2 ministri të së njëjtës qeveri 
qëndrime ndryshe për Bankers

2 ministri të së njëjtës qeveri <br />qëndrime ndryshe për Bankers
TIRANE - Dy qëndrime të kundërta të ministrive të së njëjtës qeveri dalin në pah vetëm pak ditë pas shpërthimeve të puseve të naftës në Patos-Marinzë si pasojë e gabimit teknik të kompanisë naftënxjerrëse kanadeze “Bankers Petroleum”. Ministria e Energjetikës rekomandoi dje pezullimin e aktivitetit të kompanisë “Bankers Petroleum” vetëm në pusin që shpërtheu në fshatin Marinzë, pezullim ky deri në momentin e rehabilitimit të sipërfaqeve të dëmtuara. 

Përkundër këtij vendimi, ministri i Mjedisit Lefter Koka shkoi sot në Marinzë dhe foli në emër të qeverisë duke thënë se “mund të rishikojë kontratën koncensionare të kompanisë “Bankers Petroleum”.

“Ministria e Mjedisit në respekt të ligjit, ka kërkuar pezullimin e aktivitetit deri në marrjen e masave për datat e mirëpërcaktuara për investimet që do bëjë kompania për rehabilitimin e zonës dhe duke ju shtuar edhe dëmshpërblimi i banorëve , të drejtën ligjore. Hapi i dytë i yni nëse kompania nuk reagon, është t’i drejtohemi Albpetrolit, institucioni shtetëror i cili ka kontraktuar me këtë kompani, t’i kërkojmë Albpetrolit të prishë kontratën me këtë kompani, nëpërmjet refuzimit të lejeve mjedisore. Në momentin që refuzohen lejet mjedisore kompania nuk ka të drejtë të ushtrojë aktivitetin. Ndaj unë do dëshiroja shumë, gjërat janë të dhimbshme kur ndodhin kështu, është e dhimbshme kur paguan para, kompania duhet ta kuptojë se këtu nuk është vetëm një lopë për të mjelë, kompania duhet të dëmshpërblejë njerëzit. Kjo është një tok e shtetit shqiptar dhe duhet të dëmshpërblej banorët e dëmtuar”, tha Koka.

Ministri i Mjedisit bëri përgjegjëse për këtë situatë Qeverinë Berisha, e cila sipas tij për 8 vjet me radhë nuk ka bërë asnjë kontroll në lidhje me aktivitetin që kryen në vendin tonë kompania kanadeze. Koka tha se banorët e Marinzës do të dëmshpërblehen për dëmet e shkaktuara në shtëpitë e tyre dhe në tokat bujqësore.

Ndërsa Ministria e Energjetikës që drejtohet nga Damian Gjiknuri doli të martën pasdite me një konkluzion për shkaqet e shpërthimit dhe masat ndaj kompanisë Bankers Petrolium: Pezullimin e te gjitha punimeve të kompanisë Bankers Petroleum Albania në sheshin e pusit P29 A, deri në momentin e rehabilitimit të sipërfaqeve të prekura nga grifonet.
Në raportin e Ministrisë së Energjetikës thuhet gjithashtu se mosmontimi i linjës së dytë të preventorëve vështirësoi manovrimet e personelit të sondës. “Shqetësuese mbetet situata e shpërndarjes të gazit në këtë zonë, ku banorët përveçse janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre, kanë mbetur dhe të helmuar", thuhet në raport.

Po çfarë ka ndodhur sipas ekspertëve te AKBN dhe Alpetrol? 
“Kompania në fillim kishte menduar se kishte të bënte me gaz hidrokarbur apo thënë ndryshe gaz shoqërues të naftës, por më pas aparaturat gazmbajtëse zbuluan se zona ku ndodhi shpërthimi përmbante gaz karbonik dhe jo gaz shoqërues të naftës. Ekspertët vlerësuan se kjo zonë naftëmbajtëse nuk ka pasur asnjëherë gaz hidrokarburi dhe kompania Bankers Petroleum nuk ka studiuar paraprakisht historikun e puseve përreth të shpuar më përpara nga kompania Albpetrol”, thuhet në raport.

Ministria e Energjetikes rekomandon se Bankers për të gjitha shpimet duhet te vendose ne pune te dy linjat preventoreve, të marrë informacionin e duhur për historikun e puseve dhe nënkontraktorët duhet të plotësojnë kushtet teknike, pasi nënkontraktori ka pasur mangësi teknike për zgjidhjen e situatës se krijuar.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Lituania njofton paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën

Lituania njofton paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën