Kryetari i PD, Lulzim Basha iu përgjigj komenteve të Ramës lidhur me reformën në drejtësi. Në një reagim Basha thotë se Rama kërkon t'ia lërë Arta Markut emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Sipas tij, propozimi i Ramës sanksion që emërimet e të sapodiplomuarve në sistemin e prokurorisë dhe të gjyqësorit të bëhen nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme dhe KLD-ja e vjetër.
Reagimi i Bashës:
Ndryshimet e propozuara nga Edi Rama të Ligjit për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve sanksionojnë që emërimet e të sapodiplomuarve në sistemin e prokurorisë dhe të gjyqësorit të bëhen nga PPP- Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme dhe KLD-ja e vjetër. Ky propozim është shkelje e hapur e Kushtetutës dhe kthim tek institucionet e vjetra që kishim para reformës në drejtësi.
Kjo shkelje e Kushtetutës bëhet në një kohë kur Gjykata Kushtetuese është shpërbërë dhe sistemi kushtetues në Shqipëri është i goditur rëndë. Qëllimi i këtij propozimi është kapja totale e drejtësisë nga Edi Rama përmes Arta Markut dhe KLD-së.
Prandaj Edi Rama i përgjysmoi para një viti buxhetin dhe burimet për vetingun, qëllimisht për të zvarritur vetingun dhe për të mos krijuar KLP-në, KLGJ-në dhe SPAK.
Partnerët ndërkombëtarë duhet të shqetësohen për mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe bllokimin e Gjykatës së Lartë nga Edi Rama, çka ka hequr çdo lloj kontrolli dhe kufizimi të pushtetit të shumicës dhe ka vënë në rrezik të drejtat e njeriut në Shqipëri. Heshtja e tyre ndaj kësaj gjendje ka ulur besueshmërinë e tyre në sytë e publikut shqiptar, i cili pret përmbushjen e premtimit që ata i bënë shqiptarëve se peshqit e mëdhenj do ishin në burg dhe jo në krye të qeverisë. Drejtësia pa të korruptuar dhe kriminelë në burg është tallje dhe jo drejtësi.
Lajmi kryesor: