FIER - 15 familje vijojnë të jenë të evakuuara në fshatin Marinzë. Banorët prej ditësh jetojnë te të afërmit e tyre.

Dyert e këtyre banesave i gjejmë të kyçura, pasi që prej 1 prillit banorët nuk guxojnë të jetojnë brenda tyre.

Sabri Karamani, Ladi Suku, Andon Shabani, Loni Kaceli, Lodi Kaceli, Andi Pipa, Piro Papa, Pavli Mara, Sije Gjika, Goni Shahini, këta janë banorë të cilët me familjarët e tyre ndodhen të evakuuar për shkak të dëmtimit të banesave dhe rrezikut të fundosjes së tyre.

Sabri Karamani qëndron përreth shtëpisë pa ditur se si do të jetë e ardhmja për familjen e tij. Muret e shtëpisë së tij janë të plasaritura, në oborr ka gropa gjigante e themelet e godinës janë dëmtuar.

Ndërsa Goni Shahini thotë se në bodrumin e njërës prej dhomave është hapur një gropë duke e bërë te pamundur qëndrimin në te.
Ende në ambulancën e fshatit vazhdojnë dyndje banorësh për tu vizituar. Dy dhomat që shërbejnë për mjekimin ambulator të pacientëve janë të pamjaftueshme për të përballuar fluksin.

Të sëmurët qëndrojnë për rreth 2 orë në radhë për të marrë shërbimin mjekësor, pavarësisht faktit se kanë mbërritur në këto ambiente me urgjencë.
Banorët e Marinzës presin vendimin e komisionit të vlerësimit për të dëmet e banesave të tyre dhe shpërblimin për to.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)