Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë për ish-drejtorin e OST-së, Klodian Gradecin nga arrest me burg në arrest shtëpie.

Pasi është kthyer nga Turqia ai ka pasur raport mjekësor pasi i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale. Ky është dhe shkaku për ndryshimin e masës së sigurisë.

Më herët në gjykatën e apelit është hequr dhe masa e sigurisë për Isuf Berberin.

Hetimet për zyrtarët e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore kanë nisur pas kallëzimit penal të drejtorit të përgjithshëm te "Albpetrol".

Pas hetimeve ka rezultuar se "Phoenix Petroleum" e cila është në pronësi të Isuf Berberit, i shpallur në kërkim, dhe Naim Kasa, me marrëveshje Hidrokarbure të miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe të ndjekur për ecurinë e saj nga AKBN ka shfrytëzuar disa puse nafte.

Me qëllim plotësimin e detyrimeve për Programin Minimal të Punës, apo investimeve të detyrueshme për këto puse nafte, dhe në kushtet kur këto investime nuk i ka kryer, kjo shoqëri ka paraqitur në AKBN, tetë fatura të falsifikuara për shërbime që realisht nuk i ka përfituar nga kompania amerikane Black Swan Energy Service.

Falsiteti i këtyre faturave është konfirmuar nga kompania gjyqësore amerikane dhe vlera totale e tyre është 1. 299.000 USD.