Qamil Zela, 52-vjeçari nga Lushnja i arrestuar për lidhje të paligjshme të energjisë elektrike i ka dhënë fund jetës mëngjesin e kësaj të diele në burgun e Rrogozhinës. Zela ishte vendosur në ambientet e paraburgimit pas një vendimi të Gjykatës, e cila kish caktuar për të masën e sigurisë “arrest me burg”.
Trupi i pajetë i Zelës është përcjellë për në morgun e kryeqytetit kur pritet ekspertiza mjeko-ligjorë për përcaktimin e shkaqeve të vdekjes, ndërsa familjarët e tij denoncojnë mungesën e sigurisë në burgje çka për ta është bërë shkak i vdekjes.
“Unë nuk e di se burgu qenka institucion që nuk paska siguri, unë di se burgu është institucion i sigurisë së lartë dhe njeriu atje ruhet e monitorohet, si vdes njeriu në burg edhe na lajmërojnë hajde merre te morgu, ja këtu jemi te morgu dhe po presim ca do thonë tani. Ka vdekur në burg atje dhe na thonë hajde merre te morgu, do presim ca do thotë prokuroria, ta zbardhi cështjen se ne nuk e tërheqim pa u zbardhur çështja deri në fund. Ishte për një dëm ekonomik 35 mijë lekë të vjetra, me procesverbal me të gjitha”, u shpreh nipi i të ndjerit.
Ndërsa sipas grupit hetimor, i cili ka ndjekur procesin ndaj Zelës debinë prej 340.000 lekë ai e kish shlyer, por rezulton se i ndjeri është ndaluar 28 tetor të këtij viti për lidhje të paligjshme energjie në dy biznese (njëra lojëra elektronike dhe një fast food) në katin e parë, nëpërmjet katit të dytë ku banonte vetë. Sipas hetimeve ka rezultuar se e vetmja kontratë ishte për shtëpinë dhe Zela nuk kishte asnjë kontratë për dy bizneset e tij.
Po ashtu zyra e shtypit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve ka reaguar duke deklaruar se ndaj Zelës forcat e sigurisë së burgut kanë ndërhyrë menjëherë pasi e kanë gjetur në dhomë duke u mbytur me shall, dhe me shenja jete e kanë dërguar në spital, por ai nuk ka mundur të mbijetojë pas asfiksisë së pësuar.
Ne foto: Familjaret ne morgun e kryeqytetit
Reagimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme
Ministria e Punëve të Brendshme duke shprehur keqardhjen për humbjen tragjike të jetës së një shtetasi në burgun e Rrogozhinës sqaron opinionin publik se Policia e Shtetit nuk ka arrestuar asnjë person për detyrime të papaguara ndaj OSHEE, por vetëm për vjedhje të energjisë përmes lidhjeve apo rilidhjeve të paligjshme.
Ritheksojmë se asnjë shtetas nuk i nënshtrohet procedimit penal si debitor, por vetëm shtetasit që vjedhin energjinë elektrike, duke konsumuar veprat penale të parashikuara nga Kodi Penal.
Shtetasi Qamil Zela, 52 vjeç, banues në Lushnje është arrestuar në datë 28.10.2014 nga policia e Lushnjes, pasi është kapur me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Gjatë kontrollit të ushtruar nga grupet e përbashkëta të OSHEE dhe Policisë së Shtetit ka rezultuar se shtetasi Qamil Zeka furnizonte me energji elektrike dy biznese në pronësi të tij (një Fast Food dhe një sallë interneti), pa matësa të energjisë, por duke i lidhur me banesën e tij me kontratë familjare. Të dy dyqanet u gjetën të hapura dhe në gjendje pune dhe të papajisura me matësa energjie.
Materialet në ngarkim të shtetasit Qamil Zela i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të rrethit gjyqësor Lushnje për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, parashikuar nga neni 137/2 i Kodit Penal.
Në datë 30.10.2014 Gjykata e rrethit gjyqësor Lushnje ka vlerësuar si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të shtetasit Qamil Zela dhe ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
Ministria e Punëve të Brendshme siguron opinionin publik se Policia e Shtetit do të vijojë të zbatojë vetëm ligjin pa shkelur asnjë të drejtë themelore të shtetasve dhe nga ana tjetër fton opozitën të mos bëjë politikë kukuvajkash me ngjarjet e ditës. Përkrahja e paligjshmërisë nuk është rruga për përfitim politik.
(Në foto procesverbali i arrestimit në flagrancë)
(Në foto vendimi i gjykatës për masën e sigurisë)
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)