Demokratët mblodhën këtë të mërkurë grupet parlamentare për të diskutuar rendin e seancës së radhës plenare dhe qëndrimet që do të mbajnë nesër në parlament. Paralel në Kryesinë e Kuvendit dhe në selinë e Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj dhe Sali Berisha u takuan me deputetët që i përkrahin në dy mbledhje të ndryshme, duke konfirmuar vijimin e ndarjes së grupit parlamentar.
Në takimin e Alibeajt, i pari për këtë vit, mori pjesë krahas deputetëve të tjerë edhe Ferdinand Xhaferraj që kishte deklaruar se do të firmoste nismën e Ervin Salianjit për shkarkimin e kreut të grupit, ndërsa ky i fundit, pavarësisht se gëzon mbështetjen e Berishës nuk iu bashkua mbledhjes së tij.
Ferdinand Xhaferraj duket se i është bashkuar sërish grupit të Alibeajt pasi ishte një prej deputetëve që deklaroi se mund të firmoste kërkesën e Salianjit për shkarkimin e kreut të grupit parlamentar të PD. Nga ana tjetër, mungoi në festën e 32-vjetorit të themelimit të PD në Durrës gjë që mund të jetë mesazh se nuk i mbështet lëvizjet e Berishës.