Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me ecurinë e Reformës në Drejtësi, dy vite pas miratimit në Kuvend të paketës së ndryshimeve kushtetuese, 22 korrikun e vitit 2016. Kreu i qeverisë thekson se pastrimi i llumit të madh të drejtësisë ka nisur pa ndalim, ndërsa kritikon opozitën për qëndrimin e saj kundër Vettingut si dhe mosdhënien e konsensusit për miratimin e ligjit të Magjistraturës, i cili u shty për në sesionin e ri parlamentar, në shtator. 

Postimi i Ramës
"Fiks dy vjet më parë kaloi pas njëmijë qametesh Reforma në Drejtësi. Sot pastrimi i llumit të madh ka nisur pa ndalim. Ndërsa ata njësoj si atëherë i bien njëri gozhdës e tjetri patkoit dhe po njësoj SHBA-BE u kërkojnë t’i thërrasin mendjes. Sa gjynah për këdo i beson e dëgjon ende", shkruan Rama.



Opozita refuzoi të votojë në seancën e fundit të Kuvendit për këtë sesion parlamentar, ligjin për Shkollën e Magjistraturës e cila synon t'i japë zgjidhje vakumit të krijuar në gjykata nga spastrimi i radhëve të gjyqësorit nga procesi i Vettingut. Për miratimin e ligjit duhen 84 vota dhe pavarësisht apelit të SHBA dhe BE, PD e LSI bojkotuan seancën e të enjtes, duke mos dhënë konsensusin. Ndërsa kryedemokrati Lulzim Basha parashtroi shtatë pika si kushte që opozita të bashkojë votat me shumicën parlamentare. Sipas Bashës, ligji për Magjistraturën i dërguar nga maxhoranca në Kuvend, synon kapjen politike të pushtetit gjyqësor. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:18
Basha: Rama kërkon të emërojë gjyqtarët dhe prokurorët përmes Arta Markut

Kryetari i PD, Lulzim Basha iu përgjigj komenteve të Ramës lidhur me reformën në drejtësi. Në një reagim Basha thotë se Rama kërkon t'ia lërë Arta Markut emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Sipas tij, propozimi i Ramës sanksion që emërimet e të sapodiplomuarve në sistemin e prokurorisë dhe të gjyqësorit të bëhen nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme dhe KLD-ja e vjetër.

Reagimi i Bashës: 
Ndryshimet e propozuara nga Edi Rama të Ligjit për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve sanksionojnë që emërimet e të sapodiplomuarve në sistemin e prokurorisë dhe të gjyqësorit të bëhen nga PPP- Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme dhe KLD-ja e vjetër. Ky propozim është shkelje e hapur e Kushtetutës dhe kthim tek institucionet e vjetra që kishim para reformës në drejtësi. 

Kjo shkelje e Kushtetutës bëhet në një kohë kur Gjykata Kushtetuese është shpërbërë dhe sistemi kushtetues në Shqipëri është i goditur rëndë. Qëllimi i këtij propozimi është kapja totale e drejtësisë nga Edi Rama përmes Arta Markut dhe KLD-së. 

Prandaj Edi Rama i përgjysmoi para një viti buxhetin dhe burimet për vetingun, qëllimisht për të zvarritur vetingun dhe për të mos krijuar KLP-në, KLGJ-në dhe SPAK.

Partnerët ndërkombëtarë duhet të shqetësohen për mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe bllokimin e Gjykatës së Lartë nga Edi Rama, çka ka hequr çdo lloj kontrolli dhe kufizimi të pushtetit të shumicës dhe ka vënë në rrezik të drejtat e njeriut në Shqipëri. Heshtja e tyre ndaj kësaj gjendje ka ulur besueshmërinë e tyre në sytë e publikut shqiptar, i cili pret përmbushjen e premtimit që ata i bënë shqiptarëve se peshqit e mëdhenj do ishin në burg dhe jo në krye të qeverisë. Drejtësia pa të korruptuar dhe kriminelë në burg është tallje dhe jo drejtësi.