk kanë provokuar askënd. Është pikërisht ky Flamur që e kërkon SPAK që ka përdhosur flamurin blu në PD dhe këtë dhuratë ia ka bërë Sali Berisha demokratëve”, shtoi Balliu.